

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të martën se kishte marrë vendim për shkarkimin e gjyqtares së Durrësit Eda Kaja, pas problemeve të gjetura në kriterin e pasurisë.
Në fillim të seancës kryesuesja e trupës Valbona Sanxhaktari njoftoi se fillimisht KPK kishte rrëzuar kërkesën për hapje të hetimit në dy kriteret e tjera dhe bëri me dije se trupa kishte dalë me vendim shkarkimi. Kaja u paraqit në seancë së bashku me përfaqësuesen e saj ligjore, avokaten Romina Zano.
Gjyqtarja Eda Kaja e Gjykatës së Rrethit Durrës u përball më 11 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, ndërsa gjatë seancës dëgjimore që zgjati afro katër orë, u pyet dhe dha shpjegime për problemet e konstatuara për pasurinë.
Gjatë seancës u relatuan një listë e gjatë gjetjesh për disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, për transaksionet e të cilave janë ngritur dyshime për Komisionin për veprime fiktive me qëllim shmangien e detyrimeve. Kaja dhe avokatja kundërshtuan këto gjetje, por KPK ka krijuar bindjen se ajo nuk ka përmbysur dot barrën e provës.
Procesi i vetingut për gjyqtaren Kaja u krye nga trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Xhensila Pine. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.
Eda Kaja e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 si ndihmës gjyqtare dhe është emëruar në funksionin e gjyqtares në 1994-ën. Ajo punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare e Gjykatës së Durrësit.