Gjyqtari Ramazan Aliu (djathas) pas seancës së dytë dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtari Ramazan Avdiu kundërshton barrën e provës për pasurinë

Për pesë orë me radhë, gjyqtari i Elbasanit, Ramazan Avdiu shpjegoi versionin e tij për shpenzimet në vite, burimin e krijimit të pasurive që zotëron si dhe për mundësitë financiare për dhënien e disa huave me interes dhe kthimin e tyre.

Gjyqtari Ramazan Avdiu (djathas) pas seancës së dytë dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtari i Gjykatës së Elbasanit, Ramazan Avdiu dha shpjegime për gati pesë orë të premten lidhur me barrën e provës së kaluar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vetëm për kriterin e pasurisë. Në seancën e parë, KPK gjeti probleme për katër huadhënie me interes nga ana e Avdiut si dhe mungesë burimesh financiare për krijimin e pasurisë.

Me kërkesë të subjektit, trupi gjykues korrigjoi një gabim material në analizën financiare. Megjithatë, relatorja Sanxhaktari tha se balanca negative e analizës së përgjithshme mbetej e përafërt.

Dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues që po kryen rivlerësimin e gjyqtarit Avdiu janë Xhensila Pine dhe Olsi Komici, ky i fundit në cilësinë e kryesuesit. Nga vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Marie Tuma.

Gjatë seancës dëgjimore, Avdiu e konsideroi të pavërtetë raportin e KPK-së dhe kërkoi të jepte sqarime të hollësishme –pasi siç tha, qytetarët duhet të mësojnë se cili është. Kryesuesi i trupës, Olsi Komici i tërhoqi shpesh vëmendjen subjektit që të jetë konciz.

Gjyqtari Avdiu pretendoi se konsiderimi i gjendjes cash në shumën 350 mijë lekë kishte sjellë ndryshime jo vetëm në vitin 2003, por efektet pozitive shtrihen në giithë analizën financiare. Ai theksoi se për shkak të mosreflektimit të efekteve që kishte sjellë në vitet e mëvonshme përfshirja e kësaj shume, e kishte të vështirë të kuptonte qëndrimin e Komisionit.

Ai e quajti hetimin administrativ të KPK të përciptë dhe të nxituar. Fillimisht u ndal në përllogaritjen e shpenzimeve të Komisionit për periudhën 1994-2002. Avdiu këmbënguli se ishte e padrejtë që shpenzimet janë konsideruar në vlerën 66% të të ardhurave.

Gjyqtari Avdiu argumentoi se shpenzimet e përllogaritura nga KPK gjatë periudhës që ai kishte nisur punën si gjyqtar tejkalonin të ardhurat e punonjësve të administrates ose ishin të përafërta me pagat e drejtuesve të nivelit të lartë. Gjithashtu, theksoi se ai ishte mësuar që në vogëli të bënte një jetë modeste, ashtu si dhe prindërit dhe familjarët e tij.

Subjekti pohoi se për periudhën 1989-2009 kishte blerë vetëm një apartament në qytetin e Gramshit dhe se nuk kishte kryer shpenzime për riparime. Për të provuar këtë pretendim, ai tha se kishte dorëzuar videoregjistrime të kryera në vitet 1996-1999 gjatë festave familjare, ku shfaqej gjendja e apartamentit.

Duke iu referuar raporteve të INSTAT, ai deklaroi se kostoja e jetesës në qytetin e Gramshit ishte më e vogël se në qytetin e Elbasanit dhe se para vitit 2002, niveli i shpenzimeve nuk mund të përllogaritej më shumë se 38% e të ardhurave. Avdiu i kërkoi Komisionit që të krynte rianalizimin e pasurisë për këtë periudhë dhe pohoi se duhej që pas korrigjimit të gabimit material të ishin reflektuar edhe efektet në vitet e mëvonshme.

Në vijim ai e quajti të padrejtë përjashtimin nga analiza financiare të kursimit në shumën 3 mijë e 641 USD në vitin 2007, vlerë për të cilën tha se rridhte nga mbyllja e një depozite në vitin 2005 që kishte pasur si burim gjendjen cash 350 mijë lekë në vitin 2003.

“Pas korrigjimit të gabimit rezulton se kam pasur mundësi ta krijoj këtë shumë,” theksoi Avdiu dhe kërkoi që shuma 3 641 dollarë të njihej si gjendje cash në fund të vitit 2007.

Avdiu e kundërshtoi konstatimin e KPK për mungesën e burimeve të ligjshme për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 58.2 m2 në vitin 1996 në Gramsh kundrejt çmimit 420 mijë lekë. Lidhur me burimin e deklaruar si të përfituar nga shitja e një zetori, Avdiu sqaroi se mjetin nuk e kishte blerë për veten e tij, por për familjarët që jetonin dhe punonin në fshat.

Për ndërtimin e një shtese të paligjshme në vitin 2012 në apartamentin e blerë në vitin 1996, Avdiu u shpreh se kishte qenë kundër kësaj nisme, por pasi fqinjët kishin nisur ndërtimet ishte detyruar të përfshihej edhe ai. “Kur nisën punimet unë kisha blerë një apartament tjetër dhe nuk kisha nevojë,” sqaroi subjekti.

Ai pretendoi se deri në vitin 2002 kishte pasur të ardhura të ligjshme për blerjen e apartamentit, dhënien e huasë në shumën 1.4 milionë lekë shtetasit H.B. dhe shpenzimet e jetesës.

“Dal me bilanc pozitiv 180 mijë lekë,” këmbënguli ai dhe kërkoi të pranoheshin burime të krijimit të këtyre pasurive të gjitha shumat e deklaruara.

Avdiu pretendoi se kishte pasur burime të ligjshme edhe për blerjen e një apartamenti tjetër me sipërfaqe 88.7 m2 për çmimin 3 milionë në vitin 2010. Ai kundërshtoi konstatimin e vlerës mesatare të tregur në shumën 3.4 milionë lekë për këtë pasuri dhe solli në vëmendje se gjendej në një pallat të ndërtuar në vitin 1968, për të cilin shkalla e amortizimit shkonte në masën 42%. “Është i padrejtë përcaktimi i çmimit të referencës”, tha subjekti.

Sipas Avdiut, korrigjimi i kursimeve mbulonte me të ardhura të ligjshme edhe dhënien e një huaje në shumën 2.1 milionë lekë shtetasit P.B.. Sipas subjektit, ndryshe nga sa ka konsatuar Komisioni, huamarrësi ka pasur burime për kthimin e vlerës, pasi ka zotëruar një aktivitet privat.

“Unë e kam njohur kthimin e shumës, ju nuk e pranoni. Nëse ju nuk i pranoni, atëherë nuk i ka kthyer dhe kjo do të çonte në konstatimin se kam bërë deklarim të rremë. Ju nuk e konsideroni se sipas jush nuk ka pasur burime të ligjshme. Unë nuk mund të kontrolloja ligjshmërinë e burimeve të huamarrësit,” tha Avdiu dhe theksoi se kishte dorëzuar shpjegime dhe prova që vërtetonin se P.B. kishte pasur burime të ligjshme të mjaftueshme për kthimin e huasë.

Për mospagimin e detyrimeve tatimore, ai pretendoi se kishte marrë vetëm principalin dhe nuk i ishin dhënë ende interesat.  Avdiu këmbënguli se edhe një huamarrës tjetër, A.D., kishte pasur mundësi financiare për kthimin e shumës që i kishte dhënë.

Ai deklaroi disa herë gjatë seancës se interesat kishin qenë të njëjta me ato të bankave ose më të ulëta dhe se nuk kishte arsye për ngritje dyshimesh për fshehje të të ardhurave, apo për cënim të besimit të publikut tek drejtësia. “Dyshime do të kishte nëse interesi do të kishte qenë i lartë,” vërejti Avdiu.

Në përfundim, Avdiu kërkoi që analiza financiare për periudhën 1994-2002 të ribëhej sipas situatës faktike të pretenduar prej tij dhe që në analizën e periudhës 2003-2016 të përfshiheshin efektet e krijuara nga korrigjimi i gjendjes cash të vitit 2003, si dhe shumat e kthyera nga huamarrësit.

Në fund të seancës dëgjimore, relatorja Sanxhaktari evidentoi se, për shkak të mos shlyerjes së huasë së dhënë në vitin 2002, subjekti kishte përfituar edhe dëmshpërblim. Sipas saj, kjo shumë është përdorur për dhënien e tre huave të tjera.

Gjithashtu, ajo evidentoi se subjekti, vetëm me pagat e tij e të bashkëshortes, kishte arritur të blinte një apartament në vitin 1996 në Gramsh që së bashku me shtesën e vitit 2012 kanë sipërfaqe totale 128 m2; një apartament tjetër në këtë qytet me sipërfaqe 88 m2 dhe një apartament me sipërfaqe 70.6 m2 në Tiranë vitin 2017.

I pyetur nga Sanxhaktari se përse nuk i kishte depozituar kursimet në bankë, por i kishte dhënë hua në mënyrë informale duke i deklaruar ato vetëm në momentin të kthimit të shumave, Avdiu pretendoi se huamarrësit ia kishin kërkuar vetë dhe kishte menduar t’i ndihmonte.

Në fund të seancës dëgjimore, ai kërkoi riçeljen e hetimit administrativ për pasurinë; ribërjen e rezultatit të hetimit duke u vlerësuar të gjitha kërkesat e paraqitura gjatë këtij procesi; si dhe riçeljen e hetimit për figurën dhe profesionalizmin.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 6 maj, ora 09:15.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *