

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të martën vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurorit të Prokurorisë së Tiranës, Gjon Kodra. Konfirmimi i Kodrës u vendos në mënyrë inanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Xhensila Pinen.
Gjatë seancës dëgjimore të premten më 17 dhjetor, prokurori Kodra u pyet dhe dha shpjegime lidhur me kursimet e bashkëshortes para lidhjes së martesës; për hetimin e një çështje me kallëzues administratorin e shoqërisë ndërtuese ku kishte blerë apartamentin; si dhe për një bisedë telefonike me vëllain e një deputeti, të përfshirë në krimin e organizuar.
Kodra deklaroi se mundësia e bashkëshortes për kursimet ishte pranuar dhe nga KPK, ndërsa lidhur me mospasqyrimi e tyre në periudhën 2003-2005, fajësoi paqartësinë e formularëve të deklarimit.
Për dyshimet e ngritua për konflikt interesi, Kodra theksoi se ai e kishte pushuar kallëzimin e kryer nga administratori pallatit ku kishte porositur banesën.
Prokurori Kodra këmbënguli se njohja me personin e përfshirë në krimin e organizuar kishte qenë rastësore dhe se ai nuk e kishte ditur që kishte qenë i proceduar. Ai theksoi se telefonata ishte kryer nga personi tjetër dhe se nuk kishte pasur më asnjë komunikim në vijim.
Kodra e ka filluar karrierën si prokuror në vitin 1995 dhe prej rreth dy dekadash ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në seancën dëgjimore ai u ndihmua në mbrojtjen e tij dhe nga avokati Plator Bilibashi.