Saimir Bahiti ne KPK | Foto: Vladimir Karaj
KPK

KPK shkarkon nga detyra prokurorin Saimir Bahiti

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të premten më 13 janar 2023 vendimin për shkarkimin nga detyra te prokurorit të Durrësit, Saimir Bahiti. Vendimi u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Suela Zhegun. Bahiti nuk ishte i pranishëm në seancën e shpalljes së vendimit.

Gjatë seancës dëgjimore më 10 janar, Bahitit iu kërkuan sqarime në lidhje me dyshimet e ngritura nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit mbi etikën e tij, për shkak të marrjes së një shume prej 50 mijë eurosh hua nga një biznesmen dhe udhëtimin në makinë me një person të hetuar prej tij.

Po ashtu, Bahitit iu kërkuan shpjegime edhe në lidhje me disa dosje të pushuara prej tij, për të cilat u ngritën dyshime se nuk ishin kryer hetime të plota. Vëzhguesi i ONM-së Theo Jacobs i tha Bahitit në fund të seancës se marrja e huave i humbiste atij pavarësinë dhe integritetin.

Prokurori Bahiti i mohoi shkeljet e etikës dhe dyshimet e ngritura mbi hetimet. Ai tha se kishte kryer detyrën bazuar në ligj dhe se huaja kishte qenë e vetmja mënyrë për të marrë një apartament. Ai këmbënguli se kishte ndjekur procedurat dhe hetuar siç duhet çështjet, ndërsa cilësoi si të pabazuar një raport të dytë të DSIK-së që e cilësonte të papërshtatshëm.

Saimir Bahiti përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe e kreu stazhin profesional në Prokurorinë e Kurbinit. Ai e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Shkodrës prej nëntorit të vitit 2008, deri kur u transferua përkohësisht në Gjirokastër. Në vitin 2021 ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Rrethit Durrës, ku e ushtroi funksionin deri në momentin e shkarkimit nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *