Avokati Jordan Daci dhe trupa e KPK gjatë shpalljes së vendimit për prokurorin Edmond Hyka. FOTO:BIRN
KPA Lajme Veting

KPA: Komisioni kreu shkelje të rënda procedurale gjatë vetingut të Edmond Hykës

Seanca publike e zhvilluar të enjten më 24 mars në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA lidhur me shqyrtimin e ankimit të prokurorit të Apelit të Tiranës, Edmond Hyka kundër shkarkimit të tij, zbuloi shkelje të rënda procedurale të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK të kryera gjatë procesit të rivlerësimit për këtë subjekt. Pasi u pranuan një pjesë e provave dhe u rrëzua një kërkesë e subjektit për thirrjen e familjarëve si dëshmitarë për t’u pyetur për shumat e deklaruara si të trashëguara nga babai i ndjerë, Kolegji vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe u tërhoq për vendim.

Edmond Hyka u shkarkua nga detyra më 20 dhjetor 2019, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mungesë burimesh të ligjshme për dhuratat nga prindërit në shuma të mëdha, blerjen e një apartamenti, si dhe investimet në bono thesari.

Procesi i vetingut për prokurorin Hyka u krye nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Xhensila Pine, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Brunilda Bekteshi. Hyka u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa për profesionalizmin mori notë minimale kualifikuese.

Kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Rezarta Schuetz sqaroi në fillim të seancës të enjten se çështja u kalua për shqyrtim në seancë publike për të korrigjuar gabimet e KPK-së. Sipas Shuetz, Komisioni e ka marrë vendimin për Hykën në shkelje të rënda procedurale duke mos i dhënë kohën e nevojshme për të dorëzuar prova.

Hyka dhe përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Jordan Daci sqaruan në fillim të fjalës së tyre pretendimet e ngritura në ankim. Sipas Dacit, KPK jo vetëm që nuk kishte mundësuar marrjen e provave të reja, por as provat e dorëzuara më parë nuk i kishte nënshtruar në debatin gjyqësor duke mos arsyetuar mbi to.

Daci theksoi se megjithëse KPK i kishte kaluar subjektit barrën e provës, nuk i kishte shqyrtuar shpjegimet dhe dokumentet e dorëzuara prej tij. “Shkeljet pocedurale e bëjnë atë vendim që të mos rrijë në fuqi”, vërejti Daci dhe kërkoi që subjekti të konfirmohet në detyrë.

Ai parashtroi arsyet përse babai i ndjerë i subjektit ia kishte lënë atij pasurinë e krijuar dhe pse motrat kishin hequr dorë. Sipas avokatit Daci, në vitin 1991 vëllai i prokurorit Hyka kishte ndërruar jetë tragjikisht dhe subjekti i kishte vendosur të njëjtin emrër djalit që kishte sjellë në jetë më vonë. Sipas tij, nisur nga ky fakt babai kishte krijuar një lidhje të fortë shpirtërore me nipin dhe me subjektin.

Për mosdeklarimin e një depozite dyemërore në emër të prokurorit Hyka dhe babait të tij, Daci shpjegoi se subjekti nuk kishte pasur dijeni, ndërsa kur e kishte mësuar pas vdekjes së të atit e kishte deklaruar menjëherë. “Ato shuma kanë qenë në bankë dhe subjekti i ka deklaruar përpara se të dinte që do fillonte procesi vetingut. Nuk ka fshehje apo parregullsi”, arugmentoi Daci.

Në vijim përfaqësuesi i Hykës u ndal tek të ardhurat nga puna si avokat deri në vitin 2005, para fillimit të detyrës. Ai shpjegoi se në atë periudhë detyrimet tatimore për avokatinë kanë qenë në vlerë fikse dhe se subjekti ka paraqitur dokumentacion për tatimet dhe sigurimet shoqërore që ka shlyer. Sipas Dacit, subjekti ka paraqitur 135 vendime gjyqësore ky rezultonte të kishte qenë avokat. “Sikur të përllogaritej edhe tarifa minimale për shërbimin e avokatisë në shumën 60 mijë lekë, atëherë rezulton se vetëm për këto çështje të provuara ka siguruar të paktën 8.2 milionë lekë. Ndërkohë, që nga vendimet rezulton se disa çështje subjekti i ka përfaqësuar deri në Gjykatën Kushtetuese që tregon se ka pasur pagesa në vlera edhe më të mëdha”, sqaroi Daci dhe këmbënguli se vetëm me këtë vlerë i gjithë bilanci negativ përmbyset dhe rezulton pozitiv.

Daci deklaroi se ishin provuar dhe të ardhurat e prindërve nga pensionet, nga aktiviteti tregtar i babait, si dhe nga dhënia me qira e një objekti. Sipas mbrojtësit të Hykës, qiramarrësi ishte subjekt tregtar dhe se kishte qenë detyrimi i tij ligjor për pagesën e detyrimit tatimor. Por, sipas tij, subjekti ka dorëzuar dokumentacion që vërteton pagesën e këtyre detyrimeve.

Avokati Daci vërejti se gjitha veprimet financiare ishin kryer nëpërmjet sistemit bankar edhe para fillimit të detyrës nga subjekti.

Prokurori Hyka theksoi se Komisioni jo vetëm që nuk kishte konsideruar të ardhurat e prindërve dhe ato nga shitja e një prone, por edhe ato nga pensionet dhe një vlerë të përfituar nga i ati me vendim gjyqësor. Subjekti shtoi se për ekzekutimin e këitj vendimi kishte dorëzuar dokumentacionin përmbarimor.

KPA vendosi të pranojë si prova një pjesë të dokumenteve të dorëzuara nga subjekti, ndërsa për të tjera u sqarua se mund të aksesohen drejtëpërdrejtë nga trupi gjykues, nëpërmjet burimeve të hapura.

Relatori çështjes, gjyqtari Sokol Çomo i drejtoi prokurorit Hyka disa pyetje lidhur me likujditetet bankare dhe ato cash të babait ndër vite, si dhe për raportin ndërmjet tyre.

Për një vlerë 3 milionë lekë të deklaruar në vitin 2005, para filimit të detyrës, Hyka shpjegoi se ishte krijuar nga të ardhurat familjare dhe prej punës së tij si avokat. Ai shpjegoi se gjithë të ardhurat e familjes, përfshi dhe të tijat administroheshin nga babai.

Hyka sqaroi se në vitin 2005, ai kishte pasur dhe një llogari veçmas në shumën 700 mijë lekë, se në 2006-ën ishin kursyer 500 mijë lekë nga famija dhe në 2008-ën kishin mbledhur në total 4.2 milionë lekë që i kishin transferuar për bono thesari në Bankën e Shqipërisë. Sipas Hykës, në vitin 2009, kishin shtuar dhe interesat në vlerën 300 mijë lekë dhe vlera totale e depozitës kishte shkuar 4.5 milionë lekë.

Për një shumë 35 mijë euro, nga të cilat 25 mijë euro si gjendje cahs në shtëpi dhe pjesa tjetër e depozituar në bankë, Hyka shpjegoi se kjo vlerë ishte krijuar nga të ardhurat e familjes, aktivitti tregtar i të atit dhe ato të përfituara nga një vendim gjyqësor.

Lidhur me vlerën 5 milionë lekë të deklaruar si të trashëguar nga babai, Hyka shpjegoi se 2.5 milionë lekë i ishin dorëzuar nënës së tij nga ortaku i ndjerë i babait, pas vdekjes së këtij të fundit. Për pjesën tjetër shpjegoi se ishte gjendur në llogarinë dyemërore me të atin, për të cilën nuk kishte pasur dijeni para se babai të ndërronte jetë.

Për disa mospërputhje të deklarimeve të subjektit me ato të motrave në një deklaratë noteriale lidhur me këto shuma, Hyka kërkoi që ato të thirren si dëshmitare për të sqaruar situatën. “Deklarimi notarial është bërë vite më parë dhe nuk ka pasur si qëllim për të deformuar realitetin”, këmbënguli avokati Daci.

Por kjo kërkesë u rrëzua nga trupi gjykues si e panevojshme dhe e papërshtatshme. Pasi Kolegji vendosi të mbylli hetimin gjyqësor, avokati Daci deklaroi se situatat për shumat e trashëguara nga babai kanë qenë të pavarura nga subjekti i rivlerësimit. “Mendojmë se është përtej debatit gjyqësor. Nuk ka tendencë për fshehje dhe konsiderojmë se me shpjegimet dhe provat e dorëzuara bilanci financiar rezulton pozitiv”, u shpreh Daci dhe kërkoi që trupi gjykues të mbajë në vëmendje jurispudencën e KPA për raste të ngjashme dhe të ndryshojë vendimin e Komisionit duke e konfirmuar Hykën në detyrë.

KPA njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 7 prill në orën 15:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *