Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranoi pjesërisht të premten prova të reja në çështjen ndaj prokurores Armida Hamiti. Trupa e kryesuar nga Rezarta Schuetz dhe me anëtarë Sokol Çomo, Ina Rama, Albana Shtylla dhe Mimoza Tasi pranoi pjesën më të madhe të dokumenteve shtesë për të provuar pasuritë e Hamitit, por refuzoi tre dokumente të ardhura nga Italia, pasi nuk ishin paraqitur në formën e kërkuar.
Para vendimmarrjes, Hamiti dhe avokatja e saj, Romina Zano, iu përgjigjën një sërë pyetjesh nga relatori Çomo mbi formalitetin dhe përmbajtjen e dokumenteve të dorëzuara. Në pyetje-përgjigje u vu në dukje se disa prej provave nuk ishin dorëzuar në formën e kërkuar nga ligji. Përfaqësuesi i SPAK në seancë, prokurori Altin Dumani, vuri në dukje se njëra prej provave ishte pa vulë apostile dhe kërkoi refuzimin e saj. Dumani gjithashtu kërkoi refuzimin e dokumenteve që u gjetën me probleme nga KPA. Hamiti dhe Zano nuk i kundërshtuan gjetjet.
Prokurorja e Tiranës, Armida Hamiti (Moçka), u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 21 dhjetor 2022, pasi u aplikua parimi i proporcionalitetit lidhur me gjetjet në kriterin e pasurisë, duke konkluduar se ajo kishte arritur nivel të besueshëm në këtë kriter rivlerësimi. Por ky vendim i Komisionit u ankimua nga atëherë Komisioneri Publik, në shkurt 2023. Komisioneri këmbënguli në ankim se problemet e gjetura në kriterin e pasurisë duhej të sillnin shkarkimin e prokurores.
Ndërkohë, në seancë para shqyrtimit të provave, palët parashtruan qëndrimet e tyre mbi çështjen. Dumani vuri në dukje se ata i qëndronin ankimit të bërë nga Komisioneri Publik dhe theksoi se subjekti nuk kishte sjellë prova të mjaftueshme që justifikonin pasurinë. Sipas ankimit, prokurorja Hamiti nuk arriti të provonte të kundërtën e barrës së provës.
Hamiti, në mbrojtje të saj, referoi me detaje marrëdhëniet me familjen e origjinës dhe këmbënguli në burimin e ligjshëm të të ardhurave nga bujqësia. Ajo theksoi se provat e sjella dhe ato të paraqitura më herët në KPK rrëzonin shkaqet e ankimit mbi mosprovueshmërinë e burimit të pasurisë.
Në fund të seancës, Dumani i drejtoi Hamitit një listë pyetjesh që kishin të bënin me kronologjinë e shkëputjes së saj nga familja e origjinës, kohën e investimit në një apartament në vitin 2011 dhe kohën e marrjes së detyrës. Siç doli nga seanca pyetje-përgjigje, pasuritë e diskutuara ishin vënë para fillimit të detyrës. Të dyja palët kërkuan në fund nga KPA kohë shtesë për të paraqitur qëndrimet përfundimtare. Kolegji vendosi seancën e radhës më 11 korrik.




