KPK duke shpallur një vendim | Foto : LSA
Vendi

Julian Kristo u dorëhoq pasi u njoh me rezultatet e vetingut 2-vjeçar ndaj tij

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka vendosur më 28 dhjetor 2021 të ndëpresë procesin e rivlerësimit kalimtar për prokurorin e Korçës, Julian Kristo pas dorëheqjes së tij nga detyra, si dhe i ka ndaluar rikthimin në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Vetingu për prokurorin Kristo ka  filluar në dhjetor të vitit 2019 dhe pas një viti e gjysmë, trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Suela Zhegun, ka vendosur të administrojë edhe dosjen e hetimit administrativ të bashkëshorte së tij, gjyqtares së Korçës Ariola Kristo.

Kjo e fundit u shkarkua nga detyra më 8 shtator 2021, pasi u konkludua se nuk arriti të provojë ligjshmërinë e gjithë burimeve të deklaruara se kishin shërbyer për ndërtimin e një banese me tre kate + bodrum, si dhe për mobilimin dhe investimet e tjera në këtë objekt.

Megjithatë, prokurori Julian Kristo është shprehur për trupën gjykuese, se u qëndronte të gjitha deklarimeve të bashkëshortes Ariola Kristo të dhëna gjatë procesit të rivlerësimit të saj.

Dy muaj pas shkarkimit të bashkëshortes, Komisioni e ka njoftuar prokurorin Kristo për mbylljen e hetimit kryesisht dhe kalimin e barrës së provës vetëm për kriterin e pasurisë. Më datë 17 nëntor, Kristo ka njoftuar se më 15 nëntor kishte depozituar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP kërkesën për dorëheqje.

Në vijim KLP ka njoftuar Komisionin për vendimarrjen për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për prokurorin Julian Kristo, për shkak të dorëheqjes së tij. Kristo nuk ka paraqitur ankim, si dhe nuk ka preferuar të dëgjohet në seancë dëgjimore lidhur me procesin për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit.

Në përfundim, trupa e KPK ka vendosur të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për prokurorin Julian Kristo, si dhe i ka ndaluar emërimin si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *