Kolegji i Posaçëm i Apelimit | Foto : LSA
Analiza KPA Vendi

KPA u nda për shkarkimin e prokurorit Arben Pasho

Ashtu si Komisioni, shumica e Kolegjit konkludoi se ish-prokurori i Gjirokastrës, me veprimet dhe mosveprimet e tij ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia – ndërsa pakica ngre dyshime mbi procesin e rregullt ligjor duke vlerësuar se subjektit nuk iu garantua e drejta për t’u mbrojtur dhe vlerëson se duhet të konfirmohet në detyrë pasi nuk u provuan shkeljet. 

Drejtuesi i Prokurorise se Gjirokastres, Arben Pasho pas seances degjimore ne KPK.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u nda në vendimmarrjen e marrë në dhomë këshillimi lidhur me ankimin e kryer nga ish-drejtuesi i Prokurorisë së Gjirokastrës, Arben Pasho kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e tij nga detyra.

Pasho u vlerësua pozitivisht për figurën nga KPK, ndërkohë që u konstauan pasaktësi në deklarime, mangësi profesionale dhe se në të paktën një rast kishte vepruar në kushtet e konfliktit të interesit, ku në vlerësimin tërësor të tyre u konkludua se kishte cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësissë dhe më 16 maj 2019 u vendos shkarkimi i tij.

Pasho e ankimoi vendimin e KPK-së duke argumentuar se ka mospërputhje të arsyetimit, pasi në kushtet kur për secilin komponent të vlerësimit nuk u vlerësua se përbën shkak për shkarkim, atëherë dhe tërësia e tyre nuk mund të pasjellë shkarkimin nga detyra.

Anëtarët në shumicë të trupit gjykues të KPA, kryesuesi Ardian Hajdari, relatorja Natasha Mulaj dhe anëtarja Rezarta Schuetz konkludojnë se Pasho e ka cënuar besimin e publikut me veprimet dhe mosveprimet e tij. Mulaj ka dalë me mendim paralel duke ngritur dyshime se një apartament që është blerë prej vjehrrës së subjektit, është financuar prej këtij të fundit, si dhe ngre probleme të tjera për pasurinë dhe profesionalizmin.

Pakica e cilëson vendimin e Komisionit të paqartë dhe me mungesë arsyetimi për shkeljet. Anëtarët në pakicë, Albana Shtylla dhe Sokol Çomo vlerësojnë se shkeljet e konstatuara  nga shumica nuk mund të merren në konsideratë për të konkluduar se subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut te drejtësia dhe çmojnë se Pasho duhet të konfirmohet në detyrë.

Vlerësimi për profesionalizmin

Nga analizimi i vendimit të KPK, si dhe shkaqeve të ankimit të ngritura nga subjekti i rivlerësimit, trupi gjykues vëren se konkluzioni mbi këtë kriter vlerësimi është mbështetur kryesisht në gjetjet e dy denoncimeve nga publiku, të shtetasit A. S. dhe L. P., si dhe mbi dosjet e procedimeve penale ndaj shtetasit I. M., të kërkuara për vlerësim lidhur me situatën e konfliktit të interesit.

Pasho ka deklaruar një detyrim afatshkurtër ndaj biznesmenit I.M., në shumën 14 mijë euro. Ai ka shpjeguar se kjo vlerë është paguar në gusht të 2016-ës nga llogaria e I.M. në llogarinë e një universiteti në Holandë në favor të djalit të tij. 

Ndaj I.M. kanë rezultuar tre kallëzime të regjistruara në Prokurorinë e Gjirokastrës, ku një është hetuar nga Pasho i cili ka disponuar me mosfillim të procesdimit dhe dy të tjerat në vitet 2014 dhe 2015 kur subjekti ishte drejtues dhe vendoste mbi vendimarrjet e kolegëve vartës, janë pushuar. 

Bazuar në deklarimet e subjektit gjatë hetimit administrativ në KPK, ku është shprehur se ka udhëtuar në Greqi dhe në Francë me shtetasin I.M., i ftuar nga ky i fundit së bashku me djalin, shumica konstaton se mes tyre ka pasur miqësi të ngushtë dhe se minimalisht duhej që Pasho të kishte dhënë dorëheqjen nga çështjet.

Pakica vlerëson se për të konkluduar nëse Pasho ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit në këto tre cështje, vlerësimi duhet bërë bazuar në dispozitat e ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, në të cilin përcaktohet rrethi i interesave pasurore dhe gjendja e konfliktit të interesit, si dhe në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale në të cilat parashikohen kushtet dhe procedurat se si një prokuror duhet ta deklarojë dhe shmangë atë.

Sipas Shtyllës dhe Çomos, nuk provohet që gjatë periudhës maj 2014 – gusht 2015, të ketë ekzistuar një marrëdhënie ndërmjet Pashos dhe z. I. M., që të mund të cilësohej si marrëdhënie miqësie apo interesi e çfarëdolloj forme tjetër. Ata shtojnë se nuk provohet që udhëtimet me I.M. të jenë kryer para vitit 2016 kur është marrë hua për pak kohë shuma 14 mijë euro.

Pakica përfundimisht vlerëson se, përderisa nuk konkludohet për një shkelje etike të subjektit të rivlerësimit Arben Pasho për shkak të konfliktit të interesit, nuk mund të konkludohet edhe për cenim të besimit të publikut te drejtësia.

Për denoncimin e shtetasit A. S., shumica evidenton shkelje të parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale lidhur me zëvendësimin e prokurorit të çështjes, pasi ky veprim nuk është formalizuar me urdhër nga Pasho në cilësinë e drejtuesit dhe se nuk ka qenë i nevojshëm. 

Pakica vëren se prokurori S.Ç. të cilit i është hequr çështja nuk ka kryer ankim, si dhe ka dhënë pëlqim verbal. 

“[…]edhe pse nuk plotëson kërkesat e kësaj dispozite në këndvështrimin formal, i ka shërbyer zgjidhjes së drejtë dhe sa më të shpejtë të çështjes, duke plotësuar në këtë mënyrë qëllimin për të cilin publiku drejtohet tek organet e drejtësisë[…]”, arsyetojnë Çomo dhe Shtylla.

Për denoncimin e shtetases L. P., trupi gjykues evidenton shkelje ligjore me mosmarrjen e masave organizative për njoftimin e vendimit të pushimit të çështjes penale brenda afatit ligjor.

Përveç sa kanë arsyetuar dy anëtarët e tjerë në shumicë, relatorja Natasha Mulaj shfaq mendim paralel lidhur me këtë denoncim. Ajo e vlerëson si mungesë serioziteti dhe efikasiteti në ushtrimin e funksionit si drejtues i prokurorisë këshillimin në mënyrë të gabuar të kallëzueses për të riinvestuar prokurorinë për të njëjtën kërkesë dhe mbi të njëjtat fakte, ndërkohë që duhet ta kishte orientuar t’i drejtohej gjykatës.

Mulaj shton se për kriterin e profesionalizmit trupi gjykues duhej të kishte analizuar edhe denoncimin e bërë nga shtetasi K. Ll.. Sipas saj, kryerja e veprimeve hetimore më tepër se një vit e gjysmë, pa marrë vendim për zgjatje afati hetimor në shkelje të procedurave, ka sjellë zvarritje të procesit hetimor dhe se kjo gjetje duhet të ishte përfshirë në arsyetimin e vendimit të shumicës për shkarkimin e Pashos.

Lidhur me vonesën e njoftimit të kallëzuesit L.P., pakica vëren se Pasho ka urdhëruar me vendimin e tij për pushimin e çështjes njohjen e të interesuarve, por sekretaria dhe kancelari nuk kanë zbatuar urdhërimet e dhëna. 

Konkluzionet për pasurinë

Ashtu si KPK, shumica konstaton se Pasho ka përdorur një automjet pa e regjistruar në organin kompetent në emrin e tij dhe se ka kryer deklarime kontradiktore lidhur me përdorimin e një shume 1 milion e 483 mijë lekë të tërhequr nga banka në gusht të vitit 2013. Kjo, pasi në vitin 2014 Pasho ka deklaruar se këtë shumë e ka përdorur për blerjen e një autoveture dhe një mjeti lundrues, ndërsa në deklaratën veting dhe gjatë hetimit administrativ në KPK ka pretenduar se është përdorur për pagimin e garancisë së jetesës për djalin.

Gjithashtu, shumica konstaton se Pasho nuk ka deklaruar pjesën takuese në një  apartament në Vlorë të privatizuar nga prindërit e tij në vitin 1993. 

Mulaj në mendimin paralel vlerëson se trupi gjykues duhej të kishte marrë në analizë dhe vlerësuar edhe një apartament banimi me sipërfaqe 123,5 m2 të porositur nga vjehrra e subjektit në 2014-ën në Tiranë. Këtë pasuri, vjehrra e Pashos ia ka dhuruar djalit të tij me anë të një testamenti të vitit 2014, ndërkohë që ajo ka ndërruar jetë në 2015-ën dhe nuk dispononte ende certifikatën e pronësisë.

Në analizën e saj, Mulaj Konkludon se prindërit e bashkëshortes së Pashos nuk kanë pasur mundësi për shlyerjen e vlerës së apartamentit dhe ngre dyshime se është një pasuri e financuar nga subjekti i rivlerësimit. 

Ndryshe nga shumica që konkludon se Pasho ka bërë deklarim të pasaktë për pasurinë dhe në mënyrë të përsëritur, pakica vlerëson se në vendimin e Komisionit nuk specifikohet se në cilat nga deklarime të subjektit ka pasaktësi në deklaratën veting. 

Pakica konstaton se Komisioni në asnjë rast nuk ka konkluduar që subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e mungesës së burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive dhe për kryerjen e shpenzimeve.

Në vlerësimin e pakicës Pasho ka qenë tërësisht i paqartë lidhur me rastet apo shkeljet e konstatuara gjatë kontrollit të kriterit të pasurisë nga Komisioni, për të cilat është konkluduar për cenim të besimit të publikut te drejtësia. 

“[…]për rrjedhojë ai ka qenë në pamundësi për t’u mbrojtur dhe kundërshtuar Komisionin për këtë vlerësim nëpërmjet ankimit në Kolegj”, vlerëson pakica dhe vëren se gjykimi në KPA i vënë në lëvizje nga ankimi i subjektit ka shtuar shkelje të reja.

Pakica vë në dyshim ofrimin e një procesi të rregullt ligjor për Pashon edhe në Kolegj. “[…]përcaktimi nga Kolegji i rasteve/shkeljeve që konsiderohen në vlerësimin tërësor të çështjes, pa i dhënë të drejtën subjektit të rivlerësimit Arben Pasho për t’u mbrojtur lidhur me to, rëndon pozitën e subjektit të rivlerësimit në gjykim[…]”, citohet në mendimin e pakicës që konkludon se shkeljet e cituara nga shumica në vendim nuk mund të merren në konsideratë në vlerësimin tërësor të çështjes për të konkluduar se subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut te drejtësia. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *