Gjyqtarja Enkeleida Hoxha e shoqeruar nga policia në KPA.
KPA Lajme Veting

Pas një serie kërkesash, KPA shtyu seancën për gjyqtaren Enkeleida Hoxha

Seanca publike e të mërkurës, për ankimin e gjyqtares  Enkeleida Hoxha ndaj vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësorë për shkarkimin e saj,  në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit filloi 30 minuta me vonesë, për shkak se fillimisht nuk ishte i pranishëm as mbrojtësi as vetë Hoxha.

Pasi fillimit të seancës KPA lexoi se Hoxha kishte kërkuar ndër të tjera pezullimin e procesit deri sa ajo të mund të kishte akses në materialet që kishte lënë në zyrë. Kryetarja e Kolegjit Albana Shtylla lexoi se gjyqtarja, e dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me dy vjet burg në shkurt të këtij viti, kishte kërkuar akses te materialet që mbante në zyrë, por KLGJ e kishte refuzuar kërkesën.

Hoxha pretendonte në letër se në zyrë kishte materiale që ishin të rëndësishme për procesin dhe kërkoi pezullim të gjykimit në KPA deri sa vendimi penal të ishte i formës së prerë në mënyrë që ajo të mund të merrte materialet. Të njëjtën kërkesë e përsëriti në seancë edhe avokati Ardian Visha.  Përfaqësuesi i KLGJ-së në seancë dhe përfaqësuesit e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë e kundërshtuan këtë qëndrim, duke këmbëngulur se këto materiale nuk kishin lidhje me çështjen.

Edhe Kolegji vendosi në dhomë këshillimi se kërkesa nuk qëndronte.

Pas rrëzimit të saj Visha paraqiti kërkesa shtesë, përfshi thirrjen e dëshmitarëve nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë. Visha tha në fjalën e tij se procesi ndaj Hoxhës ishte politik dhe risolli në vëmendje se gjyqtarja ishte sulmuar publikisht nga kryeministri.

Ai tha se hetimet e ILD-së ndaj saj kishin filluar me një ankesë nga ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe vuri në dukje se ankimi ishte “dashakeqës”. Visha tha se i njëjti drejtor nuk kishte marrë asnjë masë ndaj punonjësve të tij që kishin rekomanduar lirimin e të dënuarve, vendime për të cilat është shkarkuar Hoxha. Ai tha se dëshmia nga Ministria e Drejtësisë ishte e nevojshme për të shpjeguar marrëveshjen e konvertimit të dënimit mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, për të cilën la të kuptohej se sipas tij ishte e paqartë.

KPA e rrëzoi sërish kërkesën duke e cilësuar thirrjen e dëshmitarëve si të panevojshme për procesin disiplinor, qëndrim që u mbajt edhe nga KLGJ dhe ILD në seancë.

Pas rrëzimit të kësaj kërkese Visha tha se nuk mund të vijonte mbrojtjen e Hoxhës dhe se ajo duhej të ishte vetë e pranishme për të bërë një mbrojtje efektive. Përfaqësuesi i KLGJ-së dhe ajo e ILD-së e kundërshtuan kërkesën, duke këmbëngulur se prokura i jepte avokatit tagra të mjaftueshme përfaqësimi. Por KPA pasi u tërhoq në dhomë këshillimi vendosi të pranojë kërkesën e tretë dhe shtyu seancën për në datën 14 prill. Kolegji tha se Hoxha do duhej të ishte e pranishme në seancën e radhës.

Gjyqtarja Hoxha ka ankimuar në Kolegj vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësorë që vendosi shkarkimin e saj për vendimet e lirimit të Hekuran Billës – i dënuar me burgim të përjetshëm në Mbretërinë e Bashkuar për një vrasje të kryer në 2006 si dhe të lIlir Pajës, i dënuar nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda me 17 vjet burg.

Paralelisht Hoxha është dënuar me 2 vjet burg nga Gjykata e Posaçme për akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Ajo u akuzua se kishte marrë para për të dhënë ulje dënimi për të akuzuar për vepra të ndryshme penale.  Vendimi është apeluar nga mbrojtja e gjyqtares.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *