Trupa gjyqësore e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit gjatë një seance. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
KP Lajme

Komisionerja ankimon mbylljen pa sanksion të vetingut për ish-këshilltarin ligjor

Institucioni i Komisionerëve Publikë njoftoi të premten më 12 maj ankimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për deklarimin e përfundimit të procesit të vetingut ndaj ish-këshilltarit ligjor në Gjykatën e Lartë, Periand Teta, pa një vendim përfundimtar.

Teta ka ushtruar funksionin e ndihmësit ligjor në Gjykatën e Lartë, prej shkurtit 2014 deri në korrik të 2017-ës, kur është liruar nga detyra me me urdhër të ish-kryetarit të atëhershëm.

KPK ka konstatuar se Teta ka dhënë pëlqimin në mënyrë të heshtur për ndërprerjen e kontratës së tij të punës si ndihmës ligjor, pasi nuk e ka ankimuar atë në gjykatë.

Megjithatë Teta i është drejtuar ILDKPKI-së, duke parashtruar kërkesën për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit vullnetarisht si ish-këshilltar, pasi plotësonte kriterin trevjeçar të punësimit që i jepte statusin si ndihmës ligjor.

Pas fillimit të hetimit administrativ për Tetën, Komisioni i ka kërkuar Gjykatës së Lartë informacion për pagesat e tij, prej nga ka rezultuar se periudha efektive e punësimit kur është trajtuar me rrogë, rezultonte nga data 3 shkurt 2014, deri më 18 korrik 2016.

Për shkak se nuk provohej që ai të kishte punuar si ndihmës ligjor për tre vjet, Komisioni çmon se ai nuk e ka gëzuar statusin e këshilltarit ligjor. Në këto kushte, KPK arriti në përfundimin se Teta nuk bën pjesë as në kategorinë e subjekteve të rivlerësimit ex officio dhe as nuk mund të trajtohet si ish-këshilltar ligjor duke arritur në konkluzionin se ai nuk ishte objekt i ligjit të vetingut.

Në përfundim, më datë 28 prill 2023, është vendosur deklarimi i përfundimit të procesit të rivlerësimit, pa një vendim përfundimtar.

Komisionerja Nino çmon se vendimi i Komisionit nuk është i drejtë dhe i bazuar, pasi arsyetimi i fakteve dhe rrethanave ligjore është jo i qartë dhe i pamjaftueshëm për shmangien e zbatimit të nenit G të aneksit të Kushtetuës, ku përcaktohet se në rastet e dorëheqjeve të subjekteve të rivlerësimit, vendoset dhe sanksioni që u ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

“Në rastin konkret, në vlerësimin e Komisionerit Publik, merr rëndësi fakti që subjekti në kohën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit nr. 84/2016, ligjërisht ushtronte funksionin e ndihmësit ligjor në organikën e Gjykatës së Lartë, duke plotësuar në këtë mënyrë përcaktimin e pikës 4, të nenit 179/b, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit ex officio”, argumenton Nino dhe shton se dhe subjekti e ka konsideruar dhe trajtuar veten si subjekt rivlerësimi.

Sipas Ninos, duket se Komisioni merr atributet e një juridiksioni tjetër, duke arsyetuar mbi elementet kontraktuale dhe efekteve ligjore të tyre në marrëdhënien e punës, kur e barazon periudhën e punësimit 2014-2017, me atë kur ka përfituar të ardhura financiare 2014-2016.

Nino cilëson të rëndësishëm vetëm statusin ligjor që gjendet subjekti në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit të vetingut, si dhe vullnetin apo qëndrimin e tij në raport me ecurinë e procesit të rivlerësimit.

Në vijim ajo konstaton, se nga burimet e hapura është mësuar se Teta, pas largimit nga detyra në Gjykatën e Lartë, është emëruar në pozicionin e ri të Inspektorit pranë Drejtorisë së Inspektimit Gjyqësor, si dhe ka drejtuar Drejtorinë e Hartimit të Akteve, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Kodifikimit, në Ministrinë e Drejtësisë. “[…]Emërim që duket se ka qenë me pëlqimin e tij”, vlerëson  Komisionerja.

Duke ju referuar edhe jurispudencës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Nino vlerëson se duket se Teta është në kushtet e dorëheqjes nga detyra e ndihmësit ligjor, duke dhënë një pëlqim të heshtur për ushtrimin e detyrës së re.

“Edhe pse shprehja e vullnetit për të larguar nga marrëdhënia e punës si ndihmësligjor në Gjykatën e Lartë nuk rezulton të jetë bërë me një kërkesë formale nga subjekti, mungesa e kundërshtimit të këtij vendimi, marrë në konsideratë së bashku me faktin që, menjëherë pas largimit nga detyra në Gjykatën e Lartë, me pëlqimin e tij ka vijuar në pozicionin e ri në Ministrinë e Drejtësisë, duket se është shprehje e dakordësisë/pëlqimit të heshtur nga ana e subjektit të rivlerësimit”, argumenton komisionerja Nino dhe vlerëson se ndryshe nga sa ka çmuar Komisioni, nuk janë kushtet e përfundimit të këtij hetimi administrativ pa një vendim përfundimtar.

Sipas saj, subjekti ndodhet në kushtet e ndërprerjes së procesit të rivlerësimit sipas nenit G të aneksit të Kushtetutës.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *