Prokurori Gentian Stoja pas seancës në KPK.
Analiza Korrupsioni KPK Vendi

KPK me dy qëndrime në vetingun e prokurorit Gentian Stoja

Shumica në KPK vendosi shkarkimin me argumentin se Stoja kishte kishte kryer deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë, ndërsa komisioneri në pakicë, Olsi Komici i konsideroi problemet si gabime minimale.

Prokurori Gentian Stoja pas seancës në KPK.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi me shumicë votash më 8 qershor 2021 të shkarkojë nga detyra prokurorin e Korçës, Gentian Stoja për deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë si dhe deklarime të rreme dhe fshehje, që u konsideruan në cënimin të besimit të publikut tek drejtësia. Stoja mori vlerësim minimal për profesionalizmin, ndërkohë që Komisioni rrëzoi si të pabazuar raportin negativ të Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, DSIK për pastërtinë e figurës.

Shumica e trupit gjykues e përbërë nga kryesuesja Xhensila Pin dhe relatorja Valbona Sanxhaktari vlerësojnë se prokurori Stoja ka fshehur në deklaratën veting të ardhura të deklaruara prej tij dhe bashkëshortes në vitin 2009 nga dhurimi si dhe të drejta reale mbi të ardhurat nga qiraja. Sipas shumicës, subjekti i rivlerësimit është përpjekur të fshehë duke paraqitur në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, posedim ose përdorim të tij dhe se nuk arriti të provojë të kundërtën e barrës së provës.

Anëtari në pakicë, Olsi Komici e cilëson të padrejtë vendimin e shumicës për shkarkimin e Stojës. Sipas tij, subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të mjaftueshëm dhe pasaktësitë në deklarime janë minimale.

Prokurori Stoja ka pasqyruar gjendje cash në vlerën 1.1 milion lekë në deklaratën veting, ndërkohë që në deklaratën para fillimit të detyrës në vitin 2009 kishte deklaruar një shumë prej 15 mijë eurosh.  Ai ka shpjeguar se ka jetuar me prindërit që kanë pasur të ardhura të konsiderueshme, pasi babai ka qenë ish-ushtarak i lartë dhe se nuk i është dashur të kryejë shpenzime duke kursyer nga paga e tij.

Komisioni evidenton se Stoja nuk ka pasqyruar në deklarimet vjetore pakësimin e gjendjes cash apo përdorimin e saj si burim për shpenzimet dhe për këtë arsye çmon se deklarimet e subjektit janë të pasakta dhe të pamjaftueshme. Shumica nuk e ka konsideruar këtë shumë në analizën financiare për vitet 2009 – 2016.

Anëtari në pakicë, Olsi Komici shfaq dakordësinë se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë lidhur me mospasqyrimin e ndryshimeve të gjendjes cash, por shprehet kundër deklarimit të pamjaftueshëm, duke argumentuar se edhe shumica ka pranuar se subjekti e ka justifikuar burimin e ligjshëm të gjendjes cash 15 mijë euro.

Ai shton se dy koleget në shumicë e kanë pranuar edhe shpjegimin e subjektit se nga shuma e deklaruar cash në vitin 2009 janë shpenzuar 700 mijë lekë për blerjen e një automjeti në vitin 2012.

Stoja ka deklaruar në vitin 2009 të ardhura në vlerën e 4.4 milionë lekëve në pronësi të bashkëshortes, të krijuara nga dhënia me qira e një apartamenti në pronësi të prindërve nga viti 1992 e në vazhdim. Ndërkohë, subjekti nuk ka deklaruar pakësime ndër vite lidhur me këtë shumë si dhe nuk e ka pasqyruar disponimin e kësaj shume në deklaratën veting.

I pyetur nga Komisioni, Stoja ka sqaruar se deri në vitin 2014 bashkëshortja ka shpenzuar 1 milion lekë nga kjo shumë për shkak të udhëtimeve te prindërit në Greqi, si edhe shpenzime të tjera personale të saj. Për shumën e mbetur prej 3.4 milionë lekësh, ai ka shpjeguar se është konvertuar në euro dhe i është kthyer prindërve në vitin 2014.

Trupi gjykues çmon se shpjegimet e subjektit mbeten deklarative dhe të paprovuara në ndonjë formë ligjore apo nëpërmjet deklarimeve periodike vjetore. Po ashtu, shumica çmon se mbetet e paprovuar mundësia për krijimin e shumës 4,4 milionë lekë me burim nga qiradhënia e një pasurie, e cila vlerësohet modeste. Shumica konstaton se në banesën në fjalë nuk ka pasur konsumim të energjisë elektrike apo ujit; si dhe nuk ka dokumentacion provues për ekzistencën e marrëdhënies së qirasë.

Pine dhe Sanxhaktari vlerësojnë se në këtë rast ka pasur deklarim të rremë dhe janë fshehur të dhëna nga deklarata “veting”.

Në pakicë, komisioneri Komici shprehet se shuma 4.4 milionë lekë nuk është deklaruar në pronësi të bashkëshortes dhe as si vlerë e dhuruar asaj. Sipas Komicit, deklarimet krijojnë bindjen se marrëdhënia e qirasë ka ekzistuar, e për rrjedhojë edhe të ardhurat e deklaruara si të përfituara. Lidhur me mungesën e kontratës së qirasë, ai shprehet se ato kanë qenë sezonale, më pak se një vit dhe se nuk ka qenë detyrim për t’u formalizuar.

Në lidhje me problematikën e konsumit të ujit dhe të energjisë elektrike, Komici vlerëson se sistemi i shpërndarjes dhe matjes, përpara vendosjes së matësve, është bërë në bazë të faturimeve aforfe.

Për vlerën 1 milion lekë, për të cilën Stoja pretendon se është përdorur nga bashkëshortja për shpenzime personale, Komici argumenton se nuk vërtetohet që kjo shumë të jetë përdorur për kryerjen e ndonjë investimi madhor apo për përballimin e shpenzimeve familjare.

Ai i cilëson shpjegimet e subjektit të qarta, të plota dhe bindëse në lidhje me mosdeklarimin e shumës 4.4 milionë lekë në deklaratën veting, pasi ka sqaruar në vitin 2014 në ILDKPKI se vlera e mbetur 3.4 milionë lekë u është kthyer prindërve të bashkëshortes.

Po në vitin 2009 është deklaruar edhe gjendja cash në shumën 50 mijë euro si dhuratë nga bashkëshortes nga prindërit dhe motra me rastin e martesës, me qëllim ndihmën për blerjen e një aparamenti. Subjekti ka shpjeguar se në vitin 2011, prindërit e tij i dhuruan një apartament që kishin në pronësi dhe në këto kushte, bashkëshortja dhe motrat e saj iu kanë kthyer të gjithë shumën prindërve të tyre.

Trupi gjykues çmon se subjekti nuk ka provuar burimin e ligjshëm të dhuruesve dhe mundësitë e tyre financiare për të dhënë shumën e plotë prej 50 mijë euro. Ndërsa pretendimet e subjektit se këto shuma të dhuruara janë kthyer, janë cilësuar deklarative. Edhe në këtë rast shumica vlerëson se subjekti dhe bashkëshortja e tij kanë kryer deklarim të rremë dhe se janë fshehur të dhënat për këtë pasuri. Sipas shumicës, edhe arsyetimi se pasi u strehuan tek apartamenti i dhuruar nga prindërit e subjektit nuk do të blinin shtëpi nuk është bindës, pasi në vitin 2019 kanë blerë një shtëpi-truall dhe në vijim kanë ndërtuar një vilë.

Komici kundërshton shumicën dhe argumenton se dhurimi i vlerës 50 mijë euro i është bërë personalisht bashkëshortes së subjektit me rastin e martesës së saj dhe me qëllim blerjen e një shtëpie banimi. Ai sjell në vëmendje se ky dhurim është kryer para se Stoja të bëhej subjekt deklarues dhe se është pasqyruar në deklaratën fillestare të pasurisë, duke shuar kështu çdo dyshim se është krijuar gjatë punës.

Ai vëren se prindërit dhe motrat e bashkëshortes së Stojës e justifikojnë mundësinë e dhënies së shumave të deklaruara. Komici konkludon se, edhe në këtë rast subjekti dhe bashkëshortja e tij kanë kryer deklarim të pasaktë duke mos e pasqyruar në kohë kthimin e saj, por ky fakt konsiderohet prej tij si jo-shkarkues.

“Në asnjë veprim të kryer, si nga subjekti i rivlerësimit, ashtu edhe personi i lidhur me të, bashkëshortja e tij, nuk ka elemente që të çojnë në konkluzionin se është cenuar besimi i publikut,” çmon Komici dhe shprehet se prokurori Stoja duhej të ishte konfirmuar në detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *