Kledian Llaho në KPK pas konfirmimit në detyrë
KP Lajme Veting

Komisioneri Publik kundërshton si të pabazuar konfirmimin e Kledian Llahos

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi të premten më 17 shkurt 2023 konfirmimin në detyrë të prokurorit të Sarandës, Kledian Llaho duke kërkuar shkarkimin e tij me argumentin se nuk arrin nivel të besueshëm dhe se ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia. Komisioneri ngre shkaqe në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Kledian Llaho u konfirmua më 22 dhjetor 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK i konsideroi bindëse shpjegimet dhe provat e dorëzuara prej tij në kundërshtim të barrës së provës për balancën negative në kriterin e pasurisë, si dhe për konstatimet për figurën dhe profesionalizmin. Megjithatë, ai u konfirmua me shumicë votash bazuar në konkluzionet e arritura prej kryesuesit të trupës Olsi Komici dhe relatores Firdes Shuli. Anëtarja Xhensila Pine doli në pakicë, duke çmuar se Llaho duhej të ishte shkarkuar, pasi gjetjet në kriterin e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe tek denoncimet, çojnë në përfundimin se kishte cënuar besimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Kledian Llaho e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004 si oficer i policisë gjyqësore në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në vitin 2014, ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Vlorës dhe prej vitit 2022 e ushtron funksionin në Prokurorinë e Sarandës, ku aktualisht mban dhe funksionin e drejtuesit.

Shkaqet për pasurinë

Llaho ka deklaruar çeljen e një depozite bankare në vlerën 5 milionë lekë në vitin 2015, me burim të ardhurat e krijuara nga shitja e një apartamenti me sipërfaqe 105 m2. Si burime krijimi për blerjen e apartamentit në Durrës në vitin 2014 kundrejt çmimit 50 mijë euro, subjekti ka deklaruar pjesërisht nga kursimet familjare, një kredi dhe pjesërisht ndihmesë nga prindërit e bashkëshortes.

Nga analiza financiare paraprake për blerjen e apartamentit, Komisioni ka konstatuar balancë negative në shumën 1 milion e 390 mijë lekë. Por, pas kalimit të barrës së provës, subjekti kërkoi që të mospërfshihen shpenzimet për udhëtimet në dy vite, duke pretenduar se janë mbuluar nga puna ose organizatorët. Ai ka dorëzuar dokumentacion për këto pretendime, që është vlerësuar bindës nga ana e Komisionit. Po ashtu, KPK ka gjetur bindës edhe pretendimin tjetër të subjektit se në analizën fillestare për periudhën 2010-2014 janë përfshirë gabimisht ndryshimet dhe gjendjet e likujditeteve.

Nisur nga fakti se për nënën e subjektit janë përllogaritur shpenzime jetike, Komisioni e ka gjetur të drejtë kërkimin e Llahos për përfshirjen e të ardhurave nga pensioni i saj.

Megjithëse nuk është konsideruar në analizë një shumë 7000 euro që është deklaruar nga subjekti se i është dhuruar bashkëshortes nga babai i saj, pas pranimit të disa pretendime, balanca negative është rrudhur duke mbetur në shumën 80 mijë lekë që nuk është konsideruar penalizuese për subjektin.

Ndërsa komisioneri vlerëson se subjekti nuk është i besueshëm në kriterin e pasurisë, pasi gjendet në kushtet e deklarimit kontradiktor, të pasaktë djhe të pamjaftueshëm duke sjellë pamundësi për të verifikuar se cilat prej qëndrimeve të tij pasqyrojnë situatën e vërtetë faktike lidhur me burimin e krijimit të pasurisë.

Ballhysa rendit në ankim konstatimet ku është bazuar për të arritur në këtë vlerësim lidhur me disa nga burimet financiare që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit.

Për një kontribut nga nëna në shumën 600 mijë lekë, komisioneri vëren se subjekti nuk e ka pasqyruar këtë rrethanë në deklaratën “veting” dhe as në atë përpara fillimit të detyrës në 2014-ën. Ai evidenton se të ardhurat e nënës nga pensioni për periudhën 2003 – prill 2011, janë rreth 700 mijë lekë dhe se së bashku me të ardhurat e pretenduara nga shitja e një sipërfaqe toke në bashkëpronësi, janë të pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e jetesës për një person dhe për kursimin e vlerës 600 mijë lekë dhënë subjektit.

Lidhur me burimin e ndihmës së vëllait në shumën 7000 euro nga punësimi i tij në Itali, Ballhysa konstaton se subjekti nuk e ka specifikuar në deklaratën “veting” vlerën, ndërsa në 2014 nuk e ka pasqyruar këtë burim krijimi. Komisioneri sjell në vëmendje se referuar analizës së KPK-së, vëllai i subjektit ka rezultuar me bilanc negativ në vlerën 1668 euro për dhënien e ndihmës 7000 euro. Ai shton se në këtë anlizë, shpenzimet e jetesës për familjen e vëllait të Llahos, nuk janë llogaritur në përputhje me përbërjen familjare dhe me të dhënat e Eurostat-it, ç’ka sipas tij, do të çonte në një pamjaftueshmëri me vlerë më të madhe se ajo e konstatuar nga Komisioni.

Subjekti ka shënuar në deklaratën “veting” dhe në atë të 2014-ës, subjekti ka deklaruar si burim krijimi për apartamentin ndihmesë nga prindërit e bashkëshortes, por pa përcaktuar shumat.

Komisioneri konstaton se Llaho ka qenë kontradikotr dhe i pasaktë në deklarimet e tij lidhur me vlerat dhe kohën e dhënies të këtyre shumave nga prindërit e bashkëshortes. Kjo, pasi në procesverbalin e ILDKPKI-së në vitin 2016 ka deklaruar se vlera monetare e ndihmës ka qenë 1.5 milion lekë dhe ka sqaruar se një pjesë e kësaj ndihme prej 7000 euro janë derdhur në bankë nga vjehrri ose vjehrra në llogarinë e djalit të tij në vitin 2013, kurse gjatë hetimit administrativ ka pretenduar se shuma 1.5 milion lekë i është dhënë gjatë viteve 2010-2011, ndërsa pjesa tjetër në 2013-ën.

Sipas Ballhysës, subjekti ka qenë kontradiktor dhe i pasaktë dhe lidhur me burimin e të ardhurave që kanë shërbyer për dhënien e shumës 1.5 milionë lekë pasi në ILDKPKI ka deklaruar se prindërit e bashkëshortes kanë aktivitet privat prej vitit 1996, ndërsa gjatë hetimit ka pretenduar si burim të ardhurat nga shitja e apartamentit të tyre në vitin 1997.

Komisioneri sjell në vëmendje se prindërit e bashkëshortes, pas shitjes së apartamentit, kanë kryer një investim për ndërtimin e një hoteli në Sarandë, në vlerë të konsiderueshme.

“Prindërit e bashkëshortes së subjektit kanë marrë disa herë kredi bankare në bankat e nivelit të dytë, në funksion të aktivitetit të tyre tregtar. Gjithashtu, dhe të ardhurat e realizuara prej tyre nga ushtrimi i aktivitetit tregtar, referuar të dhënave të administruara në dosjen e ILDKPKI-së deri në vitin 2013, kur është dhënë dhe shuma 7.000 euro, janë në një masë të tillë që nuk mundësojnë mbulimin e shpenzimeve për jetesë, kredi dhe për t’i dhënë subjektit dhe personit të lidhur me të, shumat 1.500.000 lekë dhe 7.000 euro”, vlerëson komisioneri.

Bazuar në këto konstatime, Ballhysa vlerëson se prokurori Kledian Llaho nuk rezulton i besueshëm në kriterin e pasurisë.

Etika

Në hetimin e pasurisë është evidentuar përdorimi i një apartamenti në Vlorë pa kundërshpërblim nga ana e subjektit. Banesa është marrë në përdorim bazuar në një deklaratë noteraiale të shtetasit P.B., si përfaqësues i një shoqërie ndërtuese me administrator shtetasin F.K. Nga hetimi ka rezultuar se Llaho ka shqyrtuar dy çështje penale ku shtetasi F.K. ka qenë kallëzues, për të cilat ka vendosur mosfillimin e hetimeve.

Subjekti ka shpjeguar gjatë hetimit administrativ se shtetasi F.K. dhe shoqëria ndërtuese janë në cilësinë e sipërmarrësit të punimeve në pallat, ku investitorë dhe përfitues të apartamenteve në pjesën më të madhe janë shtetasit P. B. dhe djali i tij E. B., me të cilin është dakordësuar verbalisht për të përdorur apartamentin pa pagesë qiraje, por duke paguar detyrimet për energjinë elektrike dhe konsumin e ujit të pijshëm.

Komisionerja Pine në pakicë vlerësoi se Llaho është gjendur në kushtet e cënimit të besimit në përdorimin e një apartamenti pa kundërshpërblim në Vlorë në vitin 2016. Ajo vëren se megjithëse subjekti ka marrë në përdorim këtë apartament, bazuar në një deklaratë noteriale të shtetasit P.B. si përfaqësues me prokurë i shoqërisë ndërtuese, ai ka ka qenë në marrëdhënie juridike me vetë këtë shoqëri dhe me administratorin, shtetasin F.K.. Sipas saj, lloji i vendimarrjes së subjektit të rivlerësimit për çështjet penale, të referuara nga shtetasi F. K., nuk e përjashton subjektin e rivlerësimit nga detyrimi ligjor që ka pasur për heqjen dorë prej tyre.

Shumica konstatoi se nuk kanë rezultuar të dhëna për konflikt interesi apo të kontakteve të papërshtatshme me shtetasin P.B., personin që ka nënshkruar deklaratën noteriale për dhënien në përdorim të apartamentit.

Ndërkohë, në dy raste kur adminsitratori i shoqërisë, shtetasi F.K., ka qenë i akuzuar, ai ka kërkuar përjashtimin e subjektit nga trajtimi çështjeve – kërkesa që janë pranuar. Ndërsa për dy kallëzimet e kryera prej tij është vendosur mosfillimi hetimit.

Shumica ka e KPK ka konkluduar se shoqëria ndërtuese dhe administratori i saj nuk kanë qenë posedues të asnjë prej apartamenteve në vitin 2016, gjetje që është vlerësuar se përjashton tërësisht mundësinë që të kenë qenë posedues të apartamentit të përdorur nga subjekti.

Ndërsa Komisioneri Publik, vlerëson se prapësimet e subjektit, si dhe qëndrimi i Komisionit nuk mbështeten nga aktet në dosje, në jurisprudencën dhe qëndrimet e Kolegjit në trajtimin e rasteve të ngjashme që kanë të bëjnë me konfliktin e interesit.

Figura dhe profesionalizmi

Komisioneri Publik çmon se Llaho ka dështuar që të japë shpjegime bindëse për të provuar të kundërtën e barrës së provës mbi gjetjet në kriterin profesional.

Një denoncues ka pretenduar se Llaho ka zvarritur dhe pushuar një çështje lidhur me një kallëzim të kryer prej tij për “falsifikim të dokumenteve”, “tjetërsim pronash” dhe “shpërdorim detyre”

Komisioni ka konstatuar se mosrespektimi i afatit tremujor sipas vendimit të gjykatës, është i vetmi rast i kësaj natyre evidentuar për subjektin e rivlerësimit. Por, Komisioneri Publik vlerëson ndryshe, duke konstatuar se në rastet kur gabimet e subjekteve të rivlerësimit evidentohen që përsëriten në mënyrë të vazhdueshme dhe në praktika të ndryshme, përbëjnë përjashtim nga rastet e konfirmimit në detyrë dhe duhet të vlerësohen negativisht. Sipas Ballhysës, këto gjetje duhet të vlerësohen në funksion të parashikimeve ligjore që kanë të bëjnë me cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Në një çështje tjetër, komisioneri vlerëson se subjekti ka treguar mangësi në efikasitetin hetimor, lidhur me ndërmarrjen e hetimit sipas kërkesave ligjore, për të mbledhur provat e kërkuara me ligj, si dhe për të përballuar ngarkesën e punës.

Komsioneri vlerëson ngre shkaqe edhe në kontrollin e figurës, duke çmuar se nga analiza e shkeljeve të konstatuara në dosjet penale të trajtuara në kriterin profesional dhe informacioneve të përcjella nga agjencitë ligjzbatueshe, përftohen indicie dhe perceptime të rëndësishme se integriteti i subjektit të rivlerësimit, do të duhej të konsiderohej me mangësi.

Në përfundim të kontrollit të tre kritereve, Komsioneri Publik arrin në përfundim të njëjtë si pakica e Komisionit, se prokurori Kledian Llaho gjendet në kushtet e cënimit të besimit të publikut dhe kërkon shkarkimin e tij nga detyra.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *