Prokurori Ludovik Dodaj më KPA | Foto: Edmond Hoxhaj
Analiza KPA Veting

KPA me argumente të ndara për shkarkimin e Ludovik Dodaj

Prokurori i Apelit të Durrësit, Ludovik Dodaj e kaloi me lehtësi vetingun në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por u shkarkua me shumicë votash për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë, pasi çështja e tij u shqyrtua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Shkaqet e ngritura nga Komisioneri në aspektin profesional u gjetën të pabazuara në Kolegj.

Në konkluzionet përfundimtare në Kolegj, Ballhysa vlerësoi se prokurori Dodaj nuk arriti të vërtetojë një pjesë të burimeve të ligjshme për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 108.48 m2 në Durrës. Në analizën financiare për këtë pasuri, Komisioni ka konkluduar pamundësi vetëm në vitin 2008, por që është konsideruar e pamjaftueshme për penalizimin e subjektit të rivlerësimit. Ndërsa Ballhysa konstatoi balanca negative për pagesat e kryera në vitet 2006, 2008 dhe 2009.

Komisioneri argumentoi se nuk janë vërtetuar kursimet e pretenduara në vite, si burim për pagesat e kryera. Sipas tij, veç kursimeve të pasqyruara në deklaratën fillestare të pasurisë, Dodaj nuk ka deklaruar kursime shtesë për periudhën 2003-2006, si dhe ka çelur një depozitë në shumën 7000 USD në vitin 2007, po pa e referuar burimin e krijimit.

Komisioneri i qëndroi edhe konstatimit se subjekti nuk ka arritur të provojë mundësinë e kunatit të tij për dhënien e një huaje në shumën 8000 euro në vitin 2009 nga puna në Greqi, që është deklaruar se ka shërbyer për shlyerjen e parakohshme të një kredie dhe për pagesën e këstit të katërt 4000 euro.

Dodaj i kundërshtoi konkluzionet e Ballhysës duke theksuar se nuk ka pasur asnjëherë indicie për fshehje pasurie nga ana e tij. Subjekti theksoi se një pjesë e apartamentit në Durrës është mbuluar nga të ardhurat e siguruara nga shitja e apartamentit të mëparshëm të përfituar nëpërmjet privatizimit në Shkodër, si dhe nga shitja e mobiljeve dhe pajisjeve. Ai kërkoi që nëse nuk do të përfshihej në analizë vlera e përfituar nga shitja e mobiljeve, atëherë të konsiderohej mundësia e kursimit.

Për pamundësinë e kunatit të subjektit për dhënien e huasë 8000 euro në vitin 2009 me të ardhura nga puna në emigracion në Greqi, u prapësua se provat që janë vendosur në dispozicion kanë qenë në funksion të shtrirjes së hetimit në kohë, me qëllim krijimin e bindjes së brendshme dhe jo për përllogaritje matematikore.

Kolegji u nda në vendimarrjen për Dodajn, ku shumica e përbërë nga relatorja Albana Shtylla dhe anëtarët Rezarta Schuetz e Sokol Çomo vendosën shkarkimin e tij për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë, ndërsa kryesuesja Natasha Mulaj dhe anëtarja Ina Rama dolën me mendime në pakicë, duke arsyetuar se rrethanat e konstatuara nuk mund të sillnin penalizimin e këtij subjekti rivlerësimi.

Analizat e ndryshme të Kolegjit

Ndryshe nga Komisioneri, Kolegji e gjen të besueshëm pretendimin e subjektit për përfitimin e shumës 300 mijë lekë nga shitja e mobiljeve. KPA vëren se subjekti ka deklaruar në vitin 2003 gjendjen cash në banesë në shumën 2.2 milionë lekë nga shitja e shtëpisë, ku nga diferenca me çmimin e shitjes 1.9 milionë lekë mbetet e shuma 300 mijë lekë, e njëjtë me atë të deklaruar se është përfituar nga mobiliet. Për rrjedhojë shuma 2.2 milionë lekë është konsideruar si burim për pagesën e këstit të parë 25 mijë euro në 2006-ën.

Lidhur me burimin tjetër, kursimet ndër vite, KPA vëren se Dodaj ka deklaruar kursime cash vetëm në vitin 2003 në shumën 2.2 milionë lekë, ndërkohë që në vitet e mëvonshme, 2004, 2005 dhe 2006 nuk ka deklaruar kursime. Ndërkohë, në vitin 2005, Dodaj ka deklaruar çeljen e një depozite në shumën 7000 USD.

Në lidhje me pretendimin e subjektit, se shumës cash 2.2 milionë lekë të deklaratën e vitit 2003 duhet ti shtohen kursimet e viteve 2004 dhe 2005 në shumat 400 mijë lekë dhe 500 mijë lekë, të pasqyruara në deklaratën “veting”, Kolegji thekson se Dodaj ka pasur detyrimin të deklaronte kursimet cash në vitin përkatës. Për rrjedhojë këto pretendime nuk janë konsideruar bindëse.

Nga analiza financiare e kryer në KPA për mundësinë reale të subjektit për të mbuluar me të ardhura të ligjshme pagesën e këstit të parë në shumën 25 mijë euro, ka rezultuar balancë negative në shumën 136 mijë lekë.

Në Kolegj është konfirmuar balanca negative e konstatuar në Komision për vitin 2008 në shumën 358 mijë lekë. Dodaj ka prapësuar se në vitin 2008 ka pasur perceptim të gabuar për mënyrën se si deklarohet kursimet dhe ka shënuar shumën 550 mijë lekë, që sipas tij përfaqësonte shumën cash në banesë prej 350 mijë lekësh dhe gjendjen e bankës 200 mijë lekë.

Por, trupi gjykues vëren se, subjekti i rivlerësimit kishte detyrimin të deklaronte gjendjen reale të likuiditeteve në cash, të veçuar nga deklarimi për gjendjen e likuiditeteve bankare, për të njëjtën periudhë dhe e ka konsideruar shumën 550 mijë lekë si kursim cash në 2008-ën.

Kolegji çmon se pretendimi se deklarimi ka ardhur si pasojë e perceptimit të gabuar për mënyrën se si deklarohen kursimet, vjen si artificë për të shmangur rezultatin negativ të analizës financiare për vitin 2008

Ndryshe nga Komisioni, shumica e Kolegjit ashtu si dhe Komisioneri vlerësojnë se subjekti nuk arriti të provojë se kunati i tij ka pasur të ardhura me burime të ligjshme nga puna në emigracion në Greqi, për të dhënë hua shumën 8000 euro në vitin 2009. Për rrjedhojë është kosntatuar balancë negative 1 milion lekë në këtë vit.

Kolegji ka përcaktuar se vlera e të ardhurave të ligjshme të krijuara prej kunatit të subjektit përgjatë periudhës 2003 deri në fund të janarit 2009 është në vlerën 58 mijë e 412 euro, ndërsa për periudhën shkurt 2009 – gusht 2009 është në vlerën prej 6.636 eurosh.

Por, ndryshe nga KPK, Kolegji vlerëson se vlera minimale për të jetuar në Greqi për huadhënësin, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, për vitet 2003 – janar 2009, referuar të dhënave të gjendura në faqen zyrtare të statistikave eurostat për kategorinë e shtetasve grekë në nivelin e varfërisë, arrin në vlerën 73 mijë 426 euro dhe 8449 euro për periudhën shkurt 2009 – gusht 2009.

Bazuar në këtë rezultate është konkluduar se huadhënësi nuk kishte mundësi dhënien e huasë 8000 euro që është deklaruar nga subjekti si burim për shlyerjen e parakohshme të kredisë dhe pagesën e një pjese të një kësti.

Në përfundim, Kolegji konkludon se Dodaj është gjendur në pamudnësi financiare në shumën totale 1.5 milionë lekë për shlyerjen e kësteve të apartamentit në Durrës.

Po ashtu, janë konstatuar edhe dy balanca negative të vogla për mbulimin e shpenzimeve në vitet 2013 dhe 2014, përkatësisht në shumat 122 mijë lekë dhe 51 mijë lekë, duke e çuar balancën negative në vlerën totale 1.7 milionë lekë, mungesë burimesh që u çmua nga shumica se e vendos Dodjan në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë.

Gjyqtarët Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo të cilët janë pjesë e shumicës që vendosi shkarkimin e Dodajt, kanë paraqitur mendim paralel përsa i përket analizës financiare për vitet 2013 dhe 2014.

Ata vlerësojë se balanca negative në këto vite ishte më e thellë, pasi shpjegimet e dhëna për herë të parë nga subjekti në deklaratën e pasurisë “veting” bien ndesh me ato në deklaratat periodike.

Sipas Schuetz dhe Çomo, përllogaritja e balancës negative duhet të kishte ndjekur të njëjtën linjë arsyetimi me atë që parashtroi Komisioneri Publik, duke marrë për bazë deklarimet e përvitshme të subjektit të rivlerësimit, për shtesa të gjendjes së cash-it në banesë nga kursimet vjetore. “Kjo qasje do të ishte në përputhje me atë të ndjekur nga Kolegji në çështje të mëparshme”, vërejnë ata dhe vlerësojnë se balanca negative për periudhën 2003-2016 do të thellohej deri në rreth 2.8 milionë lekë.

Gjyqtarja Natasha Mulaj ka dalë në pakicë duke vlerësuar se Dodaj duhej të ishte lënë në detyrë. Ajo e cilëson të drejtë konstatimin e Komisionerit lidhur me pasaktësinë në deklarimin e kursimeve të subjektit në deklaratat periodike. Por, sipas saj, Dodaj në deklaratën “veting” ka shënuar ndër të tjera kursime ndër vite para vitit 2006 dhe se ka pasur mundësi kursimi, megjithëse nuk i ka pasqyruar në deklaratat periodike të viteve 2004, 2005 e deri në momentin e likujdimit të këstit të parë të apartamentit më 21 gusht të vitit 2006.

Lidhur me huanë në vlerën 8000 euro që subjekti ka marrë nga kunati, Mulaj vlerëson se shumica nuk ka marrë në konsideratë rrethanat specifike përsa i përket kësaj marrdhënie huaje, pasi nuk janë vlerësuar drejtë pretendimet e subjektit se huadhënësi dhe bashkëshortja e tij kanë punuar në bujqësi në shtetin grek që prej vitit 1998, dhe kanë banuar në shtëpinë e familjes që i kishte punësuar, me ushqim dhe fjetje të siguruar.

Mulaj kundërshton analizën e shumicës se huadhënësi ka pasur shpenzime jetike në vlerë më të madhe nga sa ka krijuar të ardhura të tatueshme dhe argumenton se vlera e shpenzimeve jetike e përllogaritur sipas eurostat-it shtrihet mbi baza të dhënash në rang vendi, ndërkohë që huadhënësi ka jetuar në periferi, me shpenzime më të ulëta.

“Konstatoj se pasuria totale e krijuar nga subjekti i rivlerësimit Ludovik Dodaj përgjatë 39 viteve punë, konsiston në një apartament banimi të blerë me kredi, ndodhur në qytetin e Durrësit, me vlerë 45.000 euro, dhe një automjet me vlerë 9.500 euro. Parimet e proporcionalitetit dhe objektivitetit, parashikuar në nenin 52, pika 1 e ligjit nr. 84/2016, orientojnë vlerësimin në tërësi të çështjes, me synimin që masa disiplinore të jetë në raport të drejtë me shkeljen e kryer nga subjekti i rivlerësimit”, arsyeton Mulaj dhe vlerëson se Dodaj në asnjë rast nuk ndodhet në kushtet e fshehjes, deklarimit të rremë apo të paraqitjes në mënyrë të pasaktë të pasurive e për rrjedhojë pamundësia financiare e konstatuar në shumën 1.7 milionë lekë, nuk duhej të kishte sjellë shkarkimin e Dodajt.

Njësoj, gjyqtarja Ina Rama ka votuar kundër shkarkimit të Dodajt. Sipas saj, ka disa rrethana që e cënojnë bindjen se balanca negative e konstatuar në shumën 1.7 milionë lekë i përgjigjet doemos realitetit të situatës financiare të subjektit të rivlerësimit në momentin e krijimit të pasurisë objekt analize dhe situatës financiare të marrë në shqyrtim prej Kolegjit.

Ajo vëren se pamundësia financiare e vitit 2006 për pagimin e shumës 25 mijë euro është 163 mijë lekë; balanca negative në vitin 2008 është 358 mijë lekë; ndërkohë që bilanci negativ 1 milion lekë në 2009-ën vjen si pasojë e shlyerjes së kredisë dhe pagimit të këstit të fundit të apartamentit, si dhe mosnjohjes si të ardhur të ligjshme të shumës prej 8000 eurosh të marë hua prej kunatit. Ajo rendit dhe dy balancat negative të viteve 2013 dhe 2014 në shumat 122 mijë lekë dhe 51 mijë lekë.

Rama vlerëson se pjesa më e madhe e pamundësisë financiare 1 milion lekë rezulton të jetë krijuar nga dështimi i subjektit për të provuar burimet e ligjshme të huadhënësit.

Ajo sjell në vëmendje se shumica ka arritur në konkluzionin se krijohet bindja për vërtetësinë e marrëdhënies së huasë. Ndërsa kërkon që të konsiderohet me rezervë konkluzioni se huadhënësi ka pasur më pak të ardhura se vlera e shpenzimeve, në zbatim të parimit të objektivitetit.

“Analiza i referohet një individi që nuk ka deklarime dhe as të dhëna në shtetin shqiptar për të kuptuar realisht situatën financiare të tij,” argumenton Rama dhe shton se standarti i nivelit të varfërisë për një shtetas grek, jo domosdoshmërisht është i njëjti me standardin e përdorur për të jetuar nga një emigrant shqiptar.

“Në logjikën matematikore të përdorur, personi tjetër i lidhur nuk rezulton të ketë pasur mundësi as të jetojë, duke qenë se, sipas standardit të EUROSTAT-it të përdorur për përcaktimin e shpenzimeve të tij, ai ka fituar më pak se ka detyrimisht shpenzuar për jetesë”, vëren Rama.

Ajo vlerëson se konkluzioni se huadhënësi nuk ka pasur mundësi për krijimin e shumës 8000 euro, nuk duhet konsideruar plotësisht i vërtetë dhe se balanca negative 1 milion lekë në 2009-ën duhet të vlerësohet objektivisht në analizë, duke përcaktuar peshën që ajo do të ketë në vlerësimin e pasurisë.

Rama shprehet se edhe balanca negative 122 mijë lekë në 2013-ën kërkon një vlerësim të ndryshëm nga ai i kryer prej shumicës dhe kërkon që të merret me rezervë. Ajo konstaton se kjo pamundësi ka ardhur si pasojë e konsiderimit si shpenzim të shumës 280 mijë lekë për shlyerjen e huasë në vitin 2013, por huaja nuk është konsideruar si e ardhur në vitin që është deklaruar se është marrë nga subjekti. Sipas saj, nëse shpenzimi për shlyerjen e huasë nuk do të konsiderohej në 2013-ën, ky vit do të rezultonte me bilanc pozitiv.

Ashtu si Mulaj, edhe Rama sjell në vëmendje se apartamenti për të cilin është konstatuar pamundësia në shumën 1.5 milion lekë është pasuria e vetme e paluajtshme që zotëron subjekti, i cili sipas saj rezulton të ketë bërë jetë modeste. Ajo konstaton se pjesa më e madhe e balancës negative nuk rezulton të jetë një shkelje apo problem i shkaktuar drejtëpërdrejtë nga sjellja e subjektit.

Në përfundim, Rama çmon se balanca negative e konkluduar prej shumicës nuk është e mjaftueshme për të cënuar nivelin e besueshmërisë në drejtim të vlerësimit të pasurisë së subjektit, e për rrjedhojë nuk mund të sjellë shkarkimin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *