Trupa e KPA gjatë vendimit për ish-inspektorin Pirro Samara. Screenshot nga trasmetimi i KPA në Youtube.
Analiza KPA Vendi

KPA prish vendimin e Komisionit, ish-inspektori i KLD, Piro Samara ishte subjekt rivlerësimi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit e vlerësoi të gabuar konkluzionin e Komisionit se, ish-inspektori i KLD-së Piro Samara nuk mund të rivlerësohej pasi  nuk gëzonte statusin e magjistratit, ndërsa çmoi se ai ishte subjekt i rivlerësimit ex officio. 

Trupa e KPA gjatë vendimit për ish-inspektorin Pirro Samara. Screenshot nga trasmetimi i KPA në Youtube.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi më 13 janar 2021 të ndryshojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për mosnisjen e procesit të rivlerësimit ndaj inspektorit pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD, Piro Samara.

KPA arsyetoi se edhe pse nuk kishte pasur status, Samara duhej t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit ex officio.

Komisioni e mbështeti konkluzionin në vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGj të datës 22 tetor 2019 që kishte deklaruar mospatjen e statusit të magjistratit nga Piro Samara. Sipas KPK, për shkak të mungesës së statusit të magjistratit, Smara nuk mund të jetë subjekt i procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët dhe për pasojë objekti i procedurës së rivlerësimit ishte bërë i pamundur.

Vendimi i Komisionit u ankua nga Komisioneri Publik, Darjel Sina duke pretenduar se në momentin e hyrjes në fuqi të legjislacionit të rivlerësimit, Samara ishte subjekt rivlerësimi ex officio për shkak të ushtrimit të funksionit të inspektorit në ish-KLD.

Sipas Sinës, Komisioni nuk kishte identifikuar dhe vlerësuar drejt faktet dhe rrethanat ligjore mbi të cilat ka pushuar procesin e rivlerësimit. Komisioneri shton se nëse do të kishte dorëheqje nga detyra të Samarës, atëherë do të duhej të caktohej edhe sanksioni që ndalon emërimin e subjektit në institucionet e drejtësisë gjatë 15-viteve të ardhshme.

Kolegji vëren se, bazuar në ligjin e vitit 2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, procesit të rivlerësimit ex officio i nënshtrohen të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të gjithë prokurorët, duke përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm, kryeinspektorin dhe inspektorët e tjerë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

“Në këto kushte, Kolegji vlerëson se subjekti i rivlerësimit e ka fituar këtë status ligjor që në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve Kushtetuese e, për pasojë, do të duhej t’i nënshtrohej ex officio procesit të rivlerësimit kalimtar”, shprehet trupi gjykues i KPA i kryesuar nga rezarta Schuetz, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Albana shtyllën, Natasha Mulajn e Ardian Hajdarin.

Ndërkohë, Kolegji konstaton se Piro Samara ka qenë i emëruar në pozicionin e inspektorit të ish-KLD-së nga kategoria e inspektorëve jomagjistratë.  Bazuar në këtë veçori, Komisioni ka arsyetuar se ai nuk ishte subjekt i rivlerësimit dhe se procesi i rivlerësimit për të nuk duhet të nisë ose duhet të pushohet. Kolegji e konsideron këtë konkluzion të Komisionit në kundërshtim me ligjin.

Kolegji e analizoi vendimin e KLGj-së në raport me parashikimet e parashikuara në nenin 179/b të Kushtetutës, që i japin statusin e subjektit të rivlerësimit, inspektorit të KLD-së që gjendet në këtë detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese.

Sipas vlerësimit të trupit gjykues, pavarësisht se subjekti nuk gëzonte statusin e magjistratit sipas vendimmarrjes së KLGj-së, ai vazhdonte të ruante statusin e subjektit të rivlerësimit dhe Komisioni duhej të kishte verifikuar vullnetin e Samarës nëse do të qëndronte ose jo në detyrën e inspektorit të KLGj-së në periudhën transitore, deri në krijimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ku ai mund të transferohej.

Kolegji konstaton se Komisioni ka përdorur si argument në vendimmarrjen e tij edhe mbushjen e moshës së pensionit. Gjatë shqyrtimit të çështjes në KPA është administruar si provë nga KLGj, kërkesa për dorëheqje të parevokueshme nga detyra e Samarës, për arsye shëndetësore.

Kolegji evidenton se, për të zgjidhur çështjen, Komisioni duhej të kishte konsideruar faktin se Samara në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, në korrik 2016, ka ushtruar funksionin e inspektorit pranë KLGj-së, duke u klasifikuar si subjekt rivlerësimi ex officio.

Në përfundim, KPA vlerëson se Komisioni duhej të kishte vendosur të ndërpriste procesin e rivlerësimit të Samarës për shkak të dorëheqjes së tij dhe të aplikonte nenin G, të pikës 2 të  Aneksit të Kushtetutës, e cila parashikon ndalimin e emërimit të subjektit në institucionet e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *