Gjyqtari i Apelit Vlorë, Nazmi Troka u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 4 nëntor 2021 pasi u konkludua se nuk arriti të provonte burimet e ligjshme të pasurisë që zotëron. Sipas KPK, gjyqtari Troka nuk arriti të provonte të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga bujqësia, për vlerën e të cilave u konstatua mospërputhje, si dhe për mundësinë financiare të kunatit për dhënien e një huaje 25 mijë euro.
Troka e kundërshtoi shkarkimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, por dhe aty dështoi të justifikonte ligjshmërinë e burimeve që kanë shërbyer për krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve. Me vendim të datës 25 nëntor 2024, Kolegji e la në fuqi shkarkimin e këtij subjekti rivlerësimi.
Në tetor të vitit 2021, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD i kërkoi Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ që të vendoste masën disiplinore “ulje me 40% të pagës për 1 vit” për Trokën, me pretendimin se kishte marrë një vendim për rishikim mase sigurie në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale. Kërkesa e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u pezullua nga KLGJ deri në një vendim nga institucionet e vetingut. Më 15 janar, KLGJ evidentoi se Troka ishte shkarkuar nga institucionet e vetingut me formë të prerë dhe për rrjedhojë nuk ka më objekt për t’u shqyrtuar, duke vendosur përfundimin e procedurave pa një vendim përfundimtar.
Nazmi Troka e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punoi për gati dy dekada si gjyqtar në Gjykatën e Beratit. Në vitin 2013, ai u dekretua si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Vlorës, ku vazhdoi ushtrimin e funksionit deri në shkarkimin e tij nga detyra.
Problemet e pasurisë
Komisioni gjetur pamundësi financiare të gjyqtarit Troka për dy banesat që zotëron, një shtëpi me dy kate në fshatin Tapi të njësisë administrative Perondi në Kuçovë dhe një apartament në Tiranë.
Troka i kundërshtoi në Kolegj konkluzionet e Komisionit si të pabazuara. Lidhur me shtëpinë dykatëshe në fshat, subjekti pretendoi se nuk qëndronte konkluzioni i KPK se nuk është arritur të provohet se punimet për këtë banesë kanë përfunduar në vitin 1994. Ai ka shpjguar se vlera e ndërtimit të shtëpisë ka qenë në shumën 1.2 milionë lekë, ndërsa shifra 3.5 milionë lekë është shënuar në deklaratën veting, pasi është llogaritur se sa do të kushtonte ajo pronë me çmimin e tregut në vitin 2016.
Subjekti ka sqaruar në ankim se, me anë të një situacioni ndërtimi të kryer nga inxhinier ndërtimi, i ka provuar Komisionit se kostoja e kësaj banese është 1.2 milionë lekë për periudhën e ndërtimit 1990-1994.
Në lidhje me konkluzionin e Komisionit se subjekti i rivlerësimit ka pasur mungesë burimesh të ligjshme për ndërtimin e shtëpisë, në shumën prej 1.5 milionë lekësh, Troka pretendon se është përfundim apriori dhe i pambështetur në prova, pasi kjo diferencë negative rezulton nga përllogaritja e vlerës së ndërtimit të shtëpisë në shumën 3.1 milionë lekë sipas versionit të KPK dhe jo 1.2 milion lekë sa ka kushtuar realisht. Në vijim, ai ka ka paraqitur analizën e tij ekonomike për periudhën 1994-2000, e cila rezulton me diferencë pozitive në shumën prej 1.801.391 lekësh.
Trupi gjykues i Kolegjit konstaton se nga hetimi administrativ, ka rezultuar se në deklarimin e parë të vitit 2003, Troka e ka deklaruar vlerën e ndërtimit të banesës në shumën 1.2 milionë lekë, ndërsa në deklaratën veting e ka shënuar 3.5 milionë lekë, ku për këtë të fundit ka pretenduar se ka dashur ta deklarojë sipas vlerës së tregut në 2016-ën.
Për periudhën e ndërtimit konstatohen sqarime kontradiktore të subjektit, pasi në deklaratën veting ka shënuar se ndërtimi ka filluar para vitit 1991 dhe ka përfunduar në 2000-in, ndërsa në papësimet e rezultateve të hetimit administrativ ka deklaruar se ndërtimi është përfunduar në vitin 1994. Evidentohet se subjekti nuk e ka mbështetur me asnjë provë këtë pretendim dhe për rrjedhojë vlerësohet deklarativ.
Për rrjedhojë, Kolegji e ka gjetur të drejtë vendimmarrjen e Komisionit për të konsideruar si periudhë të ndërtimit të banesës vitet 1990-2000, sipas deklarimit të subjektit të rivlerësimit në deklaratën veting. Po ashtu, është gjetur objektiv vlerësimi i KPK për përllogaritjen e kostos së ndërtimit të shtëpisë dykatëshe referuar kostove të ndërtimit sipas Entit Kombëtar të Banesave, ku referuar atyre çmimeve, është konkluduar se vlera e punimeve ka qenë 3.1 milionë lekë. Kjo vlerë është përfshirë dhe në analizën financiare të Komisionit, si kosto e ndërtimit të shtëpisë dykatëshe.
Në kontrollin e ushtruar analizës financiare të kryer në KPK, edhe Kolegji nuk ka përfshirë të ardhurat e pretenduara nga bujqësia, pasi kanë mbetur të paprovuara me dokumentacion ligjor. Për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 955 mijë lekë për kryerjen e punimeve për shtëpinë dhe mbulimin e shpenzimeve.
Për blerjen e një apartamenti në Tiranë kundrejt çmimit 67 mijë euro, Troka ka deklaruar si burime krijimi dy depozita, një në shumën 24 mijë e 970 euro dhe tjetrën 5700 euro; hua në vlerën 25 mijë euro marrë kunati dhe gjendje cash deri në vitin 2014 në vlerën 11 mijë e 330 euro.
Komisioni ka konkluduar se nuk janë provuar bindshëm të ardhurat që kanë shërbyer për blerjen e pasurisë.
Subjekti ka kundërshtuar duke pretenduar se huadhënësi ka pasur burime financiare të ligjshme për t’i dhënë shumën prej 25 mijë eurosh për blerjen e apartamentit. Ai ka deklaruar se llogaria bankare e kunatit është shtuar gradualisht nga viti 2000 deri në vitin 2014. Gjithashtu, ka sqaruar se i ka vënë në dispozicion Komisionit dokumentacion për të ardhurat e huadhënësit, të cilat kanë burim ndër të tjera dhe shitjen e një apartamenti në pronësi të tij në vitin 2006 në shumën 10 mijë euro, si dhe për shumat prej 3.7 milionë lekësh letra me vlerë dhe 1 milion lekë, të përfituara nga dhurime.
Gjithashtu, subjekti ka pretenduar se nuk e ka detyrim të kryejë analizën financiare të kunatit të tij, që nga viti 2000, sepse ky i fundit i ka pasur paratë në sistemin bankar dhe verifikimin e burimit të tyre e ka kryer banka në momentin e depozitimit.
Trupi gjykues i Kolegjit konstaton nga dokumentacioni i administruar në dosje, se subjekti i rivlerësimit ka marrë nëpërmjet sistemit bankar, shumën prej 25 mijë euro nga huadhënësi dhe e ka shlyer po nëpërmjet sistemit bankar shumën prej 19 mijë e 100 eurosh.
Në vijim Kolegji vëren se ka mbetur e paqartë se prej sa personash përbëhej familja e huadhënësit dhe se çfarë pune kanë bërë me saktësi ata – të dhëna që sipas trupit gjykues duhet ti qartësonte subjekti në kuadër të përmbushjes së detyrimit për të provuar mundësinë reale të tyre për dhënien e huasë në vitin 2014. Për rrjedhojë, huadhënësi ka rezultuar me pamundësi financiare në shumën 1.6 milionë lekë për krijimin e vlerës 25 mijë euro.
Për të ardhurat nga bujqësia e pemtaria, subjektit i është kërkuar që t’i provojë me dokumentacion që nga viti 1992, duke specifikuar shitjet në vlerë dhe në sasi të produkteve; kostot për ambalazhimin e produkteve; transportin dhe shpenzime të tjera për këtë aktivitet; si dhe informacion të detajuar në lidhje me këto të ardhura ku të provohej se janë paguar dhe detyrimet tatimore.
Trupi gjykues i Kolegjit konstaton se subjekti ka paraqitur në Komision një raport vlerësimi, sipas të cilit të ardhurat e krijuara për periudhën 1996 – 2016, janë afërsisht në shumën 12.9 milionë lekë. KPA vëren se kjo shumë nuk përputhet me atë që ka deklaruar vetë gjyqtari Troka në deklaratën veting, se për periudhën 1992 – 2016 ka siguruar të ardhura në shumën 7 milionë lekë. Po ashtu, nuk përputhet as me deklarimet periodike.
Kolegji konkludon se subjekti nuk arriti të provojë realizimin e të ardhurave të deklaruara gjatë viteve 2003-2016 si të përfituara nga bujqësia e pemëtaria, megjithëse është vërtetuar se ka përfituar tokë nga ligji 7501 i vitit 1991, si dhe se ka paguar rregullisht taksën e tokës e të ndërtesës.
Nga hetimi administrativ ka rezultuar se Troka është regjistruar në organet tatimore për t’u përfshirë në skemën e rimbursimit të TVSh-së për fermerin, nëpërmjet së cilës fermerët që kërkonin rimbursim të TVSh-së duhet të deklaronin shitjet e tyre. Subjekti dorëzoi faturë tatimore, lëshuar nga vetë ai, të datës 24 shkurt 2018, për shitjen e 8500 kg mandarina në shumën totale prej 510 mijë lekësh. Këto fakte janë çmuar se nuk provojnë krijimin e të ardhurave në sasinë e pretenduar nga subjekti.
Në vijim Kolegji konstaton se Troka ka mospërputhje të sasisë së të ardhurave të deklaruara si të përfituara nga bujqësia e pemtaria në deklaratën veting në shumën 7 milionë lekë, me totalin e të ardhurave të deklaruara ndër vite në masën 7.1 milionë lekë. Këto rrethana, sipas KPA, e bëjnë të pabesueshëm faktin e përfitimit të kësaj sasie të të ardhurave, ndaj për këto arsye çmohet i drejtë konkluzioni i KPK për të mos i përfshirë në analizën financiare të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga toka bujqësore. Për rrjedhojë, ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 982 mijë lekë për blerjen e apartamentit në Tiranë.
Troka ka kundërshtuar konkluzionin e Komisionit se ushtrimi i veprimtarisë së fermerit është në papajtueshmëri me funksionin e gjyqtarit, duke pretenduar se është regjistruar në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Berat dhe është pajisur me certifikatë regjistrimi. Subjekti pretendon se në analizë të nenit 143 të Kushtetutës, nuk ndalohet kjo veprimtari e fermerit, ndaj nuk mund të jetë në papajtueshmëri me këtë dispozitë kushtetuese.
Kolegji konstaton se, pavarësisht se Komisioni ka konsideruar veprimtarinë e fermerit të ushtruar nga subjekti si të papajtueshme me funksionin e gjyqtarit, në vendimmarrje nuk i ka dhënë peshë për shkarkimin e tij nga detyra. Për këtë arsye është çmuar se kjo çështje është pa lidhje për t’iu nënshtruar shqyrtimit në Kolegj.
Në përfundim, Kolegji ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Nazmi Troka.




