Gjyqtari Tomorr Kullolli pas seancës së dytë dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtari Tomorr Kullolli kundërshtoi analizën e KPK për pasurinë

Gjyqtari Tomorr Kullolli e konsideroi të padrejtë analizën financiare të Komisionit dhe kërkoi që të ndryshohej sipas pretendimeve të tij.

Gjyqtari Tomorr Kullolli pas seancës së dytë dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtari i Gjykatës së Elbasanit, Tomorr Kullolli e kundërshtoi gjatë seancës së të hënës gjithë analizën financiare të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për të ardhurat, investimet dhe shpenzimet e tij ndër vite, prej nga ishte konstatuar balancë negative në shumën totale 37.5 milionë lekësh. Gjithashtu, ai deklaroi se vlerësonte se nuk është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit në zotërimin e aksioneve në dy shoqëri, ndërkohë që ushtronte funksionin e gjyqtarit, si dhe në gjykimin e një çështje ku rezultonte palë një i afërm i tij. Në seancën e të hënës ai u paraqit së bashku me përfaqësuesin e tij ligjor, avokatin Koçi Mato.

Në seancën e mëparshme dëgjimore u konstatua pamundësi financiare për të gjitha pasuritë e paluajtshme që zotëron Kullolli, një shtëpi dy katëshe + truall dhe një apartament në Elbasan; si dhe për një apartament tjetër në Tiranë. Pamundësi financiare u evidentuan edhe për krijimin e një gjendje cash në vitin 2014 dhe për shkollimin e fëmijëve në universitete në Francë dhe Itali në vitet 2015-2016.

Avokati Mato deklaroi se subjekti kishte pasur mundësi financiare për blerjen e apartamentit 65.7 m2 në Elbasan në vitin 2004 kundrejt çmimit 1.9 milion lekë, ku për krijimin e kësaj pasurie KPK ka konstatuar balancë negative në shumën 1.5 milion lekë.  Sipas avokatit, subjekti i rivlerësimit ka pasur gjendje cash të mjaftueshme për të përballuar çmimin e apartamentit, të krijuar nga të ardhura të përfituara nga ndarja e dividentit në shoqëritë ku ai ka qenë aksioner si dhe nga pagat.

Mato theksoi se Kullolli ka vërtetuar edhe burimet finanicare që kanë shërbyer për blerjen e shtëpisë dy katëshe në Elbasan në vitin 2006; huatë nga 5 persona në shumat 6 milionë lekë e 5000 euro dhe një kredi. Ai argumentoi se huadhënësit kanë pasur mundësi finaniciare pasi tre prej tyre kanë ushtruar aktivitet privat, ndërsa dy kanë jetuar e punuar në emigracion. Mato tha se kishin dorëzuar dokumentacion provues që vërtetonin se huadhënësit kishin pasur të ardhura të mjaftueshme.

“Në vitin 2007 keni përllogaritur në analizën financiare shpenzimet për shlyerjen e huave të marra, por këto hua nuk i njihni si burime financiare për blerjen e shtëpisë,” vërejti Mato.

Ai shpjegoi se subjekti kishte përshtatur apartamentin në Elbasan si njësi shërbimi dhe e kishte dhënë me qira, ku me të ardhurat e përfituara kishin shërbyer për shlyerjen e huave. Mato theksoi se të ardhurat nga puna, ato nga qiraja, ndarja e dividentit dhe kredia kanë mjaftuar për shlyerjen e huave dhe shpenzimet e tjera.

Kullolli deklaroi se i kishte paguar detyrimet për të ardhurat e përfituara nga dhënia me qira e pasurisë në Elbasan, por shtoi se nuk e kishte ruajtur dokumentacionin.

Avokati Mato e kundërshtoi edhe balancën negative të konstatuar për blerjen e apartamentit në Tiranë të blerë në vitin 2014. Sipas tij, subjekti ka zotëruar vlerën 9.3 milionë lekë të dhuruar nga babai në 2012-ën dhe se ky i fundit e kishte përfituar me burime të ligjshme.

Gjyqtari Kullolli shpjegoi në seancë se kishte dhe një vendim pushimi nga prokuroria ku vlera e përfituar nga babai i tij në vite prej dhënies me qira të kullotave, vlerësohej e ligjshme. Ai shtoi se detyrimin për shlyerjen e tatimeve për këto të ardhura e ka pasur i ati dhe se nuk e dinte nëse i kishte paguar ose jo.

Mato këmbënguli se edhe të ardhurat nga shoqëritë ku subjekti ka qenë aksioner janë të ligjshme. Ai shpjegoi se Kullolli nuk ka pasur informacion për aktivitetin e shoqërive dhe nëse ato kishin fituar tendera publikë. Gjithashtu, këmbënguli se aksionet ishin blerë në vitin 1995 me burime të ligjshme.

Mato dhe Kullolli shpjeguan se aksionet ishin blerë në ankand me letra me vlerë të përfituara nga babai dhe xhaxhai i tij si ish të dënuar politikë para viteve ’90. Sipas tyre, subjekti kishte trashëguar edhe letrat me vlerë të përfituara nga xhaxhai, pasi ai nuk kishte fëmijë dhe kishin jetuar së bashku.

Lidhur me konstatimin e KPK për mospagimin e detyrimeve tatimore për të ardhurat e përfituara nga aksionet, subjekti tha se ky ishte detyrim i kompanive. Për të ardhurat e përfituara nga shitja e gjysmave të aksioneve në vitin 2014, u pretendua se kalimi i tyre në pronësi të dikujt tjetër nuk mund të kryhej pa paguar tatimet përkatëse. “Të njihen si e ardhur e ligjshme të paktën gjysma e tyre dhe të konsiderohen si e ardhur në vitin 2014”, theksoi Mato.

Relatori Hamitaj e pyeti në fund të seancën gjyqtarin Kullolli lidhur me situatën e konfliktit të interesit në zotërimin e aksioneve në dy shoqëri, kur në të njëjtën kohë ishte gjyqtar. Kullolli deklaroi se kishte sqaruar se aksionet ishin blerë me letrat me vlerë të përfituara nga babai dhe xhaxhai dhe se ato ishin burim i ligjshëm.

Ai vijoi se për peridhën 2003-2014, ILDKPKI nuk kishte konstatuar konflikt interesi dhe se pasi e kishin gjobitur për këtë gjë në vitin 2015, gjendeshin në dy procese gjyqësore që ishin ende në shqyrtim, pasi e konsideronte të padrejtë sanksionin financiar.

Kullolli theksoi e vlerësonte se nuk është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit. “Është njësoj sikur një gjyqtar të depozitojë para në bankë me interes,” pohoi ai dhe shtoi se sapo ishte njohur me sanksionin e ILDKPKI ishte larguar si aksioner nga këto shoqëri.

Kullolli pohoi se nuk kishte qenë në konflikt interesi as në gjykimin e një çështje ku palë ishte një kushëri i tij, duke e konsideruar atë të shkallës së shtatë, që nuk passillte sipas tij situatë të konfliktit të interesit, pasi shqyrtimi nuk lejohej vetëm për të afërmit deri në gradën e katërt. Ai dorëzoi si prova certifikatat familjare të parardhësve të tij dhe të kushëririt.

Subjekti kërkoi që në analizën financiare të përfshihen edhe të ardhurat e përfituara nga bashkëshortja nga shitja e tokës në shumën 6 milionë lekë.

Lidhur me pamundësitë financiare për shkollimin e fëmijëve në vitin 2015 dhe 2016, Mato tha se djali kishte përfituar bursa për dy vitet në fjalë, një në shumën 11 mijë euro dhe tjetra 11 mijë e 640 euro. Ai kërkoi që këto vlera të zbriteshin nga shpenzimete shkollimit të fëmijëve.

Mato e cilësoi të padrejtë analizën financiare dhe kërkoi të konsideroheshin argumentet dhe provat e dorëzuara prej tyre si dhe riçeljen e hetimit edhe për dy kriteret e tjera. Komisioni njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më datë 9 qershor, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *