KPK gjatë shpalljes së vendimit për prokurorin Erind Reovica. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK Veting

KPK: Prokurori Erind Reovica cënoi besimin e publikut

Prokurori i Fierit Erind Reovica u shkarkua nga detyra më 10 shkurt 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë, se ishte i papërshtatshëm për profesionalizmin dhe se me veprimet dhe mosveprimet e tij kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Në vendimin e arsyetuar të Komisionit vërehet se, megjithëse prokurori Reovica ka qenë përgjithësisht bashkëpunues në fillimet e procesit të rivlerësimit ndaj tij, kur është njohur me mbylljen e hetimit administrativ, ka kërkuar shtyrje të afatit për kthimin e përgjigjeve apo edhe të seancës dëgjimore në mënyrë të përsëritur, që sipas KPK jo gjithomnë janë kryer për arsye të përligjura e të justifikuara objektivisht.

Komisioni shton se subjekti nuk është treguar bashkëpunues në hetimin e kryer për aspektin profesional dhe këto qëndrime janë marrë në konsideratë në vlerësimin tërësor lidhur me konkluzionin për cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Erind Reovica ka qenë oficer i policisë gjyqësore që në vitin 2005 deri në vitin 2014, kur ka filluar të ushtrojë detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier. Procesi i rivlerësimit ndaj tij u krye nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Suela Zhegun.

Mungesat financiare

KPK e ka shtrirë analizën financiare edhe për pasuritë dhe likujditetet e deklaruara prej subjektit përpara ushtrimit të detyrës së prokurorit, kur ai ka punuar si OPGJ.

Në deklaratën “veting”, Reovica ka deklaruar një apartament me sipërfaqe 34.8 m2 në qytetin e Vlorës të porositur në vitin 2011 dhe të blerë në 2014-ën për çmimin 34 mijë e 800 euro me kursimet e emigrimit në Itali dhe ndihmë financiare nga prindërit.

Ndryshe nga sa ka deklaruar në deklaratën “veting”, në vitin 2014 Reovica ka deklaruar si burim krijimi të apartamentit vetëm kursimet e emigrimit në Itali.

Pas emërimit si oficer i policisë gjyqësore në dhjetor të vitit 2005, Reovica ka dorëzuar në ILDKPKI deklaratën e pasurisë ku ka shënuar se dispononte gjendje cash shumën 60 mijë euro të krijuar gjatë viteve 1997 – 2005, por pa e deklaruar burimin. Ndërsa në rubrikën “të ardhura” ka deklaruar të ardhura nga paga vjetore në shumën 30 mijë euro nga emigracioni në Itali.

I pyetur në janar të vitit 2016 nga ILDKPKI-ja në lidhje me burimin e krijimit të kësaj gjendje cash, subjekti ka deklaruar se i kishte kursyer nga të ardhurat nga emigracioni në Romë të Italisë, të siguruara prej punës në të zezë. Dy muaj më vonë, ai është pyetur sërish në ILDKPKI dhe ka deklaruar se si burim për shumën 60 mijë euro, veç të ardhurave nga emigracioni ka shërbyer dhe ndihma financiare nga babai, i cili ka zotëruar një hotel në Berat që prej vitit 1994. Sipas KPK, subjekti nuk ka specifikuar se cfarë vlere vjen nga secili burim, si dhe nuk ka paraqitur dokumentacion ligjor justifikues në mbështetje të këtyre deklarimeve.

Gjatë procesit në KPK, Reovica ka deklaruar se shumën 60 mijë euro e ka përdorur për të blerë një sipërfaqe toke 1000 m2 dhe ndërtimin e një impanti gazi, por pa e përmendur gjendjen cash si burim për blerjen e apartamentit në Vlorë. Komisioni e konsideron këtë deklarim në kundërshtim me shpjegimet e dhëna në ILDKPKI dhe me deklaratën “veting”, ku është deklaruar si burim për apartamentin.

Trupa gjykuese ka vlerësuar se në rastin e Reovicës, të ardhurat nga emigracioni kanë mbetur tërësisht në nivel deklarativ dhe për rrjedhojë i konsideron të pabesueshme pretendimet e subjektit për këto të ardhura. Po ashtu, konstatohet se Reovica nuk ka provuar me dokumentacion edhe të ardhurat e prindërve, për të justifikuar ndihmën e tyre financiare në blerjen e pasurisë.

KPK ka mbajtur në vëmendje dhe faktin se në kohën kur janë kryer transaksionet për apartamentin, subjekti ishte OPGJ pranë institucioneve të drejtësisë.

Në përfundim të vlerësimit të apartamentit në Vlorë, Komisioni çmon se subjekti ka kryer deklarime kontradiktore apo që nuk përputhen me realitetin pikërisht për shkak të mosjustifikimit të blerjes së pasurisë me të ardhura nga emigracioni, të cilat e vënë atë në kushtet e pamjaftueshmerisë në deklarime si dhe ekzistencës së elementëve që cënojne besimin e tij te publiku si pjese e sistemit të drejtesisë.

Reovica ka deklaruar në deklaratën “veting” dhe një gjendje cash në banesë në shumën 1.5 milion lekë, nga këto 500 mijë lekë nga shitja e një sipërfaqe toke dhe 1 milion lekë të kursyera nga emigrimi në Itali. Nisur nga fakti se nuk është arritur të provohet ligjshmëria e të ardhurave nga emigracioni në shumën 4 milionë lekë për blerjen e tokës, shuma 500 mijë lekë e deklaruar si burim nga shitja nuk është konsideruar në analizën financiare.

Për shkak të pamundësisë së provimit të të ardhurave nga emigracioni nuk është konsideruar dhe vlera tjetër 1 milionë lekë, prej nga është konstatuar pamundësi financiare për krijimin e gjendjes cash.

KPK ka gjetur të paqartë situatën e paraqitur nga subjekti lidhur me aktivitetin për impantin e gazit të ndërtuar në tokën e blerë. Sipas trupës gjykuese, nuk është përcaktuar dhe kanë mbetur të paqarta se kur është regjistruar shoqëria për të cilën subjekti ka kryer deklarime në deklaratën e vitit 2005 kur ka filluar punë si OPGJ; se cilët kanë qenë aksionerët dhe sa përqind të aksioneve ka pasur subjekti në këtë shoqëri; cili është statusi aktual i shoqërisë; si dhe sa ka qenë përqindja e fitimit të subjektit në këtë shoqëri.

“Subjekti në parashtrimet e veta, mungon të ketë dhënë shpjegime në lidhje me periudhën e procedura të regjistrimit, ortakët e shoqërisë, pjesëmarrjen në kapitalin e saj, periudhën e çregjistrimit të saj, personin me emrin ‘B.’, duke u mjaftuar vetëm me deklarimin se kjo shoqëri nuk ka funksionar asnjëherë”, vëren KPK dhe shton se Reovica nuk ka bërë asnjë përpjekje për kërkim të dhënash pranë çdo institucioni ligjor kompetent pranë të cilit është regjistruar shoqëria.

Megjithëse KPK vlerëson se nuk mund të arrihet në konkluzionin se subjekti ka ushtruar veprimtari në kundërshtim me ligjin, mosdhënia e shpjegimeve dhe e dokumenteve shkresore, si dhe mosdeklarimi i identitetit të plotë të një prej aksionerëve, janë vlerësuar në kuadër të sjelljeve që ndikojnë në cenimin e besimit të publikut.

Reovica është gjetur në pamundësi financiare dhe për dhënien e një huaje 17 mijë euro në vitin 2015. Si burim për vlerën e dhënë, Reovica ka deklaruar një depozitë në shumën 20 mijë euro të krijuar nga kursimet e tij nga paga si OPGJ ndër vite. Nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në shumën 785 mijë lekë për kursimin e shumës 20 mijë euro dhe për rrjedhojë është konstatuar pamundësi për dhënien e huasë.

Pamundësi financiare ka rezultuar dhe për blerjen e një automjeti tip Volksëagen në vitin 2011 dhe gjendjen e një llogarie bankare.

Balancat negative të konkluduara nga KPK për kryerjen e investimeve dhe të shpenzimeve janë çmuar shkarkuese. Sipas trupit gjykues edhe në qasje garantiste ndaj subjektit, duke konsideruar me burime të ligjshme një pjesë të likujditeteteve, sërish balanca negative për periudhën e rivlerësimit do të mbetej në shumën 2.1 milionë lekë që do të përbënte shkak për penalzimin e tij.

Figura dhe profesionalizmi 

Raporti i parë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka qenë pozitiv për prokurorin Reovica. Ndërkohë, gjatë hetimit administrativ institucionet ligjzbatuese kanë vënë në dispozicion të KPK informacione kofidenciale për kontakte të papërshtatshme me disa persona të përfshirë në veprimtari kriminale. Këto informacione nuk janë vërtetuar dhe në përfundim Reovica është vlerësuar pozitivisht për figurën.

Ndërsa në kriterin profesional janë evidentuar një sërë problemesh që trupa gjykuese i ka çmuar penalizuese. Nga çështjet e denoncuara nga publiku dhe në medie, KPK konstaton se subjekti ka zvarritur hetimet.

Komisioni vëren se Reovica nuk ka dhënë sqarime, argumente dhe dokumente shkresore në lidhje me konstatimet për të cilat i ka kaluar barra e proves për zvarritjet e hetimeve. Ndërkohë, në mënyrë të përsëritur është justifikuar me paaftësinë e përkohshme në punë si pasojë e dëmtimeve që ka marrë në një aksident, si dhe me situatën për shkak të COVID -19, si shkaqe për kryerjen e veprimeve hetimore jashtë afateve.

Këto justifikime të përdorura edhe për çështje të hetuara nga subjekti përpara se të ndodhte aksidenti dhe të fillonte pandemia, janë konsideruar si mungesë serioziteti në kthimin e përgjigjeve dhe bashkëpunimin me Komisionin.

Komisioni vëren se subjekti nuk ka dhënë ose ka dhënë shpjegime të përcipta në lidhje me të gjitha konstatimet për zvarritjen e hetimeve, si dhe nuk ka paraqitur në asnjë rast dokumente shkresore nga dosjet penale të evidentuara, duke mos vërtetuar të kundërtën e barrës së provës.

Po ashtu, mosprania e Reovicës në seancë dëgjimore për të dhënë shpjegime është konsideruar prej Komisionit si sjellje e subjektit për të penguar dhe vështirësuar procesin e rivlerësimit të aftësive profesionale, duke u prezumuar si shkak në favor të masës disiplinore.

“Me qëndrimin e tij ndaj konstatimeve të Komisionit apo dhe ndaj vetë procesit të rivlerësimit të aftësive profesionale ka treguar mungesë etike dhe angazhim ndaj provueshmërisë së vlerave profesionale[…]. Për më tepër, subjekti nuk është treguar bashkëpunues me Komisionin në procesin e rivlerësimit të aftësive profesionale, që sipas nenit 48 të ligjit 84/2016, është mbajtur në konsideratë gjatë procesit të vendimarrjes, në favor të masës dispiplinore të shkarkimit nga detyra”, arsyeton KPK dhe e ka vlerësuar Reovicën të papërshtatshëm profesionalisht.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *