Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Inagurohet godina, institucionet e vetingut nisin zyrtarisht punën

Rikonstruksioni i godinës së Ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, e cila do të shërbejë si ndërtesë përorganet e vetingut, është shënuar edhe si dita zyrtare e fillimit të punës për institucionet e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve.

Kryetarja e Komisionit të Kualifikimit, Genta Tafa, duke folur gjatë ceremonisë së inagurimit të godinës ku do te ushtrojnë funksionin tre komisionet e reformës në drejtësi. | Foto nga : LSA

Godina që i shërbeu gjatë diktaturës Ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, u përurua sot si vendi ku do të ushtrojnë funksionet Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit, i ngritura nga Reforma në Drejtësi për të rivlerësuar gjykatësit dhe prokurorët.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu, një prej mbështetësve më me zë të reformës tha: “Sot është një ditë për shpresë në Shqipëri”. Ambasadori Lu dhe Përfaqësuesja e Bashkimit Europian në Tiranë Romana Vlahutin morën pjesë në përurimin e godinës së re, e cila u rikonstruktua sëfundmi, si hapësirë për organet e vetingut i cili ndërkohë ka filluar shqyrtimin e dosjeve të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë inagurimi i godinës, që kushtoi 103 milion lekë, dhe dita e sotme shihen si data zyrtare të fillimi të punës së atyre që njihen gjërësisht si komisionet e vetingut.

Procesi i rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve, është një prej pjesëve kryesore të reformës në drejtësi, e cila ka qenë edhe tema kryesore e debatit politik në dy-tre vitet e fundit, ndërsa konsiderohet si  hap kyç që përcakton edhe nëse Shqipëria do të bëjë përpara  me procesin e integrimit në BE.

Procesi është ndërkohë i vonuar, për shkak se mosmarrëveshjet politike para zgjedhjeve të këtij viti vonuan emërimin e anëtarëve të Komisionit të Pavarur dhe Kolegjit të Apelimit, ndërsa ligjet mbi të cilat do të funksionojnë u kontestuan në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike dhe më pas nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve. Kjo çështje e fundit që prek tre ligje të reformës, është ende në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.

SHBA dhe BE që kanë mbështetur Shqipërinë në përpilimin e ligjeve të nevojshme të reformës, janë shprehur disa herë të shqetësuar për vonesat që i janë shkaktuar procesit.  Po ashtu problem u pa edhe mosplotësimi prej shumicës parlamentare të kërkesave për personel dhe financa nga organet që duhet të kryejnë vetingun.

Kryeministri Edi Rama, i cili e përdori si lajmotiv në fushatën elektorale fillimin e vetingut, bëri i pari një urim në rrjetin social Facebook.  “Urime, kurajo, suksese komisionerëve të Vetingut!Njerëzit e këtij vendi meritojnë një sistem drejtësie pa gjykatës e prokurorë të korruptuar”, shkroi Rama.

Ndërkohë pas inaugurimin e godinës, ku do të ushtrojnë funksionin Genta Tafa, kreu i Komisionit të Kualifikimit, vuri theksin tek anagzhimi i madh që do duhet për të reformuar sistemin e drejtësisë. “Reforma në drejtësi është një ndërhyrje e thellë kirurgjikale. Është një nga ato lloj ndërhyrjesh që bëhet për të nxjerrë nga koma pacientin dhe jo për ta zbukuruar atë”, tha Tafa. Ajo e cilësoi punën e marrë përsipër si “rrugëtim i vështirë i kërcënuar nga shumë aktorë dhe faktorë përfitues të sistemit të pandëshkueshmërisë”.

Ndërkohë Natasha Mulaj, e cila u zgjodh në krye të Kolegjit të Apelimit theksoi se ecuria e ngadaltë e krijimit të kuadrit ligjor dhe krijimit të instituticioneve e gjetjes së burimeve të duhura njerëzore i duket e qëllimshme. “…ata e kanë frenuar dhe penguar punën e sistemit në të gjithën e saj. Është fakt i pakundërshtueshëm se pa pastruar rradhët tona dhe pa e konfirmuar përpara publikut se jemi ndarë nga element që janë shkaktarë të reputacionit tonë të dëmtuar dhe rënë në sy të publikut, do të ishte e pamundur të rifillojmë njërën prej betejave tona më madhore”, theksoi Mulaj.

Përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili do të ndjekë dhe ndihmojë gjatë rivlerësimit, Theo Jacobs tha gjatë përurimit të godinës, se procesi kishte për të qenë i gjatë dhe me sfida.  “Në këtë mëngjes dhe në këtë ndërtesë të bukur do të fillojnë sfidat tona konkrete. Trupa duhet të jetë e përgatitur për një punë të përgjegjshme dhe të rëndësishme”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *