Prokurorja Elsa Kareçi pas shpalljes së vendimit nga KPK. Foto: Vladimir Karaj.
KPK Lajme Veting

Prokurorja Elsa Kareçi konfirmohet në detyrë

Prokurorja e Tiranës, Elsa Kareçi e priti me emocione dhe lot vendimin e konfirmimit të saj në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të hënën. Vendimi u shpall nga trupa e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Suela Zhegu.

Procesi i vetingut për prokuroren Kareçi u fokusua kryesisht te pasuritë dhe transaksionet e biznesit të ish-bashkëjetuesit të saj, për të cilën KPK tha se kishte balancë negative në vlerën e 12 milionë lekëve.

Kareçi u mbrojt me argumentin se ajo nuk kishte lidhje me pasuritë e ish-bashkëjetuesit dhe se komunikimi i keq me të pas ndarjes e kishte penguar që të gjente informacion. Prokurorja shtoi gjithashtu se pas ndarjes, ajo kishte marrë vetëm makinën nga ish-bashkëjetuesi. Ajo tha se jetonte me qira dhe se kujdesej vetë për fëmijët.

Kareçit nuk iu gjetën probleme të figurës dhe në kriterin e profesionalizmit asaj iu kërkuan shpjegime vetëm sa i përket një hetimi.

Elsa Kareçi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua si prokurore në Prokurorinë e Kavajës. Ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Tiranës prej vitit 2007.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *