Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Gjyqtarja e dosjes “Karaburuni” kaloi në veting me notë minimale për aftësitë profesionale

Vendimi i zbardhur i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtaren e Apelit të Vlorës, Brikena Ukperaj evidenton probleme me shkeljen e afatit ligjor në arsyetimin e vendimit për çështjen e tokave në Karaburun, por arrin në përfundimin se ato nuk janë në atë shkallë sa ta shpallin atë të papërshtatshme profesionalisht.

Anëtarja e Gjykatës së Apelit të Vlorës, Brikena Ukperaj, duke dalë nga një seanceë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto nga : LSA

Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Brikena Ukperaj mori dritën jeshile për vazhdimin e detyrës më 25 qershor 2018 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Megjithatë, vendimi i zbardhur i KPK-së  tregon se kriteri i aftësive profesionale ishte pika e dobët e gjyqtares Ukperaj- e cila mori në fund një notë minimale kualifikuese.

Brikena Ukperaj është diplomuar në vitin 2004 nga fakulteti i Drejtësisë në Tiranë. Në vitin 2007, ajo ka marrë titullin “magjistrat gjyqtar” nga Shkolla e Magjistraturës. Në nëntor 2007, ajo ka filluar punën si gjyqtare pranë Gjykatës së Lushnjes, detyrë të cilën e ka kryer deri në vitin 2016, kur u emërua gjyqtare e Apelit të Vlorës.

Procesi i rivlerësimit për gjyqtaren Ukperaj u krye nga trupi gjykues i drejtuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Xhensila Pine.

Për kriterin e pasurisë, KPK analizoi burimin e krijimit të një apartamenti me sipërfaqe 106 m2 në Tiranë me vlerë 44 877 euro, i blerë përmes një kredie bankare dhe 9 mijë eurove hua nga prindërit, një makinë “Mercedes Benz” me vlerë 7500 euro, një motor dhe një depozitë bankare në BKT për fëmijën e mitur. Gjithashtu, Komisioni hetoi edhe një kontratë porosie të vitit 2006 të bashkëshortit për blerjen e një apartamenti në Tiranë-kontratë kjo që u shpjegua se ishte nënshkruar për llogari të prindërve të bashkëshorit para se ky i fundit të martohej me subjektin e rivlerësimit.

Në vendimin e plotë, trupi gjykues ndalet te huaja prej 9 mijë eurosh që Ukperaj ka marrë nga familjarët e saj. Nga hetimi i bazuar te dokumentet provuese të dërguara nga shteti grek rezultoi se prindërit e subjektit kishin të ardhura të mjaftueshme për huanë. Komisioni hetoi gjithashtu mbi kohën e tërheqjes së shumës 8500 euro nga një bankë greke, e cila nuk përputhej me datën e kontratës së blerjes së apartamentit. Por gjyqtarja Ukperaj ka sqaruar se shuma prej 8970 eurosh u është dhënë shitësve një muaj pas lidhjes së kontratës, bazuar në kushtet e mirëbesimit dhe lidhjes gjinore, pasi njëri prej dy shitësve ishte daja i saj.

Për kriterin e pasurisë, Komisioni arriti në përfundimin se subjekti i rivlerësimit, Brikena Ukperaj arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë, pasi ajo shpjegoi bindshëm burimin e ligjshëm të saj. Gjyqtarja Ukperaj ka kaluar gjithashtu me lehtësi vlerësimin e pastërtisë së figurës, pasi si DSIK ashtu edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arritën në përfundimin se ajo nuk ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Shkelja e afatit për vendimin e Karaburunit

Në vlerësimin e aftësive profesionale, trupi gjykues është ndalur fillimisht në faktin se ndaj gjyqtares Ukperaj ishte depozituar vetëm një ankesë në vitin 2016 në Këshillin e Lartë të Drejtësisë-ankesë e arkivuar me arsyetimin se çështja mund të zgjidhej përmes apelit gjyqësor. Por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i kërkoi Inspektoriatit të KLD-së një vlerësim shtesë për subjektin, lidhur me 3 vendime të tjera të saj që ishin evidentuar gjatë hedhjes së shortit.

Tri vendimet e analizuara gjyqësore lidhen me veprimtarinë e saj si gjyqtare në Gjykatën e rrethit gjyqësor Lushnje. Çështja e parë e analizuar lidhej me një vendim të majit 2012 për një të pandehur për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, vendimi i dytë lidhej me një konflikt gjyqësor për pronësinë e një trualli 230 m2 dhe vendimi i tretë me një çështje gjyqësore për pjestim pasurie.

Sipas hetimit të kryer nga Inspektoriati i KLD, vendimi i parë ishte lënë në fuqi nga gjykatat më të larta, në pozita më të favorshme për të pandehurin me arsyetimin se ‘fakti nuk ekziston”, ndërsa dy vendimet e tjera nuk rezultojnë të jenë ankimuar.

“…pas një analize të bërë në përputhje me ligjin nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe kreun II të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, nuk gjeti indice apo elemente që mund të ngrinin dyshime për paaftësi profesionale apo cilësi që cenojnë figurën e gjyqtarit, në atë shkallë sa ta konsideronte subjektin e rivlerësimit të papërshtatshëm nga ana profesionale,” thuhet në vendimin e KPK-së.

Ndërkohë, denoncimet nga publiku zënë një kapitull më vete në vendimin për gjyqtaren Ukpreaj. Sipas vendimit, për gjyqtaren e Apelit të Vlorës ishin depozituar 10 denoncime nga publiku pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe për 6 prej tyre, trupi gjykues arriti në përfundimin se “zgjidhen më anë të shqyrtimit gjyqësor mbi apelimin gjyqësor të palës në gjykatat më të larta”.

Vendimi shqyrton me detaje edhe denoncimin e shtetasve Malo dhe Isuf Bodo për çështjen e tjetërsimit të tokave në Karaburun, ku gjyqtarja Ukperaj ishte në cilësinë e kryesueses së trupit gjykues në Apelin e Vlorës. Familjarët Bodo shprehën publikisht zhgënjimin e tyre me procesin e vetingut pas seancës dëgjimore të gjyqtares Ukperaj, duke thënë se denoncimi i tyre ishte injoruar nga KPK.

Në anën tjetër, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është ndalur gjatë në këtë denoncim, por ka arritur në përfundimin se problemet nuk janë në atë shkallë sa t’i japin notë ngelëse për aftësitë profesionale gjyqtares Ukperaj.

“Rezultoi se çështja është objekt gjykimi në Gjykatën e Lartë dhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk mund të shprehet lidhur me bindjen e brendshme të gjykatës. Në mbështetje të nenit 72, pika 4 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, aftësitë gjyqësore të gjyqtarit çmohen pa gjykuar korrektësinë e vendimit dhe themelin e çështjes, si dhe pa zëvendësuar interpretimin ose logjikën e gjyqtarit që vlerësohet,” thuhet në vendim.

Megjithatë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka lënë pa përmendur në vendim vonesat e shkaktuara nga gjyqtarja Ukperaj dhe dorëzimin prej saj të vendimit të arsyetuar për një periudhë 1 muaj e tre ditësh, nga të cilat dy ditë gjyqtarja i kishte të mbuluara nga një raport mjekësor.

“Zbardhja e vendimit në këtë afat është në tejkalim të afatit procedural të parashikuar nga neni 308 i Kodit të Procedurës Civile (23 ditë tej afatit), si dhe të afatit për ushtrimin e rekursit të parashikuar nga neni 443/2 i Kodit të Procedurës Civile (3 ditë tej afatit),” thuhet në vendim.

Komisioni ka konstatuar gjithashtu edhe dy çështje të tjera gjyqësore, të zgjatura përtej afateve të përcaktuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Por pavarësisht këtyre konstatimeve, trupi gjykues arrin në përfundimin se nuk ka indicie apo elementë që mund të ngrinin dyshime për paaftësi profesionale apo cilësi që cenojnë figurën e gjyqtarit në atë shkallë, sa ta konsideronte subjektin e rivlerësimit të papërshtatshme nga ana profesionale.

Në fund të vendimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka vendosur notën minimale kualifikuese gjyqtares Ukperaj në vlerësimin e aftësive profesionale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *