Prokurori Ylli Bashaj, pas seancës në KPK. Foto:Malton Dibra/LSA
KP Lajme Veting

ONM rekomandon ankimimin e konfirmimit të prokurorit Ylli Bashaj

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM i rekomandoi të premten më 30 qershor institucionit të Komisionerëve Publikë që të ankimojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Ylli Bashaj, duke e cilësuar të pasaktë dhe në vlerësim të gabuar të provave.

“Një hetim dhe analizë e duhur e elementeve të mbledhura dhe një vlerësim i duhur i provave, ka gjasa që t’i drejtonte organet e verifikimit drejt një vendimi që çon në shkarkimin e subjektit të rivlerësimit”, shprehet ONM.

Gjatë seancës dëgjimore më 12 qerdshor, Bashaj u përball në KPK me pyetje që kishin të bënin kryesisht mbi koherencën dhe vërtetësinë e një kontrate për blerjen e një shtëpie në vitin 2000. Prokurori Bashaj këmbënguli në vërtetësinë e deklarimeve dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Në përfundim, Komisioni vlerësoi se problemet e konstatuara në kriterin e pasurisë, pasaktësitë në deklarim dhe balanca negative e fondeve në vlerën 133 mijë lekë në një vit në rastin kur vlera e një apartamenti me sipërfaqe 93.09 m2 i blerë në vitin 2000 është çmuar 28 mijë USD, ose 1.2 milionë lekë nëse do të konsiderohej se ishte blerë për 36 mijë USD, e përqendruar në një vit të vetëm, si dhe duke vlerësuar faktin se subjekti ka një karrierë më shumë se 30- vjeçare si prokuror, është konkluduar se nuk janë të mjaftueshme për të sjellë penalizim.

“Duke gjykuar mbi bazën e parimit të proporcionalitetit, vlera e bilancit negativ zë një peshë krahasimisht të vogël në raport me vlerën e blerjes së pasurive objekt kontrolli, si dhe nga analiza financiare e kryer për çdo vit subjekti rezulton me balanca pozitive të të ardhurave dhe shpenzimeve në një shumë totale prej 10,739,146 lekësh, për pasojë kjo vlerë negative nuk duhet të ndikojë në vlerësimin tërësor të pasurisë së subjektit”, konkludon KPK dhe arrin në përfundimin se Bash aka arritur nivel të besueshëm për pasurinë. Po ashtu, u vlerësua se ka arritur nivel të besueshëm për figurën dhe kualifikues për profesionalizmin.

Por, ONM i rekomandon Komisionerët Publikë që të kryejnë ankim ndaj të gjitha rezultateve të vlerësimit të pasurisë.

Lidhur me blerjen e apartamentit, ONM vëren se KPK vlerësoi se çmimi i blerjes ishte 28 mijë USD, por e konsideron si një supozim këtë vlerë dhe çmon se duhej të ishte vlerësuar me më shumë kujdes dhe nuk duhej të ishte përdorur për arsyetimin dhe konkluzionet përfundimtare.

Sipas ONM, megjithëse subjekti ka këmbëngulur se ka paguar 28 mijë euro për apartamentin, provat janë kontradiktore pasi ka rezultuar se është marrë dhe një kredi 8 mijë euro për blerje apartamenti.

“Duke pasur parasysh përmbajtjen e kontratës së shitjes ku thuhet se çmimi është paguar tërësisht jashtë zyrës së noterit dhe deklaratave bankare që dëshmojnë për lëvrimin e 8.000 USD, vëzhguesit ndërkombëtarë besojnë se çmimi real që duhet të konsiderohet për apartamentin është 36 000 USD dhe jo 28 000 USD”, thuhet në rekomandim dhe shtohet se përgjigjet e pyetësorit dhe komentet që ka siguruar subjekti nga shoqëria ndërutese nuk mund të konsiderohen si prova të besueshme.

“Në të vërtetë, në Shqipëri nuk ndodh rrallë që vlera e deklaruar në kontratën e shitjes së një pasurie të paluajtshme të jetë më e ulët se vlera reale e rënë dakord ndërmjet palëve, që blerësi të financohet nga banka me një pjesë të çmimit të deklaruar në kontratë e cila nuk është”, vëren ONM dhe konkludon se është i pabazuar në prova konkluzioni i KPK se shuma e kredisë ka shërbyer për shlyerjen e vlerës 28 mijë euro.

Në vijim, ONM vlerëson se bashaj nuk ka dorëzuar asnjë provë të besueshme dokumentare për dy hua, një në shumën 2000 USD dhe tjetrën 1500 USD.

Po ashtu, në rekomandim kundërshtohet edhe konstatimi i KPK, se huadhënësit kishin pasur mundësi financiare për këto shuma. “Duket se KPK-ja i ka përcaktuar kapacitetet financiare të huadhënësve duke u hequr vetëm kostot e jetesës nga të ardhurat e tyre. KPK as nuk ka pyetur dhe as ka hetuar nëse huadhënësit kanë pasur fëmijë, nëse kanë blerë pasuri të paluajtshme apo kanë bërë investime të tjera, si dhe as nuk kanë kontrolluar nëse kanë detyrime apo shpenzime të tjera financiare për familjet e tyre”, evidenton ONM dhe e cilëson si të vështirë të ndajë të njëjtin qëndrim me Komisionin për këto gjetje.

Në rekomandim thuhet se mosdeklarimi i shlyerjes së borxheve, është një pasaktësi shtesë ndaj pretendimeve të subjektit.

Vëzhguesit ndërkombëtarë çmojnë se konfirmimi i Bashajt është rezultat i një hetimi jokoherent dhe jo të plotë të kryer nga KPK në krriterin e pasurisë. “Provat e përdorura nga KPK për konkluzionet dhe vendimin e saj janë larg të qënit të besueshme ose në përputhje me provat e tjera të mbledhura gjatë këtij procesi rivlerësimi”, citohet në rekomandim dhe theksohet se KPK duhej të kishte arritur një përfundim tjetër në përputhje me atë që është paraqitur në rekomandim.

Në përfundim, ONM i fton Komisionerët Publikë, që veç gjetjeve të paraqitura në rekomandim, të përfshijnë në ankimin e tyre edhe konstatime e arsyetime shtesë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *