Gjyqtarja Marsela Pepi e bindi Komisionin për të ardhurat nga bujqësia
Analiza

Gjyqtarja Marsela Pepi e bindi Komisionin për të ardhurat nga bujqësia

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është bindur se inspektorja e komanduar pranë ILD, Marsela Pepi gjendej në pamundësi objektive për të provuar në mënyrë direkte të ardhurat e përfituara nga bujqësia të deklaruara si një nga burimet për krijimin e dy depozitave. Bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, Komisioni është bindur se të ardhurat nga bujqësia janë të ligjshme dhe ka përmbysur analizën financiare. 

Marsela Pepi, inspektore pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë pas vendimit të KPK.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 16 mars 2021 të konfirmojë në detyrë gjyqtaren e komanduar si inspektore pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD, Marsela Pepi, pasi u bind për të ardhurat e deklaruara prej saj si të përfituara nga shitja e prodhimeve bujqësore që kishin shërbyer si burime për krijimin e dy depozitave, pavarësisht pamundësisë për t’u provuar me dokumentacion ligjor. Gjyqtarja Peli u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Trupi gjykues që kreu procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Pepi kryesohej nga Brunilda Bekteshi, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtar Lulzim Hamitajn.

Në vendimin e arsyetuar të KPK analizohet lidhur me ligjshmërinë e të ardhurave të krijuara nga shitja e prodhimeve bujqësore, për të cilat gjyqtarja Pepi nuk ka arritur të sigurojë dokumentacion provues. Por, trupi gjykues, bazuar në provat indirekte të depozituara nga Pepi si dhe krijimin e bindjes se ajo e kishte të pamundur të siguronte prova të mjaftueshme, i ka marrë të mirqëna shumat e deklaruara periodikisht sit ë përfituara nga buqësia.

Si burim krijimi për një depozitë bankare në shumën 2,8 milionë lekë, gjyqtarja Pepi ka deklaruar të ardhurat e siguruara nga shitja e prodhimeve bujqësore, kursime nga pagat e saj dhe të bashkëshortit, si dhe të ardhurat e krijuara nga shitja e një automjeti tip Mercedes në maj të vitit 2016.

Ajo ka shpjeguar se kjo depozitë është hapur në dhjetor të vitit 2008 në emër të bashkëshortit, me vlerë fillestare 450 mijë lekë, duke u shtuar ndër vite së bashku me interesat. Pepi ka pasqyruar në deklaratat periodike shtesat e kësaj pasurie nga interesat dhe të ardhurat e prodhimeve bujqësore.

Ndërkohë, subjekti ka deklaruar se në vitin 2010 ka hapur një depozitë bankare me vlerë fillestare 2000 euro, për llogari të fëmijës së mitur K.M.. Ajo ka deklaruar ndër vite shtimin e kësaj pasurie me të ardhura nga prodhimet bujqësore, kursime nga pagat dhe dhurata nga gjyshërit respektivë për datëlindje dhe festa të ndryshme ndër vite.

Në deklaratën veting subjekti ka shënuar se vlera e gjendjes së depozitës së fëmijës ka qenë në shumën 13 mijë e 581 euro.

Nga verifikimi i deklaratave periodike vjetore, si edhe vetëdeklarimet e bëra në përgjigje të pyetësorëve të dërguar nga Komisioni, ka rezultuar se janë deklaruar ndër vite të ardhura të përfituara nga shitja e produkteve bujqësore, në total në shumën 1 milion e 515 mijë lekë. Subjekti ka deklaruar se për krijimin dhe shtimin e depozitës së fëmijës së mitur ka shpenzuar 965 mijë lekë nga shuma totale 1 milion e 515 mijë lekë.

Pepi ka shpjeguar se toka dhe prodhimet bujqësore janë administruar e krijuar nga prindërit e saj dhe të bashkëshortit, të cilët sipas subjektit kanë realizuar shitje ndër vite tek bashkëfshatarët apo blerës të tjerë në treg informal sipas çmimeve që ky treg ofronte, duke krijuar të ardhura për familjet respektive, nga -’92-i e në vijim.

Ajo ka sqaruar se, vlerat që ka marrë së bashku me bashkëshortin nga shitja e prodhimeve bujqësore, përfaqësojnë pjesën takuese të tyre, pasi të dy kanë qenë përfitues të tokës bujqësore.

Pavarëisht pretendimeve të subjektit, gjatë hetimit administrativ paraprak, Komisioni ka konstatuar se Pepi dhe personi i lidhur nuk kanë depozituar dokumentacion justifikues ligjor për të dokumentuar të ardhurat e përfituara dhe pagesën e detyrimeve përkatëse mbi këto të ardhura, deklaruar si pjesë takuese nga shitja e prodhimeve bujqësore.

Komisioni konstaton se nga hetimi administrativ ka rezultuar se personat e tjerë të lidhur nuk kanë pasur burime financiare të ligjshme për dhënien e shumave si pjesë takuese dhe të dhuratave në vlera monetare. “[…]kjo edhe pasi, si burim kryesor i të ardhurave të tyre janë deklaruar të ardhurat e përfituara nga shitja e produkteve bujqësore, për të cilat Komisioni paraprakisht ka vlerësuar se subjekti nuk ka depozituar dokumentacion justifikues ligjor për të dokumentuar të ardhurat e përfituara dhe pagesën e detyrimeve përkatëse mbi këto të ardhura”, ka konkluduar paraprakisht Komisioni.

Pasi i është kaluar barra e provës lidhur me mungesën e dokumentacionit ligjor justifikues për të vërtetuar të ardhurat nga bujqësia, Pepi ka dorëzuar disa dokumente duke pretenduar se ka dorëzuar prova që vërtetojnë në mënyrë direkte posedimin e tokës bujqësore prej saj, bashkëshortit dhe familjarëve të tyre; ushtrimin e aktivitetit bujqësor dhe mundësinë e të ardhurave.

Në vendim thuhet se ajo ka depozituar dokumentacion që vërteton posedimin e tokës; pagimin e detyrimeve fiskale dhe mospasjen e asnjë detyrimi mbi tokën bujqësore; përdorimin dhe administrimin e tokës bujqësore nga ana e kryefamiljarëve respektivë dhe; rendimentin e kulturave bujqësore të mbjella në periudhat e deklaruara, çmimet e tyre referuar tregut në Qarkun Korçë dhe të ardhurat e përfituara, të llogaritura nga specialist të fushës të bujqësisë; realizimin e të ardhurave nga secili kryefamiljar dokumentuar me anë të deklaratave noteriale; për pagimin e taksës vendore për përdorimin e tokës bujqësore, si dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore nga kryefamiljarët deri në plotësimin e moshës për pension.

Gjithashtu, ajo ka vendosur në dispozicion të Komisionit edhe deklarata të shtetasve të ndryshëm të zonës, duke pretenduar se provonte indirekt shitjen e disa produkteve bujqësore.

Si përfundim, Pepi ka pretenduar se gjendet në pamundësi objektive për të dokumentuar me prova direkte shitjen e këtyre produkteve dhe vlerat konkrete të të ardhurave të realizuara nga kryefamiljarët respektivë si përfaqësues të familjes bujqësore.

Ajo ka argumentuar se kjo pamundësi rrjedh për shkak se shitjet janë realizuar kohë më parë dhe në treg informal, se personat e lidhur nuk kanë mbajtur pasqyrime për mënyrën e krijimit të këtyre të ardhurave për periudhën 2008-2015 dhe se asnjëri prej tyre nuk ka pasur detyrimin ligjor të dokumentojë këtë veprimtari të ushtruar.

Lidhur me barrën e provës për të provuar pagimin e detyrimeve tatimore mbi këto të ardhura, Pepi ka këmbëngulur se prindërit respektivë, si të vetëpunësuar në bujqësi, nuk ka pasur detyrim për pagimin e tatimeve mbi këto të ardhura.

Ajo ka shpjeguar se produktet bujqësore janë shitur tek individë, bashkëfshatarë dhe persona të tjerë, si edhe disa produkte specifike janë shitur të blerës të ndryshëm që vinin nga zona e Myzeqesë, por të paidentifikuar.

Për shkak të mospagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga prindërit gjatë një pjesë të periudhës kur ajo pretendon se janë gjeneruar të ardhura nga bujqësia, Pepi shprehet se kjo nuk provon se ata nuk e kanë ushtruar këtë aktivitet.

Ajo sjell në vëmendje kuadrin ligjor që parashikon detyrimin e të vetëpunësuarve në bujqësi për të paguar kontributet deri në moshën për pension.

Në analizën përfundimtare për këtë barrë prove, Komisioni vëren se të ardhurat nga bujqësia janë pasqyruar rregullisht ndër vite nga subjekti dhe duke u mbështetur në dokumentet dhe shpjegimet e dorëzuara prej saj, i vlerëson si prove deklarimet periodike.

“[…]shumat e deklaruara si të përfitura nga shitja e produkteve bujqësore rezulton se janë në vlera të tilla proporcionale, të pranueshme/justifikueshme si pjesë takuese nga lënia në përdorim e tokës bujqësore, në kushtet kur krijohet bindja se kryetari apo anëtarët e familjes bujqësore kanë kryer aktivitet si të vetëpunësuar në bujqësi dhe kanë përfituar të ardhura nga ky aktivitet”, citohet në vendim.

Duke ju referuar Kodit Civil, konkretisht neneve 222 dhe 227, KPK i gjen të drejta pretendimet e subjektit lidhur me përfitimin e pjesës takuese të të ardhurave për shkak të zotërimit të tokës bujqësore.

Po ashtu, duke ju referuar legjislacionit tatimor, KPK quan të drejtë edhe pretendimin se të vetëpunësuarit në bujqësi nuk kanë pasur detyrimin të regjistroheshin në organin tatimor.

“[…]me ndryshimet ligjore të bëra në vitin 2014, fermerët, të cilët shesin produktet e tyre te sipërmarrësit (tregtarë), janë të detyruar të regjistrohen dhe të pajisen me NIPT. Gjithsesi, fermeri i regjistruar nuk ka asnjë përgjegjësi tatimore dhe, për rrjedhojë asnjë detyrim për të paguar. Pra, fermerët, të cilët shesin produktet e tyre tek individë (subjekte të paregjistruar) nuk kanë detyrimin për t’u regjistruar dhe për t’u pajisur me NIPT”, argumenton trupi gjykues i KPK.

Bazuar në legjislacionin tatimor, Komisioni arrin në konkluzionin se të ardhurat e përfituara nga shitja e produkteve bujqësore apo blegtorale nga aktiviteti i të vetëpunësuarit në bujqësi, nuk i nënshtrohen pagesës së detyrimeve tatimore.

KPK i jep të drejtë Pepit edhe lidhur me mospagesën e kontributeve si të vetëpunësuar gjatë gjithë periudhës kur ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga buqjësia. “[…]sigurimi shoqëror dhe shëndetësor në bujqësi është i detyrueshëm deri në moshën e daljes në pension”, vëren trupi gjykues dhe shprehet se krijoi bindjen se personat e tjerë të lidhur kanë kryer aktivitet si të vetëpunësuar në bujqësi dhe kanë realizuar të ardhura nga shitja e produkteve bujqësore.

Pasi subjekti nuk arriti të provojë se personat e tjerë të lidhur kanë shitur produktet e tyre bujqësore në subjekte të regjistruar dhe se nuk kanë qenë përfitues të skemave të kompensimit, Komisioni bindet se Pepi gjendet në pamundësi objektive për të dokumentuar me prova direkte shumën e të ardhurave të realizuara nga shitja e produkteve bujqësore.

Komisioni i quan të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga shitja e produkteve bujqësore në një masë të pranueshme, proporcionale dhe të shpërndara ndër vite.

Sipas KPK, edhe në kushtet e mospërfshirjes së të ardhurave të deklaruara si të përfituara nga shitja e produkteve bujqësore, rezulton se për vitet 2005 – 2016 balanca totale negative e fondeve paraqitet në total në vlerën -196,836 lekë.

“Si konkluzion, bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, trupi gjykues krijoi bindjen se subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur kanë pasur të ardhura nga burime financiare të ligjshme, të mjaftueshme për të justifikuar plotësisht krijimin e këtyre depozitave”, konkludon trupi gjykues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *