Gjyqtari i Gjykates se Tiranes, Astrit Faqolli, | Foto nga : LSA
Analiza Artikull kryesor Analiza KPA Në Fokus

Analiza financiare e KPA vulosi fatin e Astrit Faqollit

Gjyqtari i Tiranës i cili ishte konfirmuar në KPK, u rrëzua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pasi analiza financiare e gjeti me mungesë burimesh dhe deklarim të pamjaftueshëm. KPA rrëzoi gjithashtu disa arsyetime të KPK-së duke i cilësuar si të pambështetura në ligj. 

Gjyqtari i Gjykates se Tiranes, Astrit Faqolli, | Foto nga : LSA

Marzhi në fitimet e farmacisë së bashkëshortes, deklarimi i pasaktë i kursimeve me lek të vjetër në vend të lekëve të rinj, deklarimet kontradiktore dhe burimi i ligjshëm i huave të marra nga të afërm, penalizuan ish-gjyqtarin Astrit Faqolli pas apelimit të Komisionerit Publik në KPA.

Kolegji, i cili vendosi shkarkimin e Faqollit për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë, arsyeton në vendimin e zbardhur se ish-gjyqtari duhej të kishte treguar saktësi në deklarimet periodike dhe ato veting.

“Si gjyqtar, prej tij pritet seriozitet në plotësimin e deklaratave zyrtare të rëndësisë që paraqesin deklaratat periodike vjetore”, thuhet në arsyetimin e KPA.

Pesë anëtarët e trupës që rihetuan rastin e Faqollit shprehen pas analizës financiare të bërë nga Kolegji se ai nuk kishte mundësi të realizonte kursimet e deklaruara. Ata vënë në dyshim fitimet e pretenduara dhe një sërë kontratash të nënshkruara nga ish-gjyqtari.

Pretendimi i Faqollit se ishte para pamundësive objektive për të siguruar dokumente që mund të rrëzonin apelimin e Komisionerit Publik, u cilësua i pambështetur nga Kolegji. Po ashtu Kolegji rrëzoi disa arsyetime të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, përfshi argumentimin e këtij të fundit se pasaktësitë ishin të paqëllimta. KPA shprehet në vendim se institucionet e vetingut ishin për të analizuar saktësinë dhe vërtetësinë e deklarimeve dhe jo “qëllimin e subjekteve të rivlerësimit”.

Trupa gjykuese e KPA, e kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Ina Rama, Luan Daci dhe Sokol Çomo, vendosi në fund të prillit pas disa seancash të ndryshojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), i cili më 25 korrik 2018 vendosi konfirmimin në detyrë të Faqollit, pas procesit të rivlerësimit në të tri kriteret. KPA bëri me dije se vendimi ishte bazuar vetëm në kriterin e pasurisë, i cili kishte qenë edhe objekt ankimi, prej Komisionerit Publik Florjan Ballhysa.

Astrit Faqolli e filloi karrierën në Gjykatën e Librazhdit ku ka punuar deri në vitin 2003. Me tej ai është transferuar  si inspektor në Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku ka punuar gjatë viteve 2003-2010. Në vitin 2010, Faqolli u emërua gjyqtar në Gjykatën e Durrësit dhe prej vitit 2013 ushtronte detyrën në Gjykatën e Tiranës.

Ankimi dhe kundërshtimet

Komisionerit Publik u ankua në KPA pas vendimit të konfirmimit të Faqollit duke pretenduar ndër të tjera se ai nuk kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për të blerë një shtëpi 83,3 m2 në Tiranë me vlerë 42 mijë euro në vitin 2006.

Sipas Komisionerit Faqolli kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm sa i përket burimit të këtij apartamenti dhe kishte mungesë të burimeve të ligjshme – pasi marzhi i fitimit i farmacisë të bashkëshortes ishte më i ulët se ai i llogaritur nga KPK. Gjithashtu Kolegji shprehet se subjekti nëpërmjet një deklarimi të kursimeve në lekë të vjetra kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm, nuk provonte burimin e ligjshëm të huasë nga një i afërm dhe nuk dëshmonte me dokumente të ardhurat nga shitja e një makine.

Komisioneri po ashtu ankimoi dhe kërkoi hetim për mungesë burimesh të ligjshme për një ndërtesë tre katëshe mbi një truall 32 metra në Librazhd të ndërtuar në vitin 2011, deklarimet kontradiktore në vite mbi kursimet dhe të ardhurat dhe paaftësinë e Faqollit për të shlyer në vitin 2016, pjesë nga dy hua të marra prej tij.

Faqolli i kërkoi KPA të linte në fuqi vendimin e KPK. Ai kërkoi megjithatë riçelje të hetimit dhe kohë për të sjellë prova të reja. Ish-gjyqtari pretendoi se pretendimet e Komisionerit nuk qëndronin.

Ai kërkoi që marzhi i fitimit për farmacinë të llogaritej 40 për qind siç ishte bërë nga KPK, të merrej parasysh puna e tij para vitit 1997 në llogaritjen e kursimeve deri në blerjen e apartamentit. Të merrej parasysh që me mbylljen e farmacisë atij i ishin kthyer 2 milion lekë, për mallin që kishte kthyer pas në depo farmaceutike.

Ai pretendoi se mosdeklarimi i një huaje në deklaratën veting ishte bërë pasi ajo ishte shlyer dhe prej atij momenti burim i ligjshëm duhej të konsideroheshin kursimet e tij. Ai pretendoi se huadhënësit kishin pasur burime të ligjshme dhe se ai vetë dhe bashkëshortja kishin pasur mundësi financiare për të kursyer shumat që u ishin dashur për të bërë shpenzimet.

Ai i vuri në dispozicion Kolegjit një sërë provash që ilustronin pretendimet e tij, përballë apelimit nga Komisioneri Publik.  

Analiza në KPA

Siç del nga vendimi i zbardhur fati i çështjes në Kolegj u vendos nga analiza financiare. KPA rihapi hetimet dhe mori prova të reja, por nga vendimi rezulton se analiza e re financiare e bërë nga Kolegji minoi mundësitë e Faqollit për të qëndruar në detyrë.

Duke përcaktuar marzhin e fitimit prej farmacisë bazuar në një vendim të qeverisë të vitit 1995, KPA gjeti se Faqolli nuk i kishte mundësitë të bënte kursimet e deklaruara.

“Nëse marzhi i fitimit përllogaritet 35% mbi çmimin e blerjes, kursimi maksimal nga ky biznes mund të arrinte deri në 3.149.859 lekë”, thuhet në vendim.

Faqolli pretendonte se farmacia kishte një marzh fitimi prej 40 për qind – fakt i pranuar nga KPK, dhe kursime që arrinin në vlerën e 5 milion lekëve, shumë që do ishte e mjaftueshme për të blerë shtëpinë.

KPA e rrëzoi këtë pretendim. Trupa gjykuese vuri në dukje se Faqolli nuk e provoi dot pretendimin e tij me dokumente. Kolegji po ashtu rrëzoi pretendimin se me likuidimin e farmacisë, Faqollit i ishin kthyer pas 2 milion lekë mall i blerë.

Kolegji shprehet se duke ndjekur një logjikë të thjeshtë, “gjendja e pretenduar e mallit të mbetur në fund të aktivitetit farmaci, duket se bie ndesh me parashikimin e xhiros së mundshme”.

Sipas njësisë që kishte kryer analizën financiare, në fakt ky mall i kthyer pas nuk mund të konsiderohej fitim pasi  “i ka korresponduar një kosto fillestare e cila ka ndikuar në xhiron dhe fitimin e viteve paraardhëse”.

“Rrjedhimisht vëren që edhe duke lënë mënjanë argumentin e provuar nga analiza financiare e kryer në Kolegj, përkundër fashës së tatimeve të paguara dhe xhiros së deklaruar ndër vite, përjashton mundësinë teorike të subjektit dhe personit të lidhur për të fituar në momentin e likuidimit të biznesit “farmaci” rreth 2.000.000 lekë”, thuhet në arsyetim.

Bazuar mbi këtë analizë financiare KPA rrëzoi të gjitha pretendimet e Faqollit në vijim, madje analiza e Kolegjit e nxori Faqollin me një diferencë më të madhe të pambuluar se sa pretendonte Komisionerit Publik.

Ndërsa Komisioneri pretendonte për mungesë të burimeve për 1.1 milion lekë në vitin 2006, analiza financiare e kryer në Kolegj nxori se ai nuk kishte të ardhura të ligjshme për pasurinë e krijuar dhe gjendjen cash në vlerë 1.9 milion lekë.

Rrëzimi i kursimeve dhe deklarimeve të bëra për vitin 2006 dhe qëndrimet kontradiktore të vetë Faqollit në vijim, e bënë të vështirë për ish-gjyqtarit të provonte të kundërtën e pjesës tjetër të ankimimit.

KPA gjeti se ai nuk kishte pasur mundësi të ndërtonte një godinë 3-katëshe në një truall 32 metra në Librazhd.  Duke “u kapur” me vetë fjalët dhe deklarimet e Faqollit, i cili sipas Kolegjit kishte deklaruar shpenzimin e të gjitha kursimeve në vitin 2006 dhe më pas pretendonte se kursimet para këtij viti kishin shërbyer në ndërtimin e godinës, KPA e cilësoi deklarimin për këtë pasuri të pasaktë.

“Sikurse konstatohet, nga njëra anë subjekti deklaron se për blerjen e pasurisë në 2006-ën në Tiranë ka përdorur të gjithë gjendjen cash në shumën 5.180.000 lekë, të akumuluara në vitet 2003, 2004 dhe 2005, ndërsa, nga ana tjetër, deklaron se të njëjtat burime, kursimet para blerjes së shtëpisë në Tiranë (viti 2006) dhe nga të ardhura të tjera, kanë shërbyer për të mbështetur financiarisht krijimin e pasurisë së dytë në vitin 2011, në Librazhd”, thuhet në arsyetim.

Ngjashëm bazuar në analizën financiare u rrëzuan pretendimet e Faqollit për kohën e kthimit pas të huave të marra dhe po ashtu ai u gjet në pamundësi financiare edhe për shpenzime të tjera.

Deklarimet kontradiktore

Nga vendimi i zbardhur i Kolegjit rezulton se Faqolli bindi trupën gjykuese për mundësitë financiare të kunatit për t’i dhënë atij një hua, por veç këtij momenti i gjithë vendimi shkon kundër tij.

KPA në vendim rrëzoi Komisionin e Pavarur të Kualifikimit kryesisht sa i përket mënyrës se si do të cilësoheshin deklarimet e pasakta në deklaratat vjetore dhe përplasja e tyre më deklaratën veting.

Sipas KPA Faqolli kishte deklaruar shpenzime në vlerën e 3 milion lekëve në deklarimin vjetor për krijimin e godinës në Librazhd në vitin 2011 dhe kishte deklaruar shpenzime për këtë pasuri në vlerën 2.78 milion lekë në deklaratën veting.

Komisioni duke pranuar sqarimet e Faqollit e cilësoi jo si shkarkues pasaktësinë, duke arsyetuar pak a shumë se deklarata veting ishte më e rëndësishme se sa deklarimi vjetor, i cili sipas KPK mund të shërbente si provë, por jo si arsye shkarkimi.

Përkundër këtij arsyetimi KPA thotë se asnjë prej deklarimeve nuk ka prioritet. “Trupi gjykues sjell në vëmendje se Kushtetuta nuk duket të ketë parashikuar nga ana formale apo nga një interpretim harmonik i dispozitave përkatëse në asnjë moment vlerën (primare) të deklaratës së pasurisë (vetting) 2017 apo të deklarimeve të pasurisë në vite”, thuhet në arsyetimin e Kolegjit që e cilëson vendimin e KPK-së të pabazuar.

Po ashtu KPA penalizoi Faqollin për pasaktësitë në deklarime. Sipas Kolegjit ai kishte përgjegjësi për të bërë deklarime të sakta. Në arsyetim për këtë pikë dhe argumentin e Komisionit për të pranuar gabimin në deklarimin me lekë të vjetër e të rinj të kursimeve në vitet 2004 dhe 2005, Kolegji duket se ka mbyllur një shteg edhe për subjektet që kanë pretenduar gabime të paqëllimshme në deklaratat vjetore.

Sipas KPA arsyetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit se deklarimi i pasaktë “ishte i paqëllimtë dhe i kryer vetëm në deklarimet periodike dhe jo në deklaratën (veting) 2017, është i gabuar”. Në arsyetim Kolegji bën me dije se “ky arsyetim i Komisionit është në tejkalim të tagrave të këtij të fundit” dhe  “bie ndesh me frymën e dispozitave të Aneksit të Kushtetutës”.

Duke iu kundërvënë argumentit të KPK se ky gabim dukej i paqëllimtë, KPA shprehet se dispozitat ligjore dhe Kushtetuta “nuk duket se lënë vend që institucionet e rivlerësimit të hetojnë qëllimin e subjekteve në procesin e deklarimeve të interesave periodikë vjetorë ndër vite”.

KPA mbajti përgjegjës Faqollin edhe për mos arritjen e sigurimit të dokumenteve për të justifikuar pasuritë. Në vendim arsyetohet se edhe pse ishte vënë në dijeni të ankimimit në korrik 2018 deri në mars 2019 ai nuk kishte bërë përpjekje për të siguruar dokumente. “Nuk ka ndërmarrë hapa seriozë që të provonin pamundësisë e tij objektive për të disponuar dokumentin që provon ligjshmërinë e të ardhurave”, thuhet në vendim.  Të pestë anëtarët e Kolegjit në këtë proces u shprehën në favor të shkarkimit të Faqollit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *