Kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori flet me gazetarët pas seancës gjyqësore ne KPA. datë 17.07.2019 | Foto : Besar Likmeta
Analiza Artikull kryesor Analiza Faqja e pare KPA Në Fokus

Kolegji dëgjon konkluzionet përfundimtare në ankimin kundër kreut të Gjykatës së Lartë

Vlerësimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nëse do të bazohet mbi precedentët e vendimeve të tij apo interpretimet e një komentari mbi reformën kushtetuese për kriterin e pasurisë, pritet të vulosë fatin e kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. 

Kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori flet me gazetarët pas seancës gjyqësore ne KPA. datë 17.07.2019 | Foto : Besar Likmeta

Gjatë karrierës së tij 16-vjeçare në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë, gjyqtari Xhezair Zaganjori ka shqyrtuar me mijëra çështje gjyqësore. Megjithatë, të mërkurën ai u paraqit përpara trupës gjykuese të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, për të dhënë konkluzionet përfundimtare kundër ankimit të Komisionerit Publik, i cili kërkon rrëzimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmim e tij në detyrë.

Trupa gjykuese e KPA-së përbëhet nga gjyqtarja Albana Shtylla si kryesuese me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Luan Daci, Natasha Mulaj dhe Sokol Çomo.

Zaganjori, një ish-pedagog dhe diplomat, u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2003 dhe anëtar i Gjykatës së Lartë në vitin 2013. Ai arriti me vështirësi të konfirmohet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në korrik të vitit 2018 pasi komisioni gjykoi se ai ka kryer “evazion fiskal të ligjshëm”, një vendim i debatuar që u rekomandua për ankimim nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Zaganjori është gjyqtari i fundit i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese – dy institucione që janë asgjesuar nga nga shkarkimet e vetingut dhe dorëheqjet, për të cilin procesi nuk ka përfunduar ende në të dyja shkallët e vetingut.

Në seancën e mbajtur të mërkurën në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ishin prezent dy përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Mia Roessingh-Bakels dhe Theo Jacobs.

Gjatë seancës Zaganjori dhe Komisioneri Publik, Florian Ballhysa paraqitën kokluzionet përfundimtare përpara trupës gjykuese, duke ndarë qëndrime diametralisht të kundërta mbi aktet e paraqitura gjatë procesit gjyqësor dhe interpretimin e ligjit për rivlerësimin kalimtar si dhe të aneksit D të Kushtetutës.

Zaganjori, kërkoi që interpretimi i ligjit për sa i përket kriterit të pasurisë të bazohej në Komentarin mbi Reformën Kushtetuese në Sistemin e Drejtësisë – një botim i publikuar nga Instituti për Studime Publike dhe Ligjore dhe i financuar nga Fondacioni për Shoqërinë e Hapur në Shqipëri, duke i kërkuar Kolegji që të mos cënonte vendimin e KPK-së për ta konfirmuar në detyrë.

Ndërkohë, Komisioneri Publik Florian Ballhysa e konsideroi komentarin thjesht në manual, duke kërkuar që KPA të bazohet në precedentët e shumtë të vendosur tashmë në vendimet e dhëna nga disa trupa gjykuese të saj që lidheshin me kriterin e pasurisë. Ai kërkpo përbysjen e vendimit të KPK-së për konfirmimin në detyrë të Zaganjorit.

Konkluzionet e Komisionerit Publik

Gjatë konkluzioneve përfundimtare Komisioneri Publik, Florian Ballhysa u shpreh se për sa i takon shkaqeve të ankimit, të cilat lidhen  me interpretimet e nenit D të aneksit të Kushtetutës dhe ligjit të vetingut, gjatë shqyrtimit gjyqësor janë shtuar dy elementë të rinj.

Elementi i parë ka të bëjë me jurisprudencën e krijuar nga trupa të ndryshëm të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe elementi i dytë lidhej me një manuali nga një grup autorësh shqiptarë, ku pasqyrohen interpretimet përkatëse për përmbajtjen e shtesave dhe ndryshimeve të një pjese të tekstit të Kushtetutës dhe aneksit të saj.

Ballhysa i kërkoi trupës gjykuese që për sa i përket zbatimin e nenit D të aneksit të Kushtetutës dhe dispozitave përkatëse të ligjit nr. 84/2016 të rivlerësimit kalimtar, të mbështetej në precedentët e vendosur tashmë nga Kolegji, për sa i përket koncepteve të burimit të ligjshëm të pasurisë, të ardhurave të ligjshme, raporti të deklaratës veting me deklaratat periodike dhe shkaqeve të shkarkimit për deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm, duke listuar vendimet përkatëse të marra nga Kolegji gjatë vitit 2018 dhe 2019.

Për sa i përket akteve të reja të paraqitura nga subjekti gjatë shqyrtimit gjyqësor në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Ballhysa u shpreh se përmbajtja e këtyre akteve nuk është e tillë që lejon arritjen e konkluzioneve të kundërta nga ato që ai pretendon në shkaqet e ankimit,  “si në lidhje me pasaktësinë e vazhduar ndër vite, ashtu edhe, për çfarë është më e rëndësishme, për pamjaftueshmërinë e këtyre deklarimeve të subjektit të rivlerësimi.”

“E gjejmë me vend të nënvizojmë se, edhe pas paraqitjes së akteve të tjera gjatë këtij gjykimi, sikundër është pretenduar edhe në ankim, subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive të tij, të krijuara nga të ardhura të ligjshme, duke mos plotësuar kështu kërkesat e nenit D të aneksit të Kushtetutës,” deklaroi Ballhysa.

Më tej Komisioneri Publik përmblodhi qëndrimin e tij në lidhje më pasuritë e subjektit, duke filluar më katër pasuri të paluajtshme në rrugën Dedë Gjo Luli në Tiranë, ku përfshihet një apartament 296 m2, një bibliotekë me sipërfaqe 281 m2, bodrum me sipërfaqe 261 m2 dhe zyrë me sipërfaqe 57m2.

Për sa i përket këtyre pasurive, Ballhysa nënvizoi se subjekti kishte bërë “deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm” në deklaratën veting dhe deklaratën periodike të vitit 2003, ka mungesë dokumentacioni justifikues ligjor për vlerat e deklaruara, si dhe mungesë burimi të ligjshëm për krijimin e të ardhurave të ligjshme, që kanë shërbyer për krijimin e pasurive në vlerën 10.7 milionë lekë.

Komisioneri Publik gjithashtu deklaroi se subjekti kishte bërë deklarim të rremë për sa i përket të ardhurave nga qiraja nga tre pasuri të paluajtshme, përfshirë bodrumin, zyrën dhe bibliotekën.

“Në referencë të nenit D, pikat 3 dhe 5 të aneksit të Kushtetutës, subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm dhe nuk ka provuar me dokumentacion justifikues ligjor të ardhurat e ligjshme nga qiratë, për shumën totale prej rreth 8,4 milionë lekë,” tha Ballhysa.

Sipas Ballhysës subjekti nuk ka paraqitur dokumentacion justifikues për të provuar se të ardhurat e deklaruara duhet të konsiderohen të ligjshme për periudhën 1997-2005, pasi përveç deklaratave noteriale të bashkëpronarëve ai nuk ka paraqitur dokumente për transferimin e qirave tek subjekti ose bashkëshortja e tij. Ballhysa gjithashtu shtoi se dokumentacioni i paraqitur nga subjekti për të justifikuar pagesën e taksave mbi qiranë e marrë konsiderohet i pamjaftueshëm.

Komisioneri Puiblik gjithashtu nënvizoi se subjekti kishte bërë deklarim të pasaktë në lidhje me një apartament 81 m2 në plazhin e Durrësit, pasi nuk provohet tërheqja e shumës prej 16 mijë USD nga llogaria bankare, sipas deklarimeve të vetë subjekti në deklaratën vjetore të vitit 2006.

Ballhysa ka rikonfirmuar pozicionin e Komisionerit Publik edhe për sa i përket shpenzimeve të djemve të gjyqtarit në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar gjatë periudhës së shkollimit, si dhe diferencave negative nga analiza financiare për vitet 2011, 2012 dhe 2014.

Në përfundim të parashtrimeve Ballhysa kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 46, datë 24.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Xhezair Zaganjori, me funksion Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Konkluzionet përfundimtare të Zaganjorit

Kreu i Gjykatës së Lartë Xhezari Zaganjori i filloi konkulzionet përfundimtare përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelimit duke nënvizuar se ai kishte qenë i hapur ndaj procesit të rivlerësimit dhe kishte bërë maksimumin për t’iu përgjigjur pyetjeve që i ishin parashtruar.

“Këtë nuk e kam bërë mekanikisht apo thjesht për shkak të detyrimeve kushtetuese e ligjore, por me ndërgjegje e bindje të plotë për të dhënë shembullin dhe kontributin personal se po i shërbej një procesi qe synon realizimin e një reforme tërësore, në funksion të forcimit të sistemit të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri,” deklaroi Zaganjori.

Ai nënvizoi se kishte dorëzuar rreth 110 dokumente dhe i ishte përgjigjur 100 pyetjeve për të sqaruar situatat apo problemet për të cilat ka pasur interes. Megjithatë, ai shtoi se i kishte lënë ‘shije të keqe’ që pasi Komisioneri Publik kishte kërkuar dokumentacion shtesë, ai i kishte konsideruar ato si të tepërta, të njohur apo që nuk sjellin asnjë të re.

Zaganjori më tej pasqyroi një listë provash që ai kishte dorëzuar gjatë dy seancave të fundit dëgjimore në lidhje me të ardhurat e tij nga Instituti Max – Planck në Gjermani si dhe të ardhurat nga ambientet e dhënë me qira ndaj British Council.

Kreu i Gjykatës së Lartë i referua “Komentarit mbi Reformën Kushtetuese në Sistemin e Drejtësisë”, të publikuar nga Instituti për Studime Publike dhe Ligjore, duke nënvizuar se në Shqipëri në vitet 90’ sistemi bankar nuk ishte i zhvilluar dhe taksapaguesit nuk kishin detyrim të ruanin dokumentet dhe të dhënat tatimore më shumë se 5 vjet.

Ai insistoi se pasuritë e tij të paluajtshme në rrugën Dedë Gjo Luli në Tiranë ishin ngritur me të ardhura të ligjshme dhe taksat ishin paguar për qiratë e marra. Zaganjori u shpreh si interpretimi që Komisioneri Publik i bënte ankesit D të Kushtetutës ishte “jo vetëm i gabuar por edhe i rrezikshëm.|

Sipas Zaganjorit interpretimet e “Komentarit mbi Reformën Kushtetuese në Sistemin e Drejtësisë” ishin në linjë me vendimin e KPK-së për rastin e tij dhe parashtrimeve që ai kishte bërë përpara Kolegjit, në mënyrë të veçantë me ato që kanë të bëjnë me çështjen e pagesës së detyrimeve tatimore si dhe vendin absolutisht primar që ka deklarata veting në raport me deklarimet vjetore pranë ILDKPI.

“Në seancën e fundit të KPA në datë 10 korrik, Komisioneri Publik e konsideroi këtë botim thjeshtë si një manual studimor te parëndësishëm, me konkluzionet e të cilit ai nuk ishte aspak dakord,” tha Zaganjori.

“Unë dua ti kujtoj me këtë rast se jo vetëm në të drejtën e brendshme, por edhe në të drejtën ndërkombëtare, si burime të rëndësishme ndihmëse të së drejtës konsiderohen edhe punimet e autorëve me kualifikim të lartë në fushën përkatëse, pasi këto punime ndihmojnë dukshëm në identifikimin dhe interpretimin e normave të caktuara të së drejtës,” shtoi Zaganjori.

‘Komentari mbi Reformën Kushtetuese në Sistemin e Drejtësisë,” përfshin si autorë kreun e Këshillit të Lartë të Prokurorisë-së Gent Ibrahimi, kreun e Shkollës së Magjistraturës Sokol Sadushi, magjistraten dhe eksperten kushtetuese Arta Vorpsi, ish-gjyqtarin e kushtetueses Sokol Berberi dhe Dr. Aurela Anastasin. Shumica e autorëve të komentarit të sipërpërmendur kanë qenë dhe ekspertë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës në Drejtësi.

Zaganjori i kërkoi Kolegjit që ta interpretonte qartë aneksin D të Kushtetutës, duke nënvizuar se ky interpretim do të kishte shumë rëndësi në përgjithësi si për kuptimin, ashtu edhe për zbatimin e nenit D.

Gjatë konkuzioneve të tij përfundimtare, Zaganjori kundërshtoi dhe përfundimin e KPK-së se ai kishte bërë ‘evazion të ligjshëm’ si të gabuar. Ai gjithashtu kundërshtoi përfundimet e Komisonerit Publike në lidhje me vlerën e provave dhe akteve të paraqitura si dhe interpretimin e tyre, shpenzimet e shkollimit të dy djemve dhe burimet e pamjaftueshme të jetesës në vitit 2011, 2012 dhe 2014.

“Në familje nuk mund të bëhen bilance vjetore që fillojnë në janar e mbarojnë në dhjetor,” tha Zaganjori, duke nënvizuar se tabelat e paraqitura gjatë shqyrtimit gjyqësor kishin të meta serioze.

Në përfundimin të konkluzioneve të tij, Zaganjori nënvizoi se si kryetar i Gjykatës së Lartë e kishte mbështetur procesin e vetingut dhe gjatë procesit të rivlerësimit të tij ishte munduar të sqaronte çdo çështje të ngritur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Komisioneri Publik. Ai shtoi se gjatë karrierës së tij 40 vjeçare si pedagog , diplomat, gjyqtar kushtetues apo në Gjykatën e Lartë, kishte punuar me integritet dhe profesionalizëm.

“Në asnjë rast nuk kam lejuar dhe nuk do të lejoj deri sa të marr frymë që integriteti im të blihet apo të këmbehet me interesa meskine ose veprime të kundraligjshme që e kthejnë drejtësinë në farsë,” tha ai.

“Përsëris se për mua më e rëndësishmja ka qenë dhe mbetet vetëm respektimi i ligjit dhe dhënia e drejtësisë në mënyrë të pavarur e të barabarte për të gjithë,” shtoi ai, duke kërkuar konfirmimin në detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *