Skeda e pasurisë së deklaruar – Arian Përmeti – Prokuroria e Tiranës
KPK Skeda Veting

Skeda e pasurisë së deklaruar – Arian Përmeti – Prokuroria e Tiranës

Prokurori Arian Përmeti i Prokurorisë së Tiranës u përball të enjten më 15 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Suela Zhegu, Brunilda Bekteshi dhe Firdes Shuli.

Arian Përmeti e ka filluar punën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 2003. Prej vitit 2013, ai ushtron funksionin e prokurorit pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga prokurori Arian Përmeti nga viti 2003 deri në fund të vitit 2016. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurisë së deklaruar nga prokurori Arian Përmeti.

Në deklarimin për të herë të parë në vitin 2003, prokurori Arian Përmeti deklaronte pasuri me vlerë 400 mijë lekë, ndërsa në fund të vitit 2016, pasuria familjare kap vlerën e 42.4 milionë lekëve.

Ai zotëron likujditete bankare prej 21.8 milionë lekësh, kursime në cash prej 17.7 milionë lekësh, pasuri të paluajtshme të vlerësuar në vlerën e 1.7 milionë lekëve si dhe një automjet me vlerë 1 milion lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 42.8 milionë lekë, nga të cilat vetëm gati 20% kanë si burim pagën e subjektit dhe të bashkëshortes së tij. Të ardhurat kryesore të familjes janë siguruar nga trashëgimia e prindërve në masën 62% dhe nga dhënia e pronave me qera në masën 9.7%.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 7 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, vlen për t’u theksuar se burimi kryesor i pronave të prokurorit Arian Përmeti është nga trashëgimia.

Subjekti Arian Përmeti ka një shkëputje të deklarimit nga viti 2005-2012. Në deklaratën fillestare të rikthimit në detyrë në vitin 2013, listohen 34 prona (apartamente, garazhe, dyqane dhe sipërfaqe trualli)  në Durrës dhe Tiranë, të përfituara nga trashëgimia pas vdekjes së nënës. Subjekti deklaron se zotëron 1/3 e këtyre pronave, ndërkohë që në deklarim mungon vlera e këtyre aseteve.

Gjithashtu, subjekti deklaron të ketë përfituar nga trashëgimia asete në llogari bankare në vlerën 9,500,000 lekë dhe në gjendje cash 2,700,000 ALL dhe 88,500 euro. Gjithashtu dhe bashkëshortja e subjektit deklaron apartament banimi me vlerë 1,700,000 lekë të blerë me të ardhurat e prindërve.

Në vitin 2016 përfiton nga trashëgimia e babait 1/2 pjesë të tij në prona të paluajtshme në Tiranë dhe Durrës.

Gjendja cash me datë 31.12.2016 rezulton 17,781,660 lekë, ndërkohë që sipas nenit 4/1 të ligjit Nr.9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive…”, kufiri i lejuar për t’u mbajtur cash është 1,500,000 lekë.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *