KPK gjatë shpalljes së një vendimi. | Foto : Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Vendi

Gjyqtari Elidon Papazisi u dorëhoq pasi u njoh me rezultatet e vetingut

Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, Elidon Papazisi hoqi dorë nga detyra pasi KPK e njohu me rezultatet e hetimit administrativ 2-vjeçar në të tre kriteret e rivlerësimit. 

Seancë e hapur në KPK | Foto : Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 7 dhjetor të ndërpresë procesin e rivlerësimit për gjyqtarin e Gjykatës Admninistrative të Shkallës së Parë Gjirokastër, Elidon Papazisi për shkak të dorëheqjes së tij, si dhe t’i ndalojë rikthimin në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Sipas vendimit të arsyetuar të KPK, Papazizi e ka dhënë dorëheqjen pasi trupi gjykues i përbërë nga Suela Zhegu, Genta Tafa Bungo dhe Olsi Komici e kanë njohur me rezultatet e hetimit administrativ 2-vjeçar në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Në vendim sqarohet se më 3 dhjetor 2019 gjyqtarit Papazisi i është njoftuar fillimi i procesit të vetingut ndaj tij, ndërsa më 19 tetor 2021 është vendosur mbyllja e hetimit kryesisht ndaj këtij subjekti rivlerësimi për të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, kontrollit të figurës dhe aftësitë profesionale.

Papazisi ka konfirmuar marrjen në dijeni të përfundimit të hetimit administrativ dhe i ka kërkuar Komisionit dy ditë shtesë për të konsultuar gjetjet e vetingut me avokatin e tij. KPK ka pranuar kërkesën për afatin shtesë të kërkuar dhe i ka njoftuar Papazisit se seanca dëgjimore do të zhvillohej më 10 nëntor, ora 14:00. Por, një javë para se të zhvillohej seanca dëgjimore publike, subjekti ka kërkuar ndëprerjen e procesit të rivlerësimit ndaj tij për shkak se ka kërkuar dorëheqjen nga statusi i magjistratit në Këshillin e Lartë Gjyqësor, KLGj që e kishte pranuar kërkesën e tij më datë 3 nëntor.

Pasi ka administruar vendimin e KLGJ-së për përfundimin e statusit të magjistratit të Papazisit për shkak të dorëheqjes së tij, si dhe faktin se subjekti nuk ka paraqitur ankim, KPK e ka thirrur atë në seancë dëgjimore për t’u dëgjuar.

Gjyqtari ELidon Papazisi ka njoftuar se heq dorë nga e drejta për t’u dëgjuar dhe Komisioni ka vendosur të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar ndaj këtij subjekti rivlerësimi. Gjithashtu, është vendosur ndalimi i tij si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15-vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *