Gjyqtari Kastriot Gramshi | Foto: BIRN/ Edmond Hoxhaj
KPK Veting

KPK i kërkoi shpjegime shtesë për pasurinë gjyqtarit Kastriot Gramshi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të enjten se kishte rihapur hetimet ndaj gjyqtarit të Tiranës Kastriot Gramshi, për të verifikuar dyshime shtesë mbi pasurinë e tij.

Trupa e KPK-së e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Suela Zhegun tha se Gramshit i ishin kërkuar shpjegime shtesë mbi ndërtimin e një “çatie të banueshme”, pagesë tatimesh në SHBA dhe të ardhurat e përfituara atje.

Shuli lexoi relatimin shtesë duke vënë në dukje edhe qëndrimet e gjyqtarit. Ajo tha se KPK e nisi verifikimin për të kuptuar nëse mbi tarracë kishte ndërtim shtesë, por se Gramshi kishte sqaruar se fjala “e banueshme” ishte përdorur në kuptimin e tarracës së shfrytëzueshme.

KPK tha se Gramshi kishte kundërshtuar vendosjen në dispozicion të fotove me pretendimin se i shkelej privatësia, por ia kishte dhënë ato Komisionit. Sipas relatores Gramshi po ashtu kishte pretenduar se rihapja e hetimeve bëhej me kërkesë të një personi që kërkonte të “hidhte baltë” mbi figurën e tij.

KPK vuri në dukje po ashtu se Gramshi kishte vënë në dispozicion korrespondencën me email me kontabilisten e tij në SHBA dhe të dhëna të tjera të kërkuara nga KPK, por nuk kishte sjellë dokumente mbi të ardhurat e tij, babait dhe vëllezërve për vitet 2003 dhe 2004.

Gramshi këmbënguli se e kishte të pamundur të gjente dokumentacion mbi këtë kohë. I pyetur nga vëzhguesi ndërkombëtar Gerrit Sprenger sërisht mbi këtë pamundësi Gramshi iu referua ligjit amerikan mbi kohën e ruajtjes së dokumenteve dhe i tha vëzhguesit se edhe ai nuk do ishte në gjendje, nëse hipotetikisht pyetej të siguronte dokumente në një kohë mbi 10 vjet.

Por vëzhguesi nuk u duk fort i bindur, ndërsa tundi kokën me mosbesim. “Ndoshta po, ndoshta jo”, tha Sprenger.

Ai po ashtu pyeti Gramshin mbi mënyrën e fitimit të azilit në SHBA, por ky i fundit tha bazuar në legjislacion arsyet e dhënies së azilit ishin sekrete dhe nuk mund të diskutoheshin në një seancë publike.

Kastriot Gramshi e ka filluar karrierën si gjyqtar në vitin 1999 në Shkodër dhe në vitin 2004 është liruar nga detyra me kërkesën e tij. Ai ka punuar si pedagog i së drejtës penale në SHBA përpara se të kthehej në Shqipëri dhe të riniste karrierën si gjyqtar në vitin 2014. Gramshi punon prej 7 vitesh pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *