Gjyqtari Emiljano Ruli pas vendimit të shkarkimit nga KPK. Foto:Vladimir Karaj?BIRN
KPK Veting

KPK shkarkon gjyqtarin Emiljano Ruli

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të premten shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Administrative Emiljano Ruli. Trupa e kryesuar nga Olsi Komici me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin, la të kuptohej se edhe pas rihapjes së hetimeve dhe zbutjes së balancës negative në kriterin e pasurisë, Ruli nuk e kishte provuar të kundërtën e barrës së provës.

Gjyqtarit iu bë me dije në seancën e dytë dëgjimore se KPK kishte pranuar argumentet e tij dhe kishte gjetur se një hua në vlerë 4 milion lekë marrë për blerjen e një apartamenti ishte me burime të ligjshme. Por Komisioni, siç tha relatorja në seancë, i qëndronte sërish mendimit se babai i Rulit nuk kishte pasur të ardhura për huan tjetër në shumën 3 milion lekë. Ruli që ishte gjetur në seancën e parë me bilanc negativ prej 8.2 milion lekësh, kundërshtoi gjetjen dhe këmbënguli se babai i tij kishte pasur të ardhura.

Gjyqtarit po ashtu iu kërkuan shpjegime edhe mbi disa çështje në kriterin e profesionalizmit.

Emiljano Ruli përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Prej vitit 2013, Ruli e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar në seancë ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *