Entela Shedula në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Vladimir Karaj.
KPA Veting

Kolegji dëgjon pretendimet e gjyqtares Entela Shedula ndaj vendimit të KPK

Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranoi të mërkurën si prova të reja, gjatë shqyrtimit të ankimit të gjyqtares Entela Shedula, dy vendime gjykate që detyronin kompanitë në të cilat kishte punuar bashkëshorti të paguanin sigurimet shoqërore dhe tatimet mbi të ardhurat.

KPA po ashtu dëgjoi pretendimet e gjyqtares e cila i kërkoi Kolegjit të prishë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe ta konfirmojë atë në detyrë.

Shedula, që mbante pozicionin e kryetares së Gjykatës së Rrethit Kavajë, u shkarkua nga Komisioni i Psavarur i Kualifikimit më 4 qershor pasi sipas KPK-së u gjet me mungesë burimesh financiare për ndërtimin e një vile tre katëshe dhe blerjen e një autoveture; si dhe deklarime të pasakta e të pamjaftueshme për të ardhurat dhe për pasuritë. Shedulës nuk iu gjetën probleme në kriterin e profesionalizmit dhe pastërtisë së figurës.

Pas vendimit të shkarkimit gjyqtarja ankimoi në Kolegj. Ky i fundit gjatë shqyrtimit të çështjes në dhomë këshillimi, gjeti se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, një trupë e përbërë nga Xhensila Pine kryesuese, Suela Zhegu relatore dhe Brunilda Bekteshi anëtare, kishte kryer shkelje proceduriale.

Për të korrigjuar shkelje trupa e KPA e kryesuar nga Albana Shtylla, me relator Sokol Çomo dhe anëtarë Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, vendosi të rihapë procesin dhe të mbajë seancë publike.

Gjatë seancës Shedula vuri në dukje se KPK kishte shkelur procedurën dhe se shkelja ishte e tillë që e bënte vendimin të pavlefshëm. Gjyqtarja pretendoi se në vendimin e Komisionit përmendjen prania e një sekretareje gjyqësore, në një kohë kur kjo nuk kishte qenë e pranishme.

Shedula po ashtu paraqiti argumente shtesë sa i përket qëndrimeve të KPK për pasurinë e saj. Subjekti i tha KPA se KPK e kishte mbajtur atë përgjegjëse për financat e personit të lidhur në një kohë që ata nuk ishin bashkë.

Shedula pranoi se  kreditë e marra për ndërtim të një shtëpie tre katëshe, ishin nënshkruar si kredi për biznes, por këmbënguli para trupës se në deklarimet vjetore kishte bërë të qartë se si ato ishin përdorur dhe përse ishin përdorur. Ajo tha se për shkak të kohës nuk kishte qenë e mundur të merrej kredi për shtëpi. Sipas saj kreditori jepte kredi vetëm për biznes, por këmbënguli se devijimi i përdorimit të kredisë nuk duhej parë si problem. Shedula tha se kredia ishte shlyer dhe se nuk kishte asnjë efekt negativ nga devijimi i motivit të saj.

Ajo po ashtu vuri në dukje për trupën se në deklaratat vjetore të vitit 2006 ishte sqaruar dhe korrigjuar një gabim i bërë në deklaratën e mëparshme. KPK si ka njohur si të ardhura të ligjshme të përdorura për shtëpinë kreditë duke e lënë gjyqtaren me bilanc negativ, por Shedula këmbëngul në njohjen e tyre që do të ndryshonte mundësitë e saj financiare.

Nga ana tjetër gjyqtarja pretendoi se kishte sjellë dy vendime gjykate që bënin me faj kompanitë për të cilat kishte punuar bashkëshorti për mos pagim të detyrimeve. Ajo i kërkoi KPA t’i pranojë si provë vendimet dhe shtoi se nëse këto të ardhura njiheshin si të ardhura të ligjshme, kjo ndryshonte analizat financiare në pozitive.

Shedula iu përgjigj disa pyetjeve në fund të seancës nga relatori Sokol Çomo, i cili kërkoi më shumë informacion mbi kreditë e marra në fillim të viteve 2000. Shedula këmbënguli se në deklaratën veting ishin bashkëlidhur 4 kontrata. Ajo po ashtu shtoi se rroga e saj i ishte shtuar familjes së bashkëshortit vetëm në dhjetor 2000, pasi ata ishin martuar.

Gjatë fjalës së saj gjyqtarja pretendoi po ashtu se KPK nuk kishte marrë parasysh një ekspertizë që ajo kishte bashkëlidhur deklaratës veting mbi vlerën e shtëpisë. Gjyqtarja tha se godina informale nuk mund të kishte të njëjtën kosto si ato formale që llogariteshin përmes vlerës së përcaktuar nga Enti Kombëtar i Banesave.

Në fund të seancës Shedula kërkoi kohë shtesë për të sqaruar më tej mbi pyetjet që iu bënë dhe për të mbajtur një qëndrim përfundimtar. Trupa vendosi që seanca e radhës të caktohej në 20 shtator në orën 9.00.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *