Gjyqtarja Brunilda Kadi kërkon rikonfirmimin në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Gjyqtarja e Tiranës u përball me pyetje mbi mosdeklarimin e një makine me vlerë 450 mijë lekë në vitin 2004 si dhe me një shumë të marrë hua për pak ditë për të paguar këstin e parë të një apartamenti të blerë me kredi ndërsa dha shpjegime dhe kërkoi rikonfirmimin në detyrë.

Gjyqtarja Brunilda Kadi pas seancës dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 30 korrik 2018. Foto: BIRN

Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës Brunilda Kadi shpjegoi para komisionit të vetingut disa pyetje të ngritura mbi pasurinë e saj familjare si dhe mbi një proces gjyqësor që përfshinte ankesën e një shtetasi spanjoll dhe kërkoi konfirmimin në detyrë në seancën dëgjimore të zhvilluar të hënën më 30 korrik 2018.

Kadi, e cila ka punuar gjyqtare në Fier dhe Tiranë, disponon si pasuri një shtëpi me sipërfaqe 124 metra katrorë në periferinë lindore të Tiranës të blerë në vitin 2008 për 63 mijë euro dhe të paguar përmes një kredie prej 85 mijë eurosh të marrë për këtë pronë si dhe për shlyerjen e një kredie të mëparshme. [Link skeda e pasurisë]

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave pati dhënë një raport të pastër për Kadin dhe po kështu, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e ka konsideruar subjektin e vetingut “të përshtatshëm” për postin e gjyqtares.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i përbërë nga Lulzim Hamitaj si kryetar, Roland Ilia si Relator dhe Firdes Shuli si anëtare, raportoi se ka analizuar me imtësi kontratën e blerjes së apartamentit ku kishte gjetur pagesën e një kësti prej 7 mijë eurosh, të cilën gjyqtarja tha se e kishte marrë hua për pak ditë në pritje të disbursimit të kredisë nga banka nga një person i tretë dhe e kishte kthyer pas disbursimit të kredisë.

Komisioni pyeti gjithashtu për një makinë Benz prodhim i vitit 1997, i cili u raportua i shitur nga bashkëshorti i gjyqtares në deklaratën e pasurisë të vitit 2007 për 330 mijë lekë dhe që nuk ishte deklaruar më parë. Kadi tha se makina ishte blerë për 450 mijë lekë në vitin 2004 dhe se ajo e kishte deklaruar në një procesverbal të mbajtur nga një inspektore e ILDKPKI po atë vit dhe e kishte konsideruar të ezauruar detyrimin kur kishte plotësuar deklaratën e atij viti në fillim të vitit 2005. Komisioni njoftoi se ILDKPKI ka raportuar mbi këtë pretendim se nuk i rezulton nga arkiva e saj të jetë mbajtur një procesverbal i tillë ndërsa vetë gjyqtarja këmbënguli se deklaratën e kishte bërë.

Komisioni raportoi gjithashtu se një shtetas spanjoll është ankuar pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë për marrjen e një njoftimi në gjuhën shqipe në adresën e tij të biznesit në Spanjë, gjë që e konsideronte shkelje të mundshme. Gjyqtarja deklaroi se e kishte dërguar njoftimin në Spanjë si një masë ekstra krahas shpalljes gjyqësore në Tiranë për të siguruar njoftimin e tij mbi pretendimin gjyqësor ngritur në Tiranë ndaj tij. Ajo kërkoi të mos merrej parasysh kjo ankesë duke e cilësuar ankesën të padrejtë për të vënë në lëvizje institucionet më të larta të drejtësisë në Shqipëri me argumentin se ankuesi ka gjithsesi të drejtë të apelojë vendimin. Ky argument duket se nuk i bindi anëtarët e komisionit, të cilët sugjeruan se një palë gjyqësore ka të drejtë të raportojë në Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë pretendimet e tij për gjykim të padrejtë.

Kadi vijoi më tej me argumentin se çështja në fjalë, për shkak se është mbyllur prej saj me vendim pushimi pak javë më parë, “duhet të konsiderohet çështje që vijon”.

Vendimi për Kadin pritet të shpallet më 1 gusht, ora 9.15.

Kadi iu nënshtrua procesit të vetingut me përparësi në kohë për shkak të kandidimit të saj si anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, institucionit të ri të drejtësisë që pritet të krijohet pas mbarimit të procesit të vetingut për katërmbëdhjetë kandidatët gjyqtarë.

Gjergj Erebara
Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike. Erebara ka punuar që nga viti 1998 në disa media të shkruara dhe vizive Shqiptare, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor.