Seanca në KPA per Kledian llaho
KPA Lajme Veting

Kolegji shtyn seancën ndaj prokurorit Kledian Llaho

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shtyu të premten seancën dëgjimore ndaj prokurorit Kledian Llaho, pasi avokati i këtij të fundit kërkoi kohë për tu njohur me dosjen. KPA vuri në dukje gjatë vendimmarrjes së Llaho kishte marrë materialet në fund të vitit 2022 dhe se kishte pasur kohë të mjaftueshme për të caktuar mbrojtës dhe njohur me dosjen, por për të siguruar një gjykim të drejtë i dha atij dhe avokatit kohë deri në datën 11 korrik.

Trupa që po shqyrton çështjen përbëhet nga Natasha Mulaj kryesuese, relator Sokol Çomo dhe anëtarë Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Ina Rama. SPAK, që zëvendëson ën proces Komisionerin Publik, u përfaqësua nga prokurori Klodian Braho.

Llaho u konfirmua me shumicë votash në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në vitin 2022, Në shkurt 2023 çështja ndaj tij u ankimua nga Komisioneri Publik, që kërkoi shkarkimin e tij me argumentin se nuk arrin nivel të besueshëm dhe se ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia. Komisioneri ngriti shkaqe në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Ndërkohë ndaj Llahos ka dy masa disiplinore nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe një masë sigurimi nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit që e ka pezulluar atë nga ushtrimi i detyrës.

Llaho dyshohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK se ka kryer veprime me natyrë korruptive. Sipas SPAK, më datë 6 janar 2025, emri i Llahos është regjistruar si person nën hetim, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”.

Ndërkohë KLP ka dhënë ndaj tij një masë “vërejtje publike” më 31 Janar të këtij viti dhe një masë në 10 prill për ulje të  pagës me 20% për tre muaj dhe si masë plotësuese, largimin e tij nga pozicioni i kryetarit.

Llaho u procedua administrativisht për herë të dytë me kërkesë të ILD, pas 6 ankesave të një prokurore të Prokurorisë së Sarandës, për veprime e sjellje që u vlerësuan se përbëjnë shkelje disiplinore nga ana e tij. Masa e parë për Llahon u dha për zvarritje hetimesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *