Gjyqtari i pezulluar  i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci | Foto : LSA
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

Gjykata e Lartë refuzon rekursin e Luan Dacit

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi të mos e pranojë rekursin e anëtarit të KPA-së, Luan Daci kundër vendimit të formës së prerë për dënimin e tij për falsifikim, duke i hapur rrugë shkarkimit të tij të bllokuar nga një vendim i kolegut Ardian Hajdari.

Gjyqtari i pezulluar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci | Foto : LSA

Gjykata e Lartë vendosi të martën më 26 tetor të mos pranojë rekursin e anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për dërnimin e tij me 1 vit burg me kusht për falsifikim të dokumenteve, që i mundësuan të ishte pjesë e institucionit më të lartë të vetingut. Vendimi u mor në dhomë këshillimi nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me relator Klodian Kurushin dhe anëtarë Asim Vokshin dhe Ilir Pandën.

Shtatë muaj e gjysmë pas dënimit të formës së prerë për ‘falsifikim dokumentesh’, gjyqtari Luan Daci vazhdon të jetë ende pjesë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, megjithëse i pezulluar nga detyra. Një proces për shkarkimin e tij i inicuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, u pre në mes më 8 korrik nga anëtari i KPA-së, Ardian Hajdari, i cili vendosi në cilësinë e gjyqtarit hetues që ta pezullojë procesin deri në një vendim të Gjykatës së Lartë. Hajdari e mori këtë vendim ndërkohë që është kallëzuar penalisht në SPAK për të njëjtën vepër penale si Daci.

KPA nuk iu pëgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi pyetjes që BIRN i drejtoi lidhur me procedurën që do të ndiqet për Dacin pas vendimit të Gjykatës së Lartë për mospranimin e rekursit të ushtruar prej tij.

Luan Daci u hetua nga SPAK pas denoncimit të kryer nga ish-prokurori dhe ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani për falsifikim të dokumenteve. Një kallëzim i dytë për të njëjtën vepër penale u dorëzua ndaj tij nga ish-prokurorja e Prokurorisë së Tiranës Antoneta Sevdari; ish-prokurori i Korçës, Elsion Sadiku; si dhe ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Ervin Metalla.

Prej korrikut 2020, ai është pezulluar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *