Prokurori Elio Mazreku pas seancës në KPK. Foto:BIRN
KPK Lajme Veting

Prokurori Elio Mazreku përballet me barrë prove për ligjshmërinë e pasurisë

Prokurori i Tiranës Elio Mazreku u përball të martën pasdite në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me barrë prove për ligjshmërinë e të ardhurave të familjes së tij. Sipas analizës financiare të KPK ai rezultonte me një bilanc negativ prej 22.8 milion lekësh, për shkak të mungesës së provave për ligjshmërinë të një sërë llogarish bankare që ishin përdorur në blerjen e një apartamenti 129 metra në vitin 2010.

Mazreku, procesi i vetingut i të cilit po kryhet nga trupa e përbërë nga Brunilda Bekteshi kryesuese, Roland Ilia anëtar dhe Pamela Qirko relatorë, i kundërshtoi gjetjet e KPK-së. Mazreku këmbënguli se të ardhurat në fjalë vinin nga puna e bashkëshortes në një OJF dhe se mënyrat e pagesës nuk kontrolloheshin prej saj. Ai këmbënguli se të gjitha të ardhurat ishin të ligjshme dhe përsëriti disa herë se “Nuk kishte asgjë për të fshehur”.

Elio Mazreku e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si prokuror në Prokurorinë e Rrethit të Tiranës.

Problemet e pasurisë

Siç doli nga relatimi gjatë seancës dëgjimore problemet e pasurisë së Mazrekut vinin kryesisht pas transaksionit për blerjen e një apartamenti në vitin 2010. Apartamenti me sipërfaqe 129 metra, u ble në vitin 2010 për 15.9 milion lekë.

Si burim për krijimin e tij kishin shërbyer tërheqjet nga disa llogari bankare. Por Qirko vuri në dukje se Mazreku nuk kishte deklaruar burimin e krijimit të këtyre llogarive. Relatorja tha se subjekti nuk kishte depozituar dokumentacion të plotë justifikues ligjor për këto të ardhura.

Vetëm duke u nisur nga shpenzimet për blerjen e këtij apartamenti subjekti ishte sipas KPK-së me një bilanc negativ prej 19 milion lekësh. Relatorja tha se dukej që subjekti nuk kishte pasur të ardhura të ligjshme për krijimin e depozitave bankare me të cilat ishte kryer pagesa për apartamentin.

Mazreku, i cili në disa momente gjatë seancës dëgjimore ishte emocional, kundërshtoi gjetjet e Komisionit duke argumentuar gjatë mbi arsyet pse për të ardhurat e bashkëshortes nuk kishte të dhëna për pagesa të tatimeve. Prokurori këmbënguli se bashkëshortja kishte punuar për një organizatë jofitimprurëse me seli në Holandë. Sipas tij statusi ligjor i OJF-së dhe natyra e punës së bashkëshortes së tij prej vitesh ishin të tilla që nuk kërkonin pagesë detyrimesh tatimore. Ai këmbënguli sidoqoftë se këto të ardhura ishin audituar nga donatorë dhe nga vetë organizata.

Mazreku tha se situata ishte absurde dhe se fakti që pagesat ishin bërë në bankë dhe përmes bankës e kishin bërë atë të besonte për vite me radhë se nuk kishte asnjë problem. “Çfarë ka këtu për të fshehur?! Nuk ka asgjë për të fshehur”, përsëriti ai disa herë duke referuar faktin që transaksionet ishin bankare. Duke qenë se bashkëshortja ishte e pranishme në seancë, Mazreku tha se nuk e besonte që para KPK-së do duhej të shpjegonte të ardhurat e saj.

Ai këmbënguli se të ardhurat nuk i nënshtroheshin detyrimeve tatimore se ishin nën vlerën prej 2 milion lekësh në vit dhe shtoi se duke qenë se pagesat vinin nga jashtë vendit ato mund tí nënshtroheshin tatimit të dyfishtë. Megjithatë i pyetur nga relatorja nëse kishte dokumente që për këto të ardhura ishin paguar tatime jashtë Shqipërisë, ai tha që nuk kishte të tilla.

Problem për Mazrekun rezultoi edhe një shumë prej 5 milion lekësh e marrë cash nga babai i tij i ndjerë. KPK tha se për këtë shumë nuk kishte asnjë dokument ligjor.

Mazreku vetë pranoi se nuk kishte dokumente për shumën, por pretendoi dëshminë e një të afërmi që kishte qenë me të pranë babait në spital kur ai i kishte folur për këtë shumë. Ai foli gjatë për punën e të atit dhe për natyrën e tij të posedimit të parasë në gjendje cash. I pyetur nga relatorja Mazreku tha se shuma ishte diçka mes dhuratës dhe trashëgimisë pasi babai kishte vdekur para se ai të merrte shumën. Mazreku këmbënguli se të afërmit nuk kishin pasur kundërshtime në lidhje me këto para.

Njëlloj prokuroi nuk mund të dokumentonte dhuratat financiare nga vëllai. Mazreku u ndal gjatë në këtë moment duke referuar e-mailet që kishte shkëmbyer në vite me vëllain si prova. Ai referoi disa detaje nga jeta e të vëllait dhe tha ndër të tjera se dhuratat ishin më shumë për shkak të ndjejës së fajit pasi vëllai nuk mbante kontakte të rregullta me familjen dhe ai kujdesej për nënën.

I pyetur nga relatorja mbi vlerën e provës dhe mbi provueshmërinë e pretendimeve, Mazreku pranoi problemet me mënyrës se si e kishte deklaruar pasurinë në vite. Ai tha se të gjitha gabimet i kishte bërë ngaqë deklarimi e plotësonte vetë. Ai i kërkoi Komisionit të konsideronte edhe anën njerëzore dhe se pretendimet e tij ishin të bazuara.

Problemet e profesionalizmit

Ndryshe nga problemet sa i përket pasurisë Mazrekut nuk iu gjetën probleme të figurës. Ndërkohë në kriterin e profesionalizmit atij iu kërkuan shpjegime për disa çështje që kishte hetuar.

KPK vuri në dukje se ishte nisur nga disa kallëzime në të cilat pretendohej se prokurori nuk kishte kryer hetime në disa raste apo kishte vendosur mosfillimin e çështjeve pa kryer veprime hetimore, i kishte kërkuar atij shpjegime.

Mazreku i mori me radhë denoncimet ndaj tij, shpesh duke i përmendur kallëzuesit me emër, këmbënguli se kishte kryer punën e tij dhe se kallëzimet ishin të pabazuara. Ai tha se kishte sjellë dokumente për këto raste dhe vuri në dukje edhe vendimmarrjen e gjykatës.

Në një rast Mazreku pretendoi se trupa gjykuese ishte trembur nga denoncuesi që kishte kërcënuar me kallëzim penal dhe referim në KPK dhe kishte dhënë një vendim që rëndonte sipas tij një të moshuar 80 vjeç edhe pse për këtë nuk kishte sipas tij bazë.

Në fund të seancës Mazreku me një qëndrim emocional i kërkoi sërish KPK-së të mbante parasysh rrethanat njerëzore të rastit dhe kërkoi të konfirmohej në detyrë. Seanca u caktua më datë 23 nëntor në orën 10.00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *