Seanca dëgjimore në KPK për gjyqtaren Klorinda Çela. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Vendi

Ermira Tafani u dorëhoq nga detyra pasi mësoi se vetingu ndaj saj ishte mbyllur vetëm për pasurinë

Prokurorja e Elbasanit, Ermira Tafani ka kërkuar dorëheqjen nga detyra pasi është njohur me vendimin e Komisionit për mbylljen e hetimit 2-vjeçar vetëm për kriterin e pasurisë.

KPK duke shpallur një vendim | Foto : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka vendosur më 7 dhjetor të ndëpresë procesin e rivlerësimit për prokuroren e Elbasanit, Ermira Tafani për shkak të dorëheqjes së saj, si dhe i ndaloi rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.

Procesi i rivlerësimit për prokuroren Tafani ka filluar në nëntor të vitit 2019. Dy vite më vonë, më 11 tetor, trupa e KPK e përbërë nga komisionerët Suela Zhegu, Genta Tafa Bungo dhe Olsi Komici ka vendosur të mbyllë hetimin kryesisht për këtë subjekt rivlerësimi vetëm për kriterin e pasurisë.

Pak ditë pasi prokurorja Tafani është njohur me vendimin e KPK për mbylljen e hetimit paraprak vetëm për një kriter, ka njoftuar se kishte depozituar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dorëheqjen nga detyra me shkrim dhe kërkesën për mbarimin e statusit të magjistratit. Ajo ka kërkuar pezullimin e procedurave të mëtejshme të vetingut që po kryhej ndaj saj dhe ka dërguar në KPK bashkëlidhur një kopje të kërkesës për dorëheqje.

Ligji për vetingun përcakton se për konfirmimin në detyrë të magjistratëve është e nevojshme që ata të marrin vlerësim pozitiv në të tre kriteret e rivlerësimit, për pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Më 16 nëntor KLP ka vendosur të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për prokuroren Ermira Tafani për shkak të dorëheqjes së saj, vendim që sipas KPK nuk është ankimuar deri më datë 2 dhjetor.

Komisioni e ka ftuar Tafanin për t’u dëgjuar në seancë publike, fokusi së cilës do të ishte përfundimi i procesit të rivlerësimit dhe jo gjetjet e hetimit administrativ, por ajo është shprehur se nuk dëshiron të marrë pjesë dhe ka sjellë në vëmendje faktin se ka hequr dorë nga detyra e prokurorit me vullnetin e saj.

Në përfundim, KPK ka vendosur të ndëpresë procesin e rivlerësimit për Ermira Tafanin dhe të ndalojë emërimin e saj si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë e Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *