Analiza

Denoncimet i hapin telashe gjyqtarit Fuat Vjerdha

Kreu i Gjykatës së Apelit të Shkodrës, Fuat Vjerdha u përball në seancën dëgjimore në KPK-së me disa denoncime, ndërsa nga relatimi nuk u vunë në dukje probleme në kriteret e pasurisë dhe figurës.

Kryetari i Gjykatës së Apelit Shkodër. Fuat Vjerdha | Foto nga : LSA

Denoncimet mbi uljen e dënimit të një çifti të akuzuar për mashtrim në shuma të mëdha dhe pafajësia për dy zyrtarë të akuzuar për shpërdorim detyre, u dukën si problemet kryesorë me të cilat u përball gjatë seancës dëgjimore Fuat Vjerdha, kryetar i Gjykatës së Apelit në Shkodër.

Vjerdha, sipas relatimit të çështjes ndaj tij në seancë dëgjimore të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, nuk kishte probleme të mëdha sa i pëket kriterit të pasurisë dhe u gjet pa probleme në kriterin e figurës, ndërkohë ai u përball me kritika për profesionalizimin.

Seanca dëgjimore ndaj Vjerdhës u kryesua nga Olsi Komici, anëtare Pamela Qirko dhe relator Lulzim Hamitaj. Ky i fundit dhe gjyqtari “debatuan” në fund të seancës pasi Komisioneri kërkoi shpjegime shtesë mbi pasurinë dhe vendimarrjen e Vjerdhës në rastin e denoncuar.

Fuat Vjerdha e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1994. Për më shumë se një dekadë, ai ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës, ndërsa në prill të vitit 2005 është emëruar anëtar i Gjykatës së Apelit Shkodër.

Paralelisht me punën si gjyqtar, Vjerdha ka ushtruar për pak vite aktivitetin e mësimdhënies si dhe ka qenë pjesë e trupës së arbitrimit në Federatën Shqiptare të Basketbollit. Ai drejton Gjykatën e Apelit të Shkodrës prej vitit 2014.

Pasuria dhe pastërtia e figurës

Relatori Lulzim Hamitaj vuri në dukje gjatë relacionit se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe konfliktit të Interesit nuk kishte gjetur probleme në pasurinë e gjyqtarit Fuat Vjerdha. Hamitaj po ashtu nënvizoi se pjesa më e madhe e pasurisë së subjektit kishte rezultuar e justifikuar dhe pa probleme edhe pas hetimeve të komisionit, sidoqoftë ai shtoi se gjyqtarit i ishte kaluar barra e provës mbi disa çështje.

Relatori tha se ndërsa pasuria kryesore e gjyqtarit ishte e lidhur me trashgiminë nga e ëma në të cilën ishte ndërtuar një kompleks pallatesh, ishte e paqartë se sa sipërfaqe kishte përfituar apo do të përfitonte Vjerdha prej procesit i cili ende nuk ishte përmbyllur.

Hamitaj iu referua një kontrate shkëmbimi të vitit 2013 dhe vuri në dukje se sipërfaqet e përfituara aty dhe sipërfaqja që kishte deklaruar gjyqtari nuk përkonin. Hamitaj përmendi sipërfaqen e garazhit dhe atë të një njësie tregtare që sipas tij posedoheshin nga gjytari, por nuk dilnin në kontratën e shkëmbimit mes tij dhe kompanisë.

Vjerdha shpjegoi se arsyet e paqartësive kishin të bënin me faktin se kompania ndërtuese ende nuk kishte përmbyllur kontatratën me pronarët e truallit mes të cilëve edhe nëna e tij e ndjerë. Duke iu përgjiur pyetjeve të Hamitajt ai shpjegoi se ende nuk dinte se sa ishte sipërfaqja që ata përfitonin dhe se kjo pritej të llogaritej pasi pallatet e ndërtuara do të koalidoheshin.

Vjerdha tha se ai do të përfitonte 20 për qind të ndërtimit në truallin që kishte trashëguar e ëma, por vuri në dukje se pa pasur një llogaritje të plotë ai ende nuk ishte në gjendje të thoshte sa do të ishte sipërfaqja.

I pyetur nëse kjo paqartësi dhe pritshmëritë për të fituar sipërfaqe shtesën vinin pasi kompania kishte shkelur lejen e ndërtimit Vjerdha ishte kontradiktor. Ai pranoi se kishte dyshime që kompania mund të kishte shfrytëzuar truall më shumë se përsa kishte marrë leje shfrytëzimi, por tha se nuk mund të thoshte “që ajo kishte kryer shkelje”, pasi kjo ende ishte e paqartë.

Barrë prove gjyqtarit iu kalua edhe për një shumë rreth 400 mijë lekë që sipas relatorit rezultonte e pajustifikuar prej analizës financiare. Vjerdha tha se kjo shumë ishte një problem i deklarimeve të tij në vite. Ai sqaroi se bashkë me kursimet kishte deklaruar edhe gjendjen në llogari bankare në fund të çdo viti pa e ndarë si zë më vete dhe pretendoi se nëse kjo shihej prej Komisionit situata e tij finaciare do të rezultonte e qartë.

Në kriterin e pastërtisë së figurës nuk u vunë në dukje probleme. KPK bëri me dije se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) kishte sjellë një raport sipas të cilit Vjerdha ishte i përshtatshëm.

Pas disa denoncimeve KPK i kishte kërkuar DSIK-së ta rishihte raportin, por sipas relatorit përfundimi që i njëjtë dhe Vjerdha u gjet pa kontakte problematike.

Denoncimet dhe profesionalizmi

Relatori Lulzim Hamitaj vuri në dukje se vlerësimi profesional i Vjerdhës përmbante një sërë kritikash, kryesisht sa i përket kohëzgjatjes së çështjeve. Megjithatë Inspektoriati pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë kishte sjellë përgjigje pozitive sa i përket profesionalizmit.

Hamitaj nga ana tjetër theksoi se në këtë pikë të shqyrtimit ndaj Vjerdhës kishte pasur 14 denoncime. Një pjesë e mirë e këtyre denoncimeve ishin rrëzuar nga KPK si të pabaza, por Vjerdhës i kishte kaluar barra e provës për tre prej tyre.

Një prej denoncimeve, sipas relatorit, kishte të bënte me uljen e dënimit për një grua të dënuar për “mashtrim” dhe pafajësinë e bashkëshortit të saj. Dy bashkëshortët ishin shpallur fajtorë dhe dënuar në Gjykatën e Shkallës së Parë Lezhë. Përkatësisht bashkëshortja N.M ishte dënuar me 8 vjet burg, ndërsa bashkëshorti F.M me 6 vjet e 8 muaj.

Vendimi ishte ankuar në Gjykatën e Apelit në Shkodër dhe një trupë gjykuese në të cilën ishte pjesë edhe gjykatësi, kishte vendosur t’i jepte pafajësi bashkëshortit F.M dhe të zbuste në 4 vjet dënimin për N.M e cila meqë kishte kryer më shumë se gjysmën e kohës në burg u la e lirë me kusht.

Denoncuesi akuzonte Vjerdhën dhe një prej gjyqtarëve të trupës se kishin marrë para për të dhënë këtë vendim. Ndërkohë Hamitaj vuri në dukje se nga dosja rezultuan disa probleme. Sipas relatorit Vjerdha dhe kolegët e tij nuk kishin identifikuar faktin që prokuroria nuk kishte ngritur akuzë të plotë dhe se nuk kishte paraqitur të gjitha provat.

Hamitaj pretendoi se gjykata në këtë rast duhej ta kishte kthyer çështjen për hetime dhe të kishte kërkuar ndryshim të akuzës për të shtuar veprën penale të falsifikimit që ishte e qartë se kishte ndodhur.

Vjerdha i kundërshtoi pretendimet e relatorit. Ai tha se bazuar në Kodin e Procedurës Penale Gjykata e Apelit nuk shqyrtonte më në tërësi dosjen, por vetëm ankesën. Vjerdha tha se në mungesë të të një dispozite kalimtare Gjykata e Apelit në Shkodër kishte vendosur që rastet që vinin nga shkallët më të ulëta të cilat ishin gjykuar bazuar mbi kodin e vjetër, të shqyrtoheshin bazuar në kodin e ri.

Ai tha se për këtë arsye gjykata që në fillim kishte thirrur të ishte i pranishëm si palë edhe A.B që ishte viktima e mashtrimit dhe denoncuesi. Më tej Vjerdha shpjegoi se pafajësia e bashkëshortit rezultonte e qartë në bazë të provave që ata kishin, ndërsa shpjegoi se për N.M ishte parë një dënim racional, i cili përputhej me dënimet për këtë vepër.

Në një debat me relatorin në lidhje me arsyet sepse kishte dhënë dënim minimal, Vjerdha tha se trupi gjykues e kishte debatuar çështjen dhe se pavarësisht masës së mashtrimit u pa e arsyeshme që gruaja e cila ishte 50 vjeçe dhe kishte 4 fëmijë të mos dënohej më shumë.

“Kjo është diçka subjektive”, tha Vjerdha duke iu përgjigjur këmbënguljes së Hamitajt se dënimi i ulët ishte dhënë pa marrë parasysh faktin që e dënuara nuk kishte shfaqur pendesë dhe nuk kishte bërë përpjekje për të rikthyer dëmin.

Ai tha se nga historiku në gjyqësori shqiptar dënime më të rënda për të njëjtën vepër nuk kishte pasur as për krerët e piramidave finaciare.

“As Sudja nuk ka bërë aq shumë burg”, tha Vjerdha duke thënë se gruaja kishte vuajtur 27 muaj burgim dhe se lirimi i saj do ndihmonte në kthimin e detyrimit. Hamitaj vuri në dukje se megjithatë vendimi i i marrë ndaj të akuzuarës nuk kishte sjellë kthim vullnetar të dëmit dhe as ndonjë pendesë prej saj, duke vënë në dyshim arsyetimin për ulje dënimi.

Gjyqtari po ashtu i vuri në dukje KPK-së elementë të gënjeshtërt sipas tij në denoncim. Ai tha se denoncuesi në një letër dërguar atij kishte pretenduar se vendimi ishte shitur për “1 mijë euro”, ndërsa në denoncim i thoshte KPK-së se gjyqtarët kishin marrë “nga 50 mijë euro”.

Ndërkohë sa i përket një denoncimi të dytë për një vendimarrje të Apelit të Shkodrës që ishte prishur nga Gjykata e Lartë, Vjerdha pranoi se mund të kishte gabuar. Sipas relatimit tre zyrtarë lokalë të akuzuar për shpërdorim detyre ishin dënuar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër, por në Apel ndaj dy prej tyre ishte pushuar gjykimi, ndërsa për të tretin ishte lënë në fuqi vendimi.

Gjykata e Lartë kishte prishur vendimin e Apelit duke e cilësuar arsyetimit të pabazuar në fakte dhe me arsyetim të gabuar e me mangësi. Gjyqtari Vjerdha pranoi se në këtë rast mund të kishte gabuar ashtu siç kishte sanksionuar Gjykata e Lartë. “Nuk dua të zgjatem shumë në këtë rast, mund të kem gabuar. Nisur edhe nga vendimi i Gjykatës së Lartë është një gabim i imi”, tha Vjerdha.

Ai tha se arsyetimi i tij dhe një prej kolegëve në treshen që kishte gjykuar rastin, ishte bazuar në faktin se edhe pse kishte shpërdorim detyre vendimmarrja e dy zyrtarëve nuk kishte sjellë pasoja.

Në fund Vjerdha kërkoi të konfirmohej. Në një fjalë disa minuteshe ai i përshkroi KPK-së karrierën e tij dhe vështirësitë. Ai tha se i ishte mohuar arsimi i lartë për shkak të biografisë gjatë diktaturës, por tha se edhe pse kishte punuar hamall dhe në punë të tjera ai gjithmonë kishte lexuar.

Vjerdha tha se kishte rifilluar shkollimin pas viteve 90’ dhe ishte ëndra e tij të bëhej magjistrat. Vendimi për gjyqtarin jepet në datë 8 në orën 9.30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *