Gjyqtari Gjovalin Pernoca pas seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Foto: E.Hoxhaj
KPA Veting

KPA lë në fuqi shkarkimin e Gjovalin Përnocës

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendoi me 25 korrik të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda Gjovalin Pernoca.

Pernoca u shkarkua nga KPK në 13 shtator 2019. Ai kishte ankuar vendimin në KPA.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha  Mulaj relatore, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, vendosi në dhomë këshillimi të rrëzojë ankimin e Përnocës ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 196, datë 13.09.2019, që i përket subjektit të rivlerësimit Gjovalin Përnoca”, thuhet në vendimin e Kolegjit.

KPK i gjeti Pernocës probleme të pasurisë, për një  apartament me sipërfaqe 108.4 m2 me vlerë 49 860 m2 në katin e gjashtë të një pallati dhe dy garazhe nga 19 m2 të ndodhura në Tiranë, në bashkëpronësi me biznesmenin S.G.  KPK ngriti dyshime edhe për blerjen e një apartamenti në Golem në vlerën 1.9 milionë lekë në vitin 2005, e shitur gjashtë muaj më pas me dyfishin e vlerës; në 3.4 milionë lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *