

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të enjten konfirmimin në detyrë të kandidates për Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion, Elida Kaçkini.
Më herët këtë javë gjatë një seance dëgjimore të shkurtër KPK vuri në dukje se pasuritë e saj rezultonin siç ishin deklaruar. Qëndrim të ngjashëm KPK pati sa i përket pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit.
Trupa gjykuese e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Xhensila Pine, vunë në dukje se nga hetimi ishin gjetur mospërputhje sa i përket një apartamenti të blerë nga bashkëshorti i prokurores para lidhjes së martesës.
Kaçkini mbajti qëndrim se ajo nuk kishte përgjegjësi për këtë pasuri të krijuara para martesës dhe bashkëjetesës dhe tha se bashkëshorti i saj gjyqtari Bezart Kaçkini do jepte përgjigje për këto çështje, pasi edhe ai vetë do të përballej me vetingun.
Kaçkini e ka filluar karrierën e saj në vitin 2006 në Prokurorinë e Lushnjes dhe më pas në Tiranë. Ajo u rendit në listën fituese, e 11-ta, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për një vend në Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion dhe do jetë prorkurore e kësaj strukture nëse vendimi i KPK merr formë të prerë.