Kolegji i Apelimit rrëzoi pretendimet e Arben Nelës për lapsuse e pasaktësi
Analiza

Kolegji i Apelimit rrëzoi pretendimet e Arben Nelës për lapsuse e pasaktësi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzoi të gjitha pretendimet e ish-prokurorit Arben Nela, duke lënë në fuqi vendimin e shkarkimit të KPK-së dhe duke arritur në të njëjtin përfundim se ai kishte bërë  “fshehje e deklarim të rremë pasurie”.

Ish-prokurori i prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë Arben Nela duke dalë nga seanca e KPK-së | Foto nga : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, ka rrëzuar të gjitha pretendimet e prokurorit të Prokurorisë së Tiranës, Arben Nela ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për shkarkimin e tij nga detyra. KPA thekson në vendimin e zbardhur se gjetjet e KPK sa i përket pasurive të Nelës ishin të drejta dhe se ankimi i ish-prokurorit nuk ishte i bazuar.

KPA rrëzoi po ashtu pretendimet e Nelës për shkelje procedurale nga Komisioni, përfshi pretendimin e tij se “pasi kishte paraqitur provat e veta, duhej që KPK të provonte të kundërtën e tyre”. Kolegji po ashtu e gjeti Nelën me fshehje të pasurisë, deklarime të ndryshme dhe theksoi se arsyetimi i tij se një pjesë e gjetjeve ishin lapsuse nuk qëndronte dhe nuk e shfajësonte.

Prokurori Arben Nela i përkiste listave prioritare të vetingut pasi ishte kandidat për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Sipas hetimit në KPK, Nela u gjet me probleme lidhur me një apartament 99.4 m2 në rrugën “Frederik Shiroka” në Tiranë, një ndërtesë tre katëshe në Lanabregas me truall 1090 m2 kur prokurori zotëronte një sipërfaqe prej 136 m2, si edhe një apartament prej 67 m2 i blerë nga bashkëshortja në vitin 2012. Komisioni e përfundoi hetimin për Nelën vetëm për kriterin e pasurisë.

Nela u ankua në KPA duke pretenduar se KPK kishte qenë e njëanshme, nuk kishte marrë parasysh provat e tij dhe kishte bërë vlerësim të gabuar të pasurive.

Në përfundim të procesit, KPA doli me të njëjtin përfundim me KPK, se Nela ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë, duke bërë deklarim të rremë e fshehur burimin e krijimit të të gjitha pasurive.

Trupa gjykuese e KPA e përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Natasha Mulaj relatore dhe Albana Shtylla, Ina Rama e Sokol Çomo anëtarë, vendosi në dhomë këshillimi të lërë në fuqi gjithë gjetjet e KPK-së duke i cilësuar ato të drejta. Po ashtu, KPA ka rrëzuar edhe pretendimet e Nelës se i ishin shkelur të drejtat dhe se KPK kishte bërë shkelje proceduriale.

Pretendimet proceduriale

Në ankimin ndaj vendimit të KPK-së për shkarkimin e tij nga detyra, prokurori Arben Nela ka ngritur një sërë pretendimesh lidhur me ligjshmërinë e procesit. Lidhur me shkaqet procedurale, Nela ka pretenduar se ndaj tij është zhvilluar një proces i parregullt ligjor në cënim të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.  Ai ka theksuar se Komisioni nuk e kishte njohur me materialet e dosjes, konkretisht me analizën financiare.

Por KPA e rrëzoi këtë pretendim. Kolegji bën me dije gjithë procedurën e ndjekur dhe vë në dukje faktin që Nela ishte informuar disa herë për rezultatet e hetimit. Sipas KPA-së, dosja dhe materialet e saj i ishin dorëzuar vëllait të ish-prokurorit me detyrë avokat, i cili kishte pasur prokurë përfaqësimi.

Pretendimi i Nelës se vetëm një ditë përpara seancës dëgjimore, i është vënë në dispozicion metodologjia e përdorur për këtë analizë apo që mungonin vendimet e ndërmjetme të KPK për mos thirrje dëshmitarësh apo mosmarrje parasysh të provave, KPA u është përgjigjur se Komisioni kishte zbatuar procedurat në mënyrë të rregullt.

Kolegji arsyeton në vendim se Nela ishte njohur në qershor për rezultatet e hetimit dhe një kërkesë të dytë të tij për KPK, nëse rezultatet kishin ndryshuar, Komisioni i është përgjigjur një ditë para seancës, por duke e vënë në dijeni se rezultatet ishin të njëjtat me ato që ai kishte mësuar një muaj më herët. Lidhur me një ankim të ngjashëm dhe pretendimin për një proces të padrejtë, KPA thotë se “Komisioni e ka njohur subjektin e rivlerësimit në çdo hap procedural me rezultatet e hetimit administrativ”.

Pretendimi se nuk kishte vendim të ndërmjetëm të arsyetuar nga ana e Komisionit për refuzimin e marrjes së disa provave të dorëzuara prej tij dhe mosthirrjen e dëshmitarëve, KPA e arsyetoi se nuk kishte qenë i nevojshëm. “Provat që ka administruar kishin përmbushur plotësisht nevojat e hetimit administrativ, kështu që pyetja e dëshmitarëve ka qenë e panevojshme,” shprehet Kolegji.

Kolegji rrëzoi edhe pretendimin se i ishte shkelur e drejta për t’u dëgjuar, duke vënë në dukje se seanca dëgjimore kishte zgjatur tre orë dhe se kërkesa për t’i dhënë shpjegimet në mënyrë të përmbledhur nuk ishte cënim i kësaj të drejte.

KPA ka rrëzuar edhe pretendimet e tjera të Nelës, kryesisht mbi prezumimin e pafajësisë, paragjykimin e procesit të përfunduar me një kriter e të ngjashme, duke vënë në dukje se Komisioni kishte zbatuar në të gjitha rastet ligjin. KPA rithekson se hetimi në të tre kriteret nuk ishte i nevojshëm.

Pretendimi i ish-prokurorit se ishte trajtuar nga KPK me një standard të ndryshëm, pasi sipas tij në një rast Komisioni kishte pranuar si gabim të paqëllimshëm pasaktësitë në deklarimin veting, KPA është përgjigjur duke theksuar se ishte ajo që kishte “autoritetin” të bënte unifikimin e vendimeve. “Trupi gjykues vlerëson se standardi i përdorur nga Kolegji është i njëjtë për të gjitha subjektet, ndërkohë që orientimin për Komisionin, Kolegji e bën nëpërmjet vendimeve të dhëna,” thuhet në vendim.

Ankimi i rrëzuar për pasuritë

Prokurori Arben Nela pretendoi po ashtu se “nuk ka fshehur pasurinë, nuk ka kryer deklarim të rremë dhe se deklarimet janë të vërteta, të sakta e në përputhje me ligjin”. Ai i quan të ligjshme të ardhurat e tij dhe të personave të lidhur, ndërsa shton se pasaktësitë në deklarim nuk mund të konsiderohen si deklarim i rremë, fshehje apo mungesë burimesh të ligjshme, pasi mungon dashja. “Pra janë pasaktësi të bëra pa qëllim,” thotë ai në ankim. Por sipas KPA-së, këto pretendime nuk qëndronin dhe se ishin të pambështetura në prova.

Fillimisht KPA rrëzoi pretendimin e Nelës se kishte bërë lapsus në deklarimin mbi një apartament 99.4 metra katrorë, për të cilin ishin verifikuar kontradikta në deklarimin vjetor në vitin 2006 dhe atë veting.

Kolegji shprehet se ky pretendim nuk qëndronte. “Trupi gjykues vlerëson se ky deklarim nuk mund të jetë lapsus, pasi nga subjekti i rivlerësimit, viti 2006, si vit i nënshkrimit të kontratës, tregohet dy herë brenda së njëjtës deklaratë, një herë si moment i krijimit të pasurisë dhe një herë si kohë e lidhjes së kontratës paraprake të shitjes,” thuhet në arsyetim.

Lidhur me vlerësimin e pasurisë të kryer nga KPK, prokurori Nela pretendon se Komisioni ka gabuar kur arsyeton se pagesa e apartamentit 99.4 m2 në Tiranë është bërë përmes bankës, duke deklaruar se janë kryer cash në arkën e shoqërisë përmes mandatpagesave të vitit 2004, në shumën 8335 euro; të vitit 2005 në shumën 8.000 euro dhe të vitit 2006, në shumën 25.000 euro.

Por KPA gjeti njësoj si Komisioni se pagesat ishin bërë përmes bankës. Kolegji arsyeton se mandatpagesat e paraqitura nga Nela nuk mund të merreshin si prova, pasi ishin të parregullta dhe u mungonin një sërë elementësh, përfshi emërtimin e ndërmarrjes që i lëshonte apo adresën e saj.

Po ashtu, KPA thotë se ndërmarrja në fjalë ishte përthithur nga një tjetër kompani dhe se mandatpagesat e lëshuara pas qershorit 2004 ishin të pabesueshme. “Shoqëria “{***}” ShPK nuk ka ekzistuar pas datës 30.06.2004, pra ka humbur personalitetin juridik të saj, si rrjedhojë likuidimet e subjektit të rivlerësimit në datat 20.12.2005 dhe 18.09.2006 janë të pabesueshme,” thuhet në arsyetim.

Nela justifikohet në ankim se kursimet dhe gjendja cash nuk janë pasqyruar në deklaratat periodike të pasurisë të viteve 2003, 2004 dhe 2005, për shkak se nuk është treguar kujdesi i duhur, por thotë se pasaktësitë nuk mund të konsiderohen si deklarim i rremë, fshehje apo mungesë burimesh të ligjshme.

Kolegji e cilësoi këtë pretendim të pabazuar. “Pohimi që ai bën në shpjegimet ndaj rezultateve të hetimit pranë Komisionit, si dhe në ankim, se ka pasur mundësi të kursejë nga të ardhurat, por nuk i ka deklaruar në deklarimet e pasurisë, nuk mund të merret parasysh, si i pambështetur në prova dhe në ligj,” thuhet në arsyetim.

KPA arriti në të njëjtat përfundime si Komisioni, sa i përket një huaje 25 mijë euro, një kredie konsumatore 1 milion lekë dhe veprimeve të tjera të kryera nga Nela për këtë pasuri.

Po ashtu Kolegji gjeti se qëndrimet e Nelës mbi një pasuri në fshatin Lanabregas ishin të pabazuara në prova.

Në vendim pasqyrohet se Nela pretendonte se Komisioni kishte gabuar, kur ka arritur në përfundimin se ai nuk ka deklaruar pronësinë mbi truallin 300 m2 në Lanabregas duke pretenduar se nga shkresat e ZVRPP Tiranë rezulton se ai ka në pronësi vetëm apartamentin 121,6 m2 dhe jo truallin. Këtë ai e konsideron pasaktësi, por jo fshehje të pasurisë.

Por Kolegji e cilësoi mosdeklarimin si fshehje të pasurisë. “Mosdeklarimi i truallit prej subjektit të rivlerësimit përbën fshehje të pasurisë, pasi ai nuk është deklaruar në asnjë moment prej tij,” thuhet në arsyetim. Kolegji bën me dije se Nela nuk kishte deklaruar truallin as kur ishte bërë pjesëtimi i tij me të afërmit.

Pretendimet e Nelës për kostot e ndërtimit të katit të parë mbi këtë truall, pasjes prej prindërve të tij të të ardhurave për ndërtimin e këtij kati dhe të ngjashme, u rrëzuan nga Kolegji me të njëtat argumenta si Komisioni. KPA vlerësoi se prindërve të Nelës u mungonin më shumë se 3 milionë lekë për të justifikuar investimin.

Ngjashëm me këtë u bë edhe vlerësimi sa i takon pjesës së vëllezërve në këtë pasuri dhe konsiderimit apo jo të tyre persona të lidhur. KPA rrëzoi pretendimin e Nelës për të konsideruar të gabuara përfundimet e Komisionit që vëllezërit e tij ishin persona të tjerë të lidhur.

Në përfundim të vlerësimit për pasurinë, KPA gjeti se Nela kishte bërë një sërë shkeljesh. “Në përfundim, për këtë pasuri, trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë, ka mungesë burimi financiar të ligjshëm për të justifikuar pasurinë dhe ka kryer fshehje të pasurisë”, thuhet në vendim.

Për pasurinë apartament me sipërfaqe 67,6 m2 , Nela pretendon se Komisioni ka gabuar kur ka konkluduar ai dhe bashkëshortja nuk kanë pasur të ardhura të mjaftueshme nga burime të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie.

Ai e cilëson të padrejtë konkluzionin e Komisionit për mungesë dokumentacioni provues ligjor për të vërtetuar të ardhurat e siguruara nga bashkëshortja, të përfituara nga një kontratë pune prej 1 marsit 2006, deri në vitin 2012. Nela pretendon se për këtë shërbim bashkëshortja ka përfituar të ardhurat e deklaruara në vite, në vlerën 3.718.500 lekë.

Por Kolegji gjeti edhe këtu shkelje të ngjashme, duke konfirmuar se kishte mungesë burimesh të ligjshme. Sipas KPA-së edhe një përpjekje e Nelës për të paguar tatimet për të ardhurat e bashkëshortes në vitin 2018, i bënte këto të pabesueshme.

“Për sa më sipër, tatimet e paguara gjatë procesit të rivlerësimit për të ardhura të viteve 2006-2012, nuk e bindin trupin gjykues për ligjshmërinë e këtyre të ardhurave, pasi duket qartë që kjo pagesë është bërë për efekt të procesit të rivlerësimit,” thuhet në arsyetim. Në fund, Nela u gjet se nuk justifikonte me burime të ligjshme asnjë prej tre pasurive të hetuara, kishte pasaktësi në deklarime, fshehje pasurie dhe probleme të tjera. Kolegji thotë se pas shqyrtimit të dosjes në dhomë këshillimi arriti në të njëjtat përfundime si Komisioni duke vendosur shkarkimin e Nelës për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *