Rivlerësimi i Selami Zalli | Foto : Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Vendi

Ish-ndihmësi ligjor i Gjykatës së Lartë, Selami Zalli kërkon pushimin e vetingut ndaj tij

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstaton se megjithëse ish-ndihmësi ligjor Selami Zalli e ka dorëzuar kërkesën për lirim nga detyra brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e ligjit të vetingut, nuk e ka kryer sipas ligjit dhe e konsideron subjekt rivlerësimi në kushtet e dorëheqjes sipas Aneksit të Kushtetuës, ku përcaktohet dhe ndalimi i rikthimit në sistemin e drejtësisë për 15 vite. 

Rivlerësimi i Selami Zalli | Foto : Edmond Hoxhaj

Ish-ndihmësi ligjor i Gjykatës së Lartë, Selami Zalli nuk u paraqit të mërkurën në seancën dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK. Kryesuesja e trupës së KPK, Suela Zhegu sqaroi se subjekti i rivlerësimit ka konfirmuar marrjen e njoftimit dhe ka kërkuar që seanca dëgjimore të zhvillohet pa praninë e tij.

Në vijim, relatori Olsi Komici sqaroi se Selami Zalli ka punuar si ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Lartë për periudhën 2009-2017. Në mars të vitit 2017, Zalli është liruar nga detyra me kërkesë të paraqitur prej tij. Por, në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka rezultuar se ka qenë në detyrë dhe ka gëzuar statusin magjistratit.

Komici theksoi se gëzimi i statusit të magjistratit nga ky subjekt përforcohet dhe nga fakti se Zalli ka plotësuar dhe dorëzuar deklaratat për të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Në seancë u relatua se hetimi administrativ për këtë subjekt ka filluar në muajin korrik, por në shtator Zalli ka kërkuar pushimin e vetingut ndaj tij duke argumentuar se nuk ka më objekt. Ai ka pretenduar se nuk është kushtet e heqjes dorë nga detyra sipas Aneksit të Kushtetutës, si dhe nuk e gëzon më statusin e magjistratit pasi pozicioni i ndihmësit ligjor nuk ekziston më.

Sipas Komicit, megjithëse lirimi nga detyra është kryer brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, gjë që shmangte vetingun e këtyre subjekteve, Zalli nuk e ka kryer kërkesën për lirim sipas ligjit, pasi nuk ia ka drejtuar Presidentit të Republikës dhe për rrjedhojë vijon të jetë subjekt rivlerësimi.

Komisioni ka konstatuar se Zalli vijon të gjendet në kushtet e parashikuara në nenin G të Anksit të Kushtetutës, ku në rastet e dorëheqjes nga detyra përcaktohet të vendoset dhe penaliteti për ndalimin e subjektit të rivlerësimit të emërohet në pozicione që kërkojnë statusin e magjistratit gjatë 15 viteve të ardhshme. Sipas Komicit, Zallit i është kaluar barra e provës për këtë konstatim dhe shtoi se shpjegimet e tij do të vlerësohen gjatë vendimmarrjes përfundimtare.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 23 dhjetor, ora 13:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *