Në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit thuhet se gjyqtari Kostika Çobanaqi paraqiti dorëhehqjen nga detyra në Këshillin e Lartë Gjyqësor pasi u njoh me rezultatet e hetimit administrativ një vjeçar të kryer në kuadër të procesit të vetingut.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 14 janar 2021 të ndërpresë procesin e rivlerësimit dhe t’i ndalojë emërimin në të ardhmen në sistemin e drejtësisë gjyqtarit të Beratit Kostika Çobanaqi, pas dorëheqjes së saj nga detyra.
Në vendimin e KPK thuhet se Kostika Çobanaqi u dorëhoq nga detyra pasi ju kalua barra e provës të provonte të kundërtën e gjetjeve të hetimit administrativ.
Procesi i rivlerësimit për gjyqtarin Çobanaqi ka nisur në nëntor të vitit 2019 dhe nje vit më vonë Komisioni i ka dërguar subjektit të rivlerësimit rezultatet e hetimit administrativ duke i ka kaluar barrën e provës për gjetjet e konstatuara.
Në vendim thuhet se pas afro një muaji, KPK është njoftuar nga gjyqtari Kostika Çobanaqi se ai kishte dhënë dorëheqjen nga detyra pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGj dhe se kërkesa e tij është pranuar.
Pasi Komisioni ka konfirmuar se subjekti nuk ka ushtruar ankim ndaj vendimit të KLGj për mbarimin e statusit të magjistratit, e ka thirrur atë për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore, por Çobanaqi ka refuzuar ta ushtrojë këtë të drejtë.
Në përfundim, trupi gjykues i kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe Lulzim Hamitajn anëtar, bazuar në Aneksin e Kushtetutës, ka vendosur më 14 janar të deklarojë të ndërprerë procesin e rivlerësimit për gjyqtarin Kostika Çobanaqi dhe t’i heqë të drejtën për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15- vjeçare.