Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA e gjeti të drejtë shkarkimin e prokurorit të Lezhës, Bardhyl Shehu për probleme në kriterin e pasurisë. Shehu u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 10 gusht 2023, pasi u konkludua se nuk kishte shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive, si dhe se kishte ndërmarrë hapa për t’i fshehur dhe paraqitur ato në mënyrë të pasaktë.
Po ashtu, mungesa në seancat dëgjimorë dhe atë të shpalljes së vendimit, si dhe kërkesa për shtyrje duke paraqitur raporte mjekësore jo në formën e kërkuar nga ligji, u vlerësuan prej KPK se e vendosnin subjektin në kushtet e cënimit të besimit të publikut. Kjo situatë, çmohet nga Kolegji e pamjaftueshme për trë konkluduar lidhur me cënimin e besimit të publikut.
Sipas KPA, shkaqet e ngritura nga subjekti për pasurinë dhe procesin e rregullt ligjor, janë të pabazuara dhe duhet lënë në fuqi shkarkimi i tij.
Problemet e pasurisë
Për një apartament me sipërfaqe 138 m2 dhe një garazh 18.6 m2 në Tiranë, të blerë me çmim total në vlerën 181 mijë euro, Komisioni ka konstatuar se subjekti dështoi të provojë ligjshmërinë e përfitimit të kësaj shume. Në përfundim KPK ka arritur në konkluzionin se Shehu nuk mundi të provojë burimet financiare të ligjshme të përdorura prej tij për krijimin e këtyre pasurive.
Subjekti ka kundërshtuar në ankim, duke pretenduar se si burim financiar për blerjen e apartamentit dhe garazhit ka shërbyer shuma monetare prej 181 mijë eurosh, që i kanë dhënë babai dhe vëllezërit e tij, në këmbim të një objekti me sipërfaqe 16 m2 dhe sipërfaqen e tokës 180 m2 përreth, e ndodhur në periferi të Tiranës. KPA vëren se subjekti i rivlerësimit ka paraqitur të njëjtat argumente dhe në Komision, kur i janë dërguar rezultatet e hetimit administrativ.
Trupi gjykues i Kolegjit e konsideron të pabesueshëm dhe jo me logjikë ekonomike veprimin e pretenduar të subjektit lidhur me shkëmbimin e një dhome 16 m2 e ndërtuar mbi sipërfaqen 180 m2 ndodhur në periferi, me një apartament dhe garazh në një nga zonat qendrore të qytetit të Tiranës.
“Aq më tepër që sipas subjektit objekti prej 16 m2 ka qenë i ndërtuar prej babait dhe vëllezërve të tij, në tokën e blerë prej babait, më pas dhuruar subjektit, pa dokumentacion, dhe në vitin 2011 e kanë shkëmbyer këtë objekt kundrejt çmimit prej 181.000 eurosh, shumë të cilën subjekti e pretendon si burim krijimi për pasuritë objekt shqyrtimi”, konstaton Kolegji.
Po ashtu, vlerësohet i pabazuar pretendimi, se vlera që është konvertuar me sipërfaqen e tokës dhe objektin, është llogaritur duke marrë në konsideratë faktin se aty do të ndërtohej një pallat. Për të arritur në këtë konkluzion, KPA analizon dhe aktet e administruara nga KPK, nga rezulton se bashkëshortja e subjektit ka shitur një truall pranë qendrës së Tiranës me 323 euro për m2, ndërkohë që sipas shkëmbimit të bërë me vëllezërit pak muaj më vonë nga ai transaksion, subjekti gjatë shkëmbimit me vëllezërit dhe babanë, e ka përllogaritur tokën 180 m2 në periferi me 1000 euro m2.
“Duke marrë në konsideratë edhe vendndodhjen e truallit në bulevardin “{***}”, Tiranë, pra afër qendrës së Tiranës, si dhe konsideruar faktin që trualli në bulevardin “{***}”, Tiranë, kishte në kohën e shitjes, kontratë për zhvillimin e tij dhe ndërtimin e një ndërtese disakatëshe, vlera e shkëmbimit të truallit në {***}, me vlerën e likuiditetit 181.000 euro, në janar 2011, dhënë nga vëllezërit e subjektit, duket vlerë e konsiderueshme dhe jo reale në kushtet e tregut të kohës, për rrjedhojë, ky pretendim i subjektit të rivlerësimit është i pabazuar”, vlerëson Kolegji.
Po ashtu, nuk janë provuar të ardhurat e babait dhe vëllezërve, për krijimin e shumës 181 mijë euro.
Në përfundim të kësaj analize, trupi gjykues i Kolegjit e gjen të drejtë konkluzionin e Komisionit, se transaksionet e pretenduara dhe dokumentacioni ligjor i hartuar nga subjekti i rivlerësimit me vëllezërit dhe babain e tij, mbetën në nivel deklarativ dhe të paprovuara nga ana ligjore e financiare. Sipas KPA, ato janë kryer me qëllim justifikimin e mungesës së burimit të ligjshëm të krijimit të shumës së përdorur nga prokurori Shehu për blerjen e këtyre pasurive.
Sipas KPA, subjekti ka kryer deklarim të pasaktë dhe ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për blerjen e këtyre pasurive.
KPK ka konkluduar se Shehu ka mungesë të burimeve financiare për të blerë një automjet të llojit Benz për vlerën 2000 euro, si dhe se është përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë këtë pasuri dhe të justifikojë burimet e ligjshme.
Shehu ka pretenduar në ankim se pagesa për blerjen e këtij mjeti është kryer nga kunati i tij me të ardhurat nga biznesi, i cili për këtë fakt ka lëshuar edhe një deklaratë noteriale.
KPA vëren se subjekti e ka deklaruar vlerën e automjetit në shumën 2000 euro. Ndërsa shitësi, e kishte blerë katër ditë para për 4300 euro dhe për zhdoganimin ka paguar 314 mijë lekë. Sipas KPA, vlera reale e automjetit kur është blerë nga subjekti, ka qenë 838 mijë lekë.
Trupi gjykues i Kolegjit, duke marrë në konsideratë vlerën e shpenzuar prej shitësit në masën 838 mijë lekë, ashtu si dhe Komisioni, krijon dyshimin se kontrata e shitblerjes mes subjektit dhe shtetasit P.D. për çmimin 2000 euro, është bërë për të shmangur deklarimin e vlerës së plotë të automjetit. “Në kushtet kur automjeti është zhdoganuar 4 (katër) ditë përpara se t’i shitej subjektit, mundet që subjekti të ketë paguar vlerën e plotë të këtij automjeti, e cila nga hetimi rezultoi se ishte 838.489 lekë”, shprehet Kolegji dhe e gjen të drejtë qëndrimin e Komisionit, se automjeti është blerë nga prokurori Shehu në vlerën prej 838 mijë lekësh.
Po ashtu, gjendet i drejtë konkluzioni i KPK se deklarimi i vlerës së automjetit në deklaratën veting dhe dokumentacioni i hartuar, janë bërë vetëm për të justifikuar burimin e krijimit të kësaj pasurie të luajtshme.
Sipas KPA, prokurori Shehu ka dështuar dhe për të provuar mundësinë e kunatit për t’i dhuruar shumën 2000 euro për blerjen e këtij automjeti.
KPK ka gjetur probleme dhe me transaksionet e kryera nga bashkëshortja për blerjen dhe shitjen e një trualli me sipërfaqe 1058 m2 në Tiranë. Sipas Komisionit, subjekti nuk ka mundur të provojë të kundërtën e barrës së provës lidhur me të ardhurat e përfituara nga shitja e kësaj pasurie dhe mosdeklarimin e tyre në deklaratën veting.
Shehu ka pretenduar se konkluzioni i Komisionit është i gabuar dhe i pabazuar në fakte, pasi bashkëshortja e tij ka nënshkruar kontratën për blerjen e truallit në mirëbesim, si “përfaqësuese” e vëllait të saj. Ai ka shpjeguar se vëllai i bashkëshortes nuk mundej të vinte në Tiranë atë ditë, ndërkohë që palët shitëse, gjithsej 8 persona, nuk mund të ishin të disponueshëm ditë tjetër për t’u paraqitur te noteri.
Subjekti ka nënvizuar se bashkëshortja e tij nuk ka kryer asnjë pagesë nga shuma që figuron në kontratën e shitblerjes dhe se nuk ka asnjë dijeni se në ç’mënyrë i janë dhënë lekët shitësve të truallit, ndërsa ka sqaruar se kunati është biznesmen.
Po ashtu, Shehu ka shtuar se blerja e shitja janë kryer brenda një harku kohor të shkurtër dhe se kanë ndodhur tre vjet para se ai të kishte detyrimin për të deklaruar. Ai ka pretenduar, se nëse nuk ishin këto rrethana, do ishte e pamundur të mos kishte deklaruar një gjë të tillë, kur bëhet fjalë për një pronë me vlerë të konsiderueshme.
Kolegji e vlerëson të pabazuar pretendimin e Shehut se nuk ka pasur dijeni për kryerjen e veprimeve noteriale të bashkëshortes së tij, pasi ai rezulton ta ketë nënshkruar vetë kontratën e shitjes së kësaj pasurie në vitin 2010.
“…Shpjegimet e subjektit të rivlerësimit nuk duken të besueshme, në kushtet kur bashkëshortja e tij ka firmosur dhe një tjetër kontratë sipërmarrje, datë 27.10.2009, për ndërtimin mbi truallin të ndodhur në qendër të qytetit të Tiranës ({***}), nga i cili do të përfitonte 38% të sipërfaqes së ndërtimit”, konstaton KPA dhe vlerëson se këto rrethana konfirmojnë faktin se subjekti ka pasur dijeni të plotë të veprimeve ligjore dhe financiare të kryera nga bashkëshortja, si për transaksionet e shitblerjes së pasurisë ashtu dhe për vlerat monetare përkatëse.
Gjithashtu, nga kontrolli i akteve të administruara gjatë hetimit në KPK, ka rezultuar se subjekti nuk ka paraqitur ndonjë dokument që të provonte apo të kishte gjurmë për likuiditetin e çmimit të blerjes nga të tjerë dhe jo nga bashkëshortja e tij, si dhe në momentin e shitjes së pronës prej saj.
Po ashtu, në kontratën e blerjes së tetorit 2009, nuk rezulton që bashkëshortja e subjektit të ketë përfaqësuar vëllanë e saj përmes ndonjë akti noterial, apo të ishte punonjëse e shoqërisë së të vëllait.
Kolegji konstaton se, në deklarimin periodik të vitit 2008 dhe deklarimin pas largimit nga funksioni, subjekti nuk ka deklaruar gjendje monetare cash apo llogari bankare të pakësuar, për të mundësuar pagimin e shumës për blerjen e truallit, duke mos provuar se ajo dhe bashkëshortja kishin mundësi për pagesën e vlerës 45 milionë lekë për blerjen e truallit me sipërfaqe 1058 m2.
Në përfundim, KPA e gjen të drejtë konkluzionin e Komisionit, se subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur nuk kanë deklaruar në deklaratën veting të ardhurat nga shitja e këtij trualli, me qëllim për të mos ekspozuar të vërtetën dhe deformuar atë, lidhur me mungesën e burimeve financiare të ligjshme.
Kolegji ka gjetur të drejtë dhe përfundimin tjetër të KPK, se Shehu ka kryer deklarim të pasaktë lidhur me një depozitë në vlerën 3.4 milionë lekë dhe se ka mungesë të burimeve financiare për të justifikuar krijimin e saj.
Në përfundim, Kolegji ndalet në konkluzionin lidhur me cënimin e besimit të publikut tek drejtësia. Megjithëse është gjetur i drejtë konstatimi i KPK se subjekti është përpjekur të vonojë procesin e rivlerësimit të tij duke mos u paraqitur në seancën dëgjimore dhe atë të shpalljes së vendimit ndërsa ka dorëzuar raport mjekësor jo në formën e kërkuar nga ligji, KPA çmon se kjo rrethanë e vetme nuk mund të ngrihet në nivelin për të konkluduar lidhur me cenimin e besimit të publikut.
Për rrjedhojë është arritur në përfundimin se prokurori Bardhyl Shehu ka kryer deklarim të pamjaftueshëm dhe nuk është i besueshëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë e duhet lënë në fuqi shkarkimi i tij nga detyra.




