Analiza Komisioneri Publik

Komisioneri Publik rihap vetingun e gjyqtarit Edmond Islamaj

Komisioneri Publik Florian Ballhysa kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit hetim më të detajuar të pasurisë së anëtarit të Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj, duke deklaruar se e kishte gjetur të mangët dhe të paplotë hetimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i cili e konfirmoi gjykatësin në detyrë.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, duke dalë nga një seanceë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto nga : LSA

Edmond Islamaj ishte i pari anëtar i Gjykatës së Lartë që u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) në fillim të qershorit, por procesi për të do të rihapet pas apelimit nga Komisioneri Publik, i cili për herë të parë pas shqyrtimit të 19 vendimeve të zbardhura, konstatoi se hetimet e KPK nuk kishin qenë të plota.

Në kërkesën për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA), komisioneri Ballhysa kërkon hetime të reja për pasurinë e gjykatësit Islamaj, duke i konsideruar të përmbushura dy kriteret e tjera dhe e lë në dorë të këtyre hetimeve vendimin nëse ai duhet të konfirmohet apo jo në detyrë.

“Komisioneri Publik, çmon se procesi i hetimit i Komisionit (KPK) për kriterin e vlerësimit të pasurisë nuk është i plotë, ka mangësi dhe për rrjedhojë në gjendjen që janë aktet nuk mund të konkludohet se subjekti i rivlerësimit ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë së tij”, thuhet në anikimin e Komisionerit Publik.

Ky është ankimi i parë për një proces të përfunduar nga KPK. Më herët Komisioneri, si një ndër tre institucionet e rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë, i cili ka për detyrë përfaqësimin e interesit publik gjatë kryerjes së procesit të vetingut, ishte ankuar për ndalimin e vetingut për ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, ish gjyqtaren e Gjykatës së Lartë Mirela Fana dhe prokurorin e dalë në pension Sulejman Tola.  Në rastin e Llallës KPA la në fuqi vendimin e KPK-së, ndërsa për Tolën institucioni i Komisionerit e tërhoqi ankesën, e cila u pranua në Dhomë Këshilli nga Kolegji me shumicë votës. Seanca dëgjimore ndaj gjyqtares Fana pritet të mbahet më datë 16 korrik.

Vendimi i KPK për Islamaj

Më 7 qershor KPK mori vendim se Islamaj ishte i përshtatshëm për detyrën, duke i cilësuar të kalauar prej tij të tre kriteret e rivlerësimit. Në vendimin e zbardhur sëfundmi, i marrë nga treshja Suela Zhegu, kryesuese, Pamela Qirko, anëtare dhe Genta Tafa (Bungo) relatore,  konstatohet se “subjekti ka arritur një nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë, një nivel të besueshëm  të  kontrollit  të  figurës,  si  dhe  një  nivel  të  lartë  të  vlerësimit  të  aftësive profesionale”.

Specifikisht për pasuritë e anëtarit të Gjykatës së Lartë, KPK shprehet se nuk ka gjetur probleme që mund të çonin në shkarkimin e tij. “Në përfundim të vlerësimit të pasurisë së subjektit, Komisioni konstaton se nga vlerësimi i  provave të marra gjatë këtij hetimi administrativ, ka rezultuar se nuk ka dyshime mbi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe llogaritë e subjektit të rivlerësimit, përfshirë edhe personat e lidhur me të”, thuhet në vendim.

Ndërkohë po ashtu në vendimin e zbardhur evidentohet se subjekti nuk kishte pasur të ardhura të mjaftueshme vetëm për vitin 2015, ndërsa u konsideruan si korrekte deklaratat e pasurisë për vitet e tjera. “Po kështu, në të gjitha rastet e hetuara përputhet deklarimi i subjektit me dokumentacionin e dorëzuar dhe me përgjigjet e ardhura nga organet shtetërore”, thuhet më tej në vendim.

Por këto konkluzione sipas Komisionerit nuk janë të qarta dhe janë marrë pa shteruar hetimin dhe në një rast pa marrë përgjigje nga Prokuroria e Përgjithshme. Komisioneri thotë se gjeti, duke shqyrtuar dokumentet dhe dëshmitë e përdorura po nga KPK se për mjaft pasuri dokumentacioni nuk përputhej me deklarimet e gjykatësit dhe se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte neglizhuar të hetonte më thellë.

Problemet kryesore sipas Komisionerit Florian Ballhysa janë disa transaksione me pasuri të paluajtshme, përfshi një dhuratë nga prindërit e gjykatësit te fëmijët e mitur të këtij të fundit, disa transaksione me shitblerje makinash, kursimet e gjykatësit, bashkëjetueses dhe kursimet e prindërve të tij dhe të bashkëjetueses.

Në ankesë Komisioneri thotë se ai vetë nuk mund të hetonte përtej dokumenteve që kishte mbledhur KPK, por i kërkonte Kolegjit “mbledhjen e fakteve ose të provave” dhe një vendim në varësi të tyre.

Pasuritë me probleme e patundshme

Sipas Komisionerit, KPK nuk kishte ezauruar hetimet për blerjen nga gjykatësi të një toke kullotë në Karpen. Toka një dynym ishte blerë 137.000 lekë nga një çift. Komisioneri thotë se çmimi i blerjes, i deklaruar 137 lekë për metër katrorë, ishte më i ulët se çmimet e referencës të përcaktuara me vendim qeverie në vitin 2014. Duke iu referuar transaksionit Komisioneri thotë se shitësit e kishin blerë pronën vetëm 1 muaj para se t’ia shisnin gjyqtarit.

Sipas Komisionerit KPK nuk ka hetuar përtej deklarimeve dhe se Komisioni duhej të ishte interesuar pranë Zyrës Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP), për të parë nëse çmimi ishte i njëjtë me atë të vendosur në transaksionet e kryera në parcelat pranë asaj të blerë nga gjyqtari.  Ai po ashtu thotë se KPK në këtë rast nuk ka mbajtur të njëjtin standard hetimi të vendosur prej saj gjatë shqyrtimit të rastit të anëtares së Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha.

Po ashtu Komisioneri shprehet se gjeti probleme në deklarimin e bashkëjetueses për tre pasuri të paluajtshme.  Sipas komisionerit partnerja e Islamajt ka deklaruar një apartament në Durrës me sipërfaqe 141 m2, një dyqan 55 m2 dhe një garazh 16 m2 për herë të parë në “deklaratën veting”, ndërkohë q dokumentacioni i pronësisë së këtyre pronave ishte i paqartë dhe KPK nuk kishte hetuar për ta qartësuar.

Sipas Komisionerit një apartamentet me burim një kontratë shit-blerje mes babait dhe bashkëjetueses së gjykatësit në fillim të viteve 2000 ishte regjsitruar në hipotekë në vitin 2002. KPK e ka pranuar këtë transaksion si të saktë dhe gjithashtu ka pranuar edhe çmimi simbolik 1 milion lekë i vendosur për pasurinë me vlerë disa herë më të madhe, duk arsyetuar se rridhte nga marrëdhënia babë-bijë. Por nga ana e tij Komisioneri pretendon se jo gjithçka ishte e sqaruar dhe ai thotë se në ZVRPP pasuritë nuk ishin të rregjistruara me ato numra që ishin raportuar.

Sipas Komisionerit nga dokumentet doli që këto pasuri ishin rregjistruar dhjetë vjet më vonë në vitin 2012 dhe jo në vitin 2002, ndërsa hodhi dyshime se të ardhurat e atëhershme të bashkëjetueses nuk ishin të mjaftueshme as për pagesën prej 1 milion lekësh të deklaruar, duke nënvizuar se partneres së Islamajt i mungonin 269 mije lekë në këtë transaksion. Po ashtu sipas Komisionerit vetë gjykatësi ka bërë kontratat e energjisë në vitin 2001 për këto pasuri, gjë që e detyron atë të japë shpjegime për to që në kohën e krijimit të tyre.

Sipas Komisionerit bashkëjetuesja e gjykatësit nuk është pyetur nëse janë paguar tatimet për pagën e pretenduar nga një Organizatë Jo Qeveritare dhe se KPK “nuk  ka marrë të dhëna nga organet tatimore si në vendimin Nr.12  (gjykatësin Fatos Lulo)”. Në përfundim për këtë pasuri komisioneri kërkon hetim të burimit të 1 milion lekëve për blerjen e pasurisë, verifikim të gabimeve në rregjistrim në hipotekë (duke arsyetuar se këto mund të kenë rezultuar në penalitete financiare që duhej të llogariteshin), marrje informacioni më të plotë nga ZVRPP.

Probleme Komisioneri konstatoi edhe në konkluzionet e KPK-së mbi dy garsionere që bashkëjetuesja e gjykatësit kishte në përdorim. Vetë KPK thotë se deklarimet e subjektit në këtë rast nuk ishin të qarta, por ajo ka pranuar ato pasi ka marrë një dëshmi edhe nga vjehrri i tij.

Ndërkohë Komisioneri është ndalur më gjatë në apartamentin e dhuruar nga prindërit e gjykatësit për fëmijët e këtij të fundit. KPK vetë gjeti se sipas të dhënave bankare, babai i gjykatësit rezulton të ketë marrë borxh 3 milion lekë nga vjehrri dhe këto para ai ia ka transferuar përmes një noteri përsëri krushkut për të paguar apartamentin që i dhuroi fëmijëve të djalit.

Po ashtu KPK dhe Komisioneri pranojnë se në dëshmi qoftë vjerri i subjektit qoftë ai vetë nuk kanë pranuar të kenë dijeni për këtë huamarrje mes dy krushqve. “Ne nuk kemi patur fare lekë”, ka thënë vjerri sipas Komisionerit. “Nuk jam në dijeni që mes tyre të ketë pasur një marrëdhënie huaje, por nuk e përjashtoj mundësinë e një marrëdhënie të tillë”, tha vetë gjykatësi. KPK në fund nuk i ka kushtuar rëndësi këtyre deklarimeve kontradiktore dhe Komisioneri thotë se situata në këtë rast mbetet e paqartë.

Po ashtu ai thotë se nuk është hetuar as pasuria e prindërve pensionistë, nëse në atë kohë kishin apo jo mundësi të bënin një blerje të tillë. Komisioneri thotë se në këtë rast KPK nuk ka kryer hetime të mjaftueshme as për llogaritë bankare të prindërve të gjykatësit dhe të bashkëjetueses dhe nuk del burimi i tyre i ligjshëm. Komisioneri po ashtë hedh dyshime sa i përket dijenisë së gjyqtarit mbi transaksionet, pasi është ai që ka pranuar dhuratën në emër të fëmijëve të mitur.

Transaksionet me automjete

Ngjashëm Komisioneri gjeti të paqarta transaksionet me automjete. Sipas tij KPK nuk kishte hetuar mjaftueshëm as për burimin e ligjshëm të të ardhurave të babait të gjykatësit, të përfshirë si pronarë 60 përqind në blerjen e një makine Land Rover për 21 mijë euro në vitin 2010 dhe as nuk ishte vërtetuar që vërtet 60 përqind e vlerës ishte paguar nga babai.  Komisioneri thotë se për këtë transaksion dokumentet që ishin paraqitur ishin pa vulë e firmë për dy pagesa 10 mijë dhe 5 mijë euro.

Po ashtu Komisioneri thotë se shitja e makinës pas katër vjetësh me një vlerë prej 20 mijë euro te vëllai i pronarit të kompanisë që ia kishte shitur atë fillimisht gjykatësit, nuk është e qartë dhe KPK nuk ka kërkuar shpjegime. KPK në këtë rast ka pranuar që transaksioni mund të ishte bërë në cash, por sipas Komisionerit ajo nuk ka hetuar për të vërtetuar nëse ai ka ndodhur. Komisioneri vëren se makina më pas është shitur nga blerësi, për të cilin gjykatësi ka thënë se kishte marrëdhënie shoqërore, për 5 mijë euro më pak vetëm pas dy ditësh. Komisoneri thotë se hetimi i KPK në këtë rast “ka mangësi në disa elemente”. Ai po ashtu vë re se dokumentet dhe deklaratat nuk përputhen.

Po ashtu një makinë që gjykatësi rezulton ta ketë përdorur dhe nuk e ka deklaruar është vënë në dyshim nga Komisioneri. Sipas tij, makina e marrë nga e njëjta kompani në përdorim, duhej të ishte deklaruar, por gjykatësi ka pretenduar se e kishte përdorur në kohë të shkurtër. Komisioneri thotë se në fakt ai kishte paguar dy vjet siguracionet për këtë makinë dhe po ashtu edhe siguracione për lëvizje jashtë vendit, duke kërkuar të hetohet nëse makina ishte përdorur për një periudhë më të gjatë.

Po ashtu komisoneri gjeti probleme me makina të tjera të deklaruara nga çifti dhe të ardhurat e deklaruar prej tyre nga kursimet. Ndryshe nga KPK, Komisioneri thotë se ata nuk justifikonin kursimet e deklaruara për vitet 2005, 2008, 2009, 2010, 2011, 2012, 2015 në një diferecë prej 4.4 milion lekë.

Komisioneri thotë se disa nga të ardhurat e çiftit përfshi shitjen e makinës për 20 mijë euro nuk mund të konsideroheshin të ardhura të ligjshme. Po ashtu ai kërkoi hetim më të thelluar edhe për mjetet e tjera të përdorura nga gjykatësi. Sipas tij ky i fundit kishte përdorur makinat e 12 personave të ndryshëm, por Prokuroria e Përgjithshme nuk i ktheu KPK-së përgjigje për verifikimin e tyre ndërsa KPK nuk bëri hetime të pavarura. Komisioneri thotë se ky hetim duhet të kryhet.

Po ashtu ai kërkoi që në respekt të rasteve të ngjashme, të hetoheshin sërish udhëtimet jashtë shteti të gjykatësit dhe të verifikoheshin adresat ku ai kishte qëndruar. “Duhej të ishte hetuar ku jetonin të afërmit si në vendimin NR.13”, thuhet në ankim. Megjithatë komisoneri nuk ka bërë një kërkesë të qartë për vendim KPA-së. Ai thotë se Kolegji duhet të hetojë dhe të vendosë nëse do lërë në fuqi vendimin e KPK apo do e rrëzojë atë. “Referuar gjendjes së fakteve (hetimi) nuk ka qenë i plotë dhe i gjithëanshëm për krijimin e bindjes se subjekti i rivlerësimit arrin nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë së tij,” përfundon Komisioneri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *