Gjyqtari Paulin Çera pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Gjyqtari Paulin Çera jep shpjegime për përdorimin e një apartamenti pa qira

Gjyqtari i Gjykatës së Durrësit, Paulin Çera u përball të premten më 13 janar me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, ku dha shpjegime më së shumti për përdorimin e një apartamenti pa kundërshpërblim për rreth katër vjet e katër muaj, si dhe për dy gjetje të vëzhguesit ndërkombëtar në aspektin profesional.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Çera po kryhet nga trupa e KPK-së, e kryesuar nga Pamela Qirko, me relator Roland Ilian dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Paulin Çera përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2015 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, ku vazhdon ta ushtrojë edhe aktualisht funksionin.

Apartamenti në përdorim

Deklarimi i adresave të banimit prej subjektit ka nxjerrë në pah përdorimin e një apartamenti në Kombinat gjatë periudhës tetor 2012 – janar 2017, kur ai ndiqte shkollën e Magjistraturës si dhe gjatë një periudhe kur ka ushtruar funksionin e gjyqtarit. Sipas Komisionit, subjekti nuk e ka deklaruar përdorimin e kësaj pasurie.

Ilia shpjegoi se gjatë hetimit administrative, Çera ka deklaruar se gjatë periudhës kur ka ushtruar detyrën e gjyqtarit ka qëndruar në këtë apartament në pronësi të shoqërisë ndërtuese me administrator shtetasin F.B., pa kundërshpërblim. Komisioni ka hetuar për konflikt të mundshëm të interesit mes subjektit dhe pronarit të pallatit, por nuk ka rezultuar që ai të ketë shqyrtuar ndonjë çështje të shoqërisë ndërtuese, të aksionerëve, apo të administratorit të kësaj shoqërie.

Po ashtu, ka rezultuar se ky apartament është regjistruar në emër të shoqërisë ndërtuese dhe i është shitur në vitin 2017 një personi tjetër.

Në përfundim të hetimit për këtë pasuri, Komisioni ka konstatuar se subjekti nuk e ka pasqyruar përdorimin e kësaj pasurie pa kundërshpërblim në deklaratën “veting”. Shpjegimet e Çerës se kanë marrëdhënie shoqërore me pronarin, pasi janë dhe nga e njëjta zone, nuk janë gjetur bindëse për KPK-në, e cila ngre dyshime se si subjekti e ka përdorur pa kundërshpërblim për gati pesë vjet një pronë të një personi që nuk ishte familjar apo i afërm.

Ilia pohoi se duket se nga ana e pronarit të apartamentit, subjektit i është dhuruar shuma financiare respektive, ajo e qirasë rreth 20 mijë lekë në muaj përgjatë gjithë periudhës, ndërkohë që nga Çera nuk është shënuar ky fakt në deklaratën “veting”.

Po ashtu, KPK i ka kërkuar Çerës që të deklarojë kryerjen e shpenzimeve në këtë banesë gjatë viteve të qëndrimit, si për mobilimin ashtu dhe ato për shkak të përdorimit ndaj palëve të treta.

Gjyqtari Çera shpjegoi se në vitin 2012 filloi studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe se administratori i shoqërisë së ndërtimit me të cilin kishin marrëdhënie familjare të mëparshme, i kishte ofruar apartamentin që gjendej në Kombinat, pa qira. Ai shpjegoi se ishte student dhe për arsye ekonomike e kishte pranuar këtë ofertë.

Sipas Çerës, mobilimi kishte qenë i përdorur. Ai tregoi disa foto të kohës për të vërtetuar këtë pretendim, ku sipas tij dukej qartë se të gjitha mobiliet dhe pajisjet elektroshtëpiake ishin të përdorura.

Çera deklaroi se gjatë periudhës që kishte qëndruar aty, kishte paguar vetëm energjinë elektrike, pasi uji furnizohej nga një pus i pallatit. Subjekti sqaroi se kishte dorëzuar deklaratë noteriale të pronarit të pallatit, i cili kishte konfirmuar qëndrimin pa kundërshpërblimin në atë apartament, si dhe faktin se nuk kishte ndonjë pretendim.

“Mendoj se e kam përmbushur barrën e provës pasi kam thënë të drejtën. Nuk kam pasur të drejta reale mbi atë pasuri, por e kam deklaruar si adresë banimi që në deklaratën fillestare të vitit 2014 deri në 2017-ën kur e kam përdorur,” pohoi Çera dhe ripërsëriti se e kishte përmbushur barrën e provës.

Vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs e konsideroi të çuditshëm faktin se si magjistratët shqiptarë kishin oferta për të qëndruar në apartamente pa qira dhe se i pranonin lehtësisht ato. “Ruajeni në mendje, kjo nuk është e pranueshme,” theksoi Jacobs.

 Po gjatë hetimit administrativ, Çera ka deklaruar të ardhura në formë dhurimi nga babai në shumën 279 mijë lekë në vitin 2015. Ndërsa në deklaratën “veting” dhe në vitin 2015, nuk e ka shënuar në rubrikën përkatëse këtë dhurim nga babai.

Ilia pohoi se Çera ka sqaruar se e ka deklaruar këtë dhurim në vitin 2015, kur ka shënuar se kishte çelur një llogari bankare me burim të ardhurat nga puna dhe pjesa tjetër të ardhura nga familja.

Nga analiza financiare ka rezultuar se babai i subjektit ka pasur mundësi për dhurimin e kësaj shume në vitin 2015.

Ilia relatoi pasaktësi në deklarimin e gjendjes cash, pasi ato të shënuara në deklaratat periodike nuk përputhen me ato në deklaratën “veting”. Pasaktësi u vërejt edhe në deklarimin e një pjese të një ngastre toke të marrë në përdorim nga gjyshi, si dhe në deklarimin e vlerës së një mjeti.

Nga analiza financiare është konstatuar se gjyqtari Paulin Çera dhe bashkëshortja e tij kanë pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve për të gjithë periudhën e rivlerësimit.

Në përfundim të shpjegimeve për pasurinë, gjyqtari Paulin Çera deklaroi se pasuria e vetme e familjes ishin pagat e tij dhe të bashkëshortes. Ai vërejti se kishin konstatuar një sëmundje të përhershme të bashkëshortes dhe se për këtë arsye i kishin shpenzuar vazhdimisht të ardhurat e tyre.

Figura dhe profesionalizmi

DSIK dhe KPK nuk kanë gjetur probleme në kontrollin e figurës së gjyqtarit Paulin Çera. Ndërkohë, në kriterin profesional ai dha shpjegime për gjetjet e vëzhguesit ndërkombëtar në dy çështje, si dhe për një çështje të denoncuar nga publiku.

Relatori Ilia nuk dha shpjegime të detajuara lidhur me gjetjet e vëzhguesit ndërkombëtar, por sqaroi se bëhej fjalë për një vendim të vitit 2018 lidhur me një procedim penal të 2017-ës dhe një çështje tjetër për personat P.C. dhe Dh.Z, që kishte të bënte me një procedim të vitit 2020. Sipas Ilias, në çështjen e parë konstatohej mungesë e arsyetimit ligjor, ndërsa në të dytën trajtim i provave në mënyrë kontradiktore.

Gjyqtari Paulin Çera u ndal gjatë në shpjegimet e tij për gjetjet e vëzhguesit ndërkombëtar. Lidhur me çështjen e parë, ai shpjegoi se një i pandehur që gjendej nën “arrest në burg” kishte bërë kërkesë për ndryshim të masës së sigurimit personal, por e kishte rrëzuar me argumentin se nuk kishin ndryshuar kushtet.

Sipas tij, në vitin 2018 kishte vendosur që të plotësoheshin hetimet e prokurorisë dhe pas këtij vendimi dy të pandehur të kësaj çështje kishin kryer sërish kërkesë për ndryshim mase, që e kishte rrëzuar – me arsyetimin se situata tashmë ishte rënduar, pasi dosja ishte kthyer për hetime të mëtejshme.

Çera shpjegoi se po në vitin 2018, Apeli e kishte rrëzuar vendimin e tij duke lehtësuar masën e sigurisë së të pandehurve dhe se në vijim kishte vendosur bazuar në atë praktikë. Nga sa u deklarua prej Çerës, u mësua se të pandehurit ishin zyrtarë e punonjës të kadastrës. Sipas tij, pas kërkesave të të pandehurve për ndryshim mase, kishte caktuar “arrest shtëpie”, ashtu si kishte vepruar edhe Apeli.

Ai tha se në vijim kishte vendosur kalimin e çështjes për gjykim dhe kishte rrëzuar kërkesat për zëvendësim mase, duke respektuar vendimarrjen e fundit të Apelit. Kur një i pandehur ka kërkuar revokim të masës së sigurisë për shkak të përfundimit të afatit të paraburgimit, Çera shpjegoi se e kishte rrëzuar këtë kërkesë, pasi nuk ishte situatë e tillë.

Subjekti shpjegoi se dosja ishte kaluar në gjykatë brenda afatit gjashtë mujor dhe nuk kishin humbur afatet e paraburgimit. “Arsyetimi im është lënë në fuqi. Nuk ka munguar arsyetimi,” u shpreh ai.

Vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs vërejti se çdo i paraburgosur ka të drejtë të ketë një argumentim individual. Jacobs theksoi se vendimarrja duhet të bazohet në fakte e në ligj, jo në atë çfarë thotë Apeli.

Lidhur me çështjen e dytë, subjekti sqaroi se një i pandehur për trafikim të narkotikëve kishte dhënë tre versione të ndryshme gjatë hetimit paraprak në prokurori dhe për këtë arsye i kishte kërkuar shpjegime. Ai tha se numri me të cilin kishte komunikuar i pandehuri i përkiste një shtetasi në Fier që rezultonte me aftësi të kufizuara dhe se numri dyshohej të ishte përdorur nga një tjetër person i paidentifikuar. Çera sqaroi se prokuroria e kishte ndarë çështjen për të hetur autorët e paidentifikuar. Ai shtoi se deklarimet kontradiktore të të pandehurit nuk kishte si të vlerësoheshin ndryshe.

Ndaj gjyqtarit Çera janë depozituar 10 denoncime nga publiku, nga të cilat i janë kërkuar shpjegime për një rast, për vonesë në gjykim. Subjekti pranoi se gjykimi kishte zgjatur rreth një vit e tre muaj, por sipas tij, shtyrjet e seancave nuk kishin ndodhur për shkak të tij. Ai deklaroi se nga 21 seanca që janë zhvilluar, ka mungur vetëm një herë kur ka qenë në një gjykim tjetër në Kavajë.

Në përfundim, gjyqtari Çera kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 16 janar, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *