Gjyqtarja Gilda Hoxha pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Gjyqtarja Gilda Hoxha përballet me procesin e rivlerësimit kalimtar

Gjyqtarja e Dibrës, Gilda Hoxha u përball të martën më 21 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për një apartament të blerë nga bashkëshorti para martesës dhe përpara fillimit të detyrës. Për gjyqtaren Hoxha nuk u konstatuan probleme për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Procesi i vetingut për këtë subjekt rivlerësimi po kryhet nga trupa e KPK, e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Burnilda Bekteshin dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Gilda Hoxha përfundoi studimet e Shkollës së Magjistraturës në vitin 2012 dhe punoi fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Vlorës. Prej vitit 2014, ajo e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Dibër.

Relatorja Bekteshi tha se Komisioni nuk ka gjetur probleme në pasuritë dhe detyrimet e subjektit, një llogarie rrjedhëse dhe një kredie për blerje apartamenti ku ajo rezulton dorëzanëse.

Në seancë u tha se kredia është përfituar nga bashkëshorti për shkak të detyrës që ushtronte dhe nuk janë gjetur probleme në përfitimin e saj.

Për apartamentin e blerë në Tiranë nga bashkëshorti në vitin 2009 kundrejt çmimit 53 mijë e 630 euro, janë deklaruar si burime ndihma nga prindërit e bashkëshortit dhe të afërmit, si dhe të ardhurat nga puna e tij.

Sipas Bekteshit, bashkëshortit të subjektit i ka dhuruar xhaxhai i tij një vlerë 43 mijë euro, shumë për të cilën se ka pasur mundësi financiare ta krijojë.

Megjithatë, nga analiza financiare, familja e bashkëshortit të gjyqtares Hoxha ka rezultuar me një bilanc negativ në shumën 800 mijë lekë për blerjen e apartamentit.

KPK nuk ka gjetur probleme në blerjen e një automjeti nga bashkëshorti në vitin 2012 kundrejt shumës 500 mijë lekë të blerë me një pjesë të të ardhurave nga një vendim gjyqësor, si dhe një llogari rrjedhëse në vlerën 2.2 milionë lekë të krijuar me likujditetet cash.

Nga analiza e kryer për gjendjen cash në vlerën rreth 35 mijë euro, KPK ka konstatuar se bashkëshorti i subjektit ka deklaruar si burim të ardhurat nga një aktivitet privat. Bekteshi tha se subjekti e ka korrigjuar këtë deklarim në vitin 2014 duke shpjeguar se bashkëshorti nuk ka ushtruar aktivitet privat dhe se kjo shumë rridhte nga dhurimi i xhaxhait në vitin 2009.

Sipas KPK, familja e bashkëshortit ka pasur mundësi për krijimin e gjendjes cash.

Gjyqtarja Hoxha deklaroi në seancë se Komisioni nuk ka gjetur probleme në hetimin administrativ ndaj saj, pasi nuk zotëron pasuri.

Lidhur me pamundësinë e konstatuar për familjen e bashkëshortit për blerjen e apartamentit, ajo sqaroi se kjo rridhte si pasojë e moskonsiderimit të të ardhurave të vjehrrit nga një aktivitet privat gjatë periudhës 1994-2000. Ajo theksoi se ishte në pamundësi objektive për të siguruar dokumentacion lidhur me të ardhurat e vjehrrit në atë periudhë, pasi nuk ekzistojnë. Sipas saj, nëse do të llogariteshin edhe ato të ardhura, atëherë bilanci do rezultonte pozitiv.

Në vijim, subjekti solli në vëmendje faktin se apartamenti ishte blerë në vitin 2009, dy vjet përpara lidhjes së martesës dhe para se të emërohej në detyrë. Ajo i kërkoi Komisionit, që bazuar edhe në jurispudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të zbatohet parimi i objektivitetit dhe proporcionalitetit për këtë pasuri të krijuar nga bashkëshoti para martesës e emërimit në detyrë. Në përfundim, gjyqtarja Gilda Hoxha kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 24 nëntor, në orën 09:30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *