Nga seanca e shpalljes së vendimit për gjyqtarin Besnik Hoxha në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KP Lajme

Komisioneri Publik ankimon konfirmimin e gjyqtarit Besnik Hoxha

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi të hënën më 3 korrik vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Tiranës, Besnik Hoxha. Bazuar dhe në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, Komisioneri ndan gjykim të kundërt me Komisionin duke vlerësuar se Hoxha nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë dhe duhet shkarkuar.

Hoxha u konfirmua në detyrë më 18 maj me shumicë votash, pas një seance dëgjimore ku u evidentuan barra prove për pasurinë, figurën dhe profesionalizmin. Më datë 20 qershor, ONM paraqiti rekomandim pranë institucionit të Komisionerëve Publikë duke u kërkuar të kryejnë ankim.

Ashtu si ONM, edhe Komisioneri vlerëson se çështje të lidhura me pasurinë dhe aftësitë profesionale nuk janë adresuar siç duhet nga KPK.

Sipas Ballhysës, subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm lidhur me mbulimin e shpenzimeve dhe investimeve të kryera ndër vite; se ka ndërmarrë veprime dhe është përpjekur për të paraqitur ndryshe rrethanat lidhur me të drejtat e tij pasurore; nuk ka provuar mundësinë financiare të personave të tjerë të lidhur me të; si dhe disponohen informacione nga agjencitë ligjzbatuese të referuar për sgjyqtarin Hoxha dhe personat e tjerë të lidhur me të, me të cilët ndërthuren interesat private.

Po ashtu, Komisioneri mban qëndrim ndryshe nga KPK dhe për disa raste të konfliktit të interesit. “…Pavarësisht natyrës së çështjeve të gjykuara nga subjekti, është përgjegjësi e tij të mos gjykojë çështje kur ai ka lidhje të natyrës personale apo interesi me palët në gjykim. Fakti është që subjekti në një numër jo të vogël rastesh si më sipër, ka gjykuar çështje të tilla duke mosrespektuar apo anashkaluar parimet themelore procedurale që synojnë mbrojtjen e paanshmërisë së gjyqësorit”, konstaton Ballhysa dhe në përfundim i kërkon Kolegjit që të shkarkojë gjyqtarin Besnik Hoxha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *