Gjyqtarja Irena Gjoka e 'përmbysi' analizën financiare të KPK-së
Analiza Artikull kryesor Analiza KPK Në Fokus

Gjyqtarja Irena Gjoka e ‘përmbysi’ analizën financiare të KPK-së

Pasaktësitë, mospërputhjet dhe një balancë e vogël negative në analizën financiare të KPK-së, nuk u vlerësuan penalizuese nga Komisioni. Gjoka u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka, | Foto ” LSA

Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Irena Gjoka e ka bindur Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, duke përmbysur rezultatet për balancat negative në analizën financiare që janë konstatuar gjatë procesit të rivlerësimit në kriterin e pasurisë.

Ndërsa pasaktësitë, mosdeklarimet dhe një balancë negative që nuk u kundërshtua dot prej saj, nuk janë konsideruar si shkaqe shkarkuese prej trupit gjykues të KPK, të përbërë nga Roland Ilia kryesues, Genta Tafa(Bungo) relatore dhe Valbona Sanxhaktari anëtare.

Komisioni e ka vlerësuar pozitivisht gjyqtaren Gjoka edhe për kriteret e pastërtisë së figurës dhe profesionalizimin, duke vendosur më datë 26 shkurt 2020 konfirmimin e saj në detyrë.

Irena Gjoka e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993. Për më shumë se një dekadë Gjoka ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Fierit, ndërkohë që në vitin 2014 u emërua në ish-Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Prej dhjetorit 2019, ajo është pjesë e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë.

Pasaktësitë dhe mospërputhjet

Për një Apartament me sipërfaqe banimi 71 m2 në Tiranё, të porositur më 6 tetor 2005 dhe të blerë më 12 shkurt 2007 në vlerën 45.885 euro, gjyqtarja Gjoka ka pasqyruar si burim krijimi në deklaratën veting tё ardhurat nga pagat e kursyera gjatё viteve, si dhe një hua 2 milionë lekë.

Komisioni ka analizuar të ardhurat nga paga të gjyqtares Gjoka, nga ku janë evidentuar mospërputhje. Në deklaratën periodike vjetore ajo ka shënuar se vlera e paguar nga paga ka pasur si burim dy depozita: një në shumën 93 mijë lekë dhe tjetra 800 mijë lekë; kursime për vitin 2005 në vlerën 15 mijë euro dhe tërheqje e një depozite tjetër në “Intesa San Paolo Bank”.

Për vlerën 15 mijë euro, Gjoka ka shpjeguar në vitin 2014 në ILDKPKI se e ka burimin nga kursimet e saj të atij viti; një pjesë kontribut i ish-bashkëjetuesit dhe  pjesa tjetër dhuratë nga prindërit për blerjen e apartamentit.

Ajo ka pohuar se, në deklaratën veting nuk janë pasqyruar si burim të ardhurat e ish-bashkëjetuesit dhe të familjes së saj, pasi deri në dhjetor të vitit 2005 ka jetuar së bashku me prindërit dhe shpenzimet jetike mbuloheshin prej tyre, ndërkohë pagën e kursente në llogarinë e saj.

Komisioni konstaton mospërputhje të deklarimeve në vitin 2005; 2014; në deklaratën veting dhe gjatë procesit të rivlerësimit lidhur me vlerën 15 mijë euro që ka shërbyer si burim për blerjen e apartamentit.

Gjoka ka pretenduar të kundërtën duke theksuar se nuk ka asnjë mospërputhje mes deklarimeve.

Pas dhënieve të shpjegimeve nga Gjoka, Komisioni ka konstatuar  se ajo, në kohë të ndryshme, ka deklaruar burimin e ligjshëm të kësaj pasurie në mënyrë të ndryshme.

“… Këto deklarime nuk cënojnë thelbin e burimit të pasurisë së saj, i cili është të ardhurat nga paga e subjektit. Mospërputhja midis deklarimeve të subjektit nuk ka ardhur si pasojë e qëllimit të saj për të fshehur apo deklaruar në mënyrë të pasaktë këtë pasuri, por siç rezulton, ajo është përpjekur për të detajuar burimin e kësaj pasurie”, thuhet në vendim.

Nga analiza financiare është konkluduar se Gjoka ka patur të ardhura të mjaftueshme për blerjen e këtij apartamenti.

KPK konsideron se edhe mosdeklarimi saktësisht i një gjendje cash në shumën 454,484 lekë në vitin 2004, nuk përbën mungesë të burimeve financiare për blerjen e apartamentit.

Komisioni ka analizuar edhe një depozitë në vlerën 23 mijë USD të cilën gjyqtarja Gjoka e ka deklaruar në vitin 2004. Si një prej burimeve të kësaj depozite ajo ka deklaruar një vlerë 4 mijë USD të kursyer nga puna e saj, ndërsa në seksionin e informacionit konfidencial ka shënuar se në emrin e saj është një depozitë pa afat e familjes së origjinës, mbi të cilën vepron në emër e për llogari të prindërve dhe të vëllezërve ne emigracion.

Komisioni konstaton se deklarimi i gjyqtares Gjoka gjatë hetimit administrativ nuk përputhet me deklarimin e saj në 2004-ën në lidhje me pronësinë e kësaj depozite pasi, ndryshe sa ka deklaruar në vitin 2004, ajo tashmë pretendon se të ardhurat janë të sajat dhe jo të familjarëve.

Gjyqtarja Gjoka ka shpjeguar se deklarimi në vitin 2004 se shuma 4 mijë USD ishte kontributi i saj dhe pjesa tjetër e vlerës e familjes së origjinës, është një pakujdesi nga ana e saj, pasi ka dashur të shprehë të kundërtën. “Pra 4.000 (katër mijë) USD nga të ardhurat e prindërve, dhe pjesa tjetër pagat e mia”, ka deklaruar ajo para Komisionit.

Gjoka ka shtuar se deri në dhjetor të 2005-ës ka pasur ekonomi të përbashkët me familjarët, prandaj depozitën 23 mijë USD e ka deklaruar në vitin 2004 si kursime nga të ardhurat familjare.

Për shkak të mospërputhjeve me deklarimet e kryera në vitet 2004 dhe 2005, Komisioni i ka kërkuar sqarime të tjera gjyqtares Gjoka. Ajo i ka qëndruar shpjegimit të mëparshëm, por duke shtuar se në vijim të gjithë deklarimeve periodike vjetore si edhe në deklaratën veting për këtë llogari ka deklaruar si burim pagën e saj, duke konsideruar se ka keqkuptuar kontributin familjar me kontributin e saj në kursimet e krijuara si pajë.

Pavarësisht shpjegimeve Komisioni konkludon se është fakt që ka mospërputhje në deklarim në lidhje me burimin e shumës 23 mijë USD gjatë procesit të rivlerësimit dhe deklarimeve në vitin 2005.

Për të konkluduar në ligjshmërinë e burimit të kësaj vlere KPK ka hetuar edhe të ardhurat e familjarëve të gjyqtares. Komisioni ka përfshirë në analizën financiare, mes të tjerash, edhe të ardhurat e deklaruara se janë përfituar nga babai i Gjokës nga një ullishte, ku përllogaritja është mbështetur në dokumentacionin e depozituar nga subjekti dhe në të dhënat e INSTAT-it.

Trupi gjykues ka arritur në përfundimin se Gjoka së bashku me familjen e saj të origjinës kanë patur mundësi për të krijuar depozitën në shumën 23 mijë USD, si në rastin kur kontributi i saj konsiderohet 4 mijë USD, ashtu dhe në rastin kur konsiderohet 19 mijë USD. Nisur nga kjo analizë, Komisioni vlerëson se mospërputhjet e konstatuara në deklarimin do të konsiderohen si pasaktësi, por se nuk mund të përbëjnë shkak për shkarkim.

Komisioni ka hetuar edhe për aftësinë huadhënëse të vëllait të Gjokës për huanë në vlerën 2 milion lekë që është deklaruar prej saj si burimi tjetër financiare që ka shërbyer për blerjen e apartamentit.

Në vendim thuhet se në vitin 2005 kjo hua është deklaruar në monedhën euro, ndërsa në vijim, përfshirë edhe deklaratën veting, është shënuar në lekë. Deklarimi i Gjokës se deklarimi i huasë në euro ka qenë një lapsus i bërë në deklarimin e vitit 2005, ka qenë bindës për Komisionin që konkludon se vëllai i gjyqtares ka patur të ardhura të mjaftueshme për dhënien e huasë.

Në përfundim KPK konkludon se Gjoka ka patur të ardhura të mjaftueshme për blerjen e apartamentit 71 m2 në Tiranë.

Komisioni konstaton se Gjoka nuk ka pasqyruar në deklaratën veting pronësinë mbi 1/4 pjesë takuese të apartamentit me sipërfaqe 62.65 m2, në qytetin e Patosit, të përfituar nga familja e origjinës nëpërmjet privatizimit në vitin 1993. Gjyqtarja Gjoka e ka pranuar këtë mangësi duke shpjeguar se ka ndodhur për shkak të një harrese njerëzore dhe se nuk ka pasur qëllim për të mos e deklaruar apo për ta fshehur, pasi sipas saj është lehtësisht të gjetshme. Argumentimi i Gjokës është vlerësuar bindës nga KPK, që e konsideron këtë konstatim si pasaktësi në deklarim që nuk përbënë shkak për shkarkim.

Përmbysja e balancave negative

Për dy garazhe me sipërfaqe 14 m2 secili në Tiranë, blerë në nëntor të vitit 2013 në vlerën 1.3 milionë lekë, Gjoka ka deklaruar si burim krijimi shumën prej 1 milionë lekësh të siguruar nga shitja e 10% tё aksioneve të një shoqërie ku bashkëshorti ishte ortak, për vlerën 2 milionë lekë dhe 300 mijë lekё kursime nga paga.

Komisioni ka hetuar ligjshmërinë e burimit të blerjes së këtyre aksioneve. Nga verifikimi ka rezultuar se 10% të aksioneve të kësaj shoqërie janë blerë në vitin 2006 në vlerën 3.3 milionë lekë. Si burim Gjoka ka deklaruar një depozitë 30 mijë USD të tërhequr nga Tirana Bank. KPK konkludon se deklarimi i gjyqtares përputhet me të dhënat e administruara nga hetimi dhe se bashkëshorti i saj ka pasur mundësi financiare për blerjen e aksioneve.

Më tej, Komisioni konstaton se në deklaratën periodike Gjoka ka shënuar se gjysma e vlerës 2 milionë lekë e përfituar nga shitja e aksioneve, është përdorur për shlyerjen pjesërisht të huasë së vëllait të saj, I.M., ndërsa pjesa tjetër është dhënë hua. Ndërkohë, nuk është deklaruar kthimi i vlerës së huasë.

Në lidhje me këtë hua, Gjoka ka sqaruar se shumën 1 milion lekë bashkëshorti ia ka dhënë vajzës së tij, e cila kërkonte që të aplikonte për studime jashtë vendit. Gjoka ka pretenduar se dhënia e huasë ka qenë marrëdhënie ndërmjet babait dhe bijës e bërë pa shkresë dhe se është kthyer brenda vitit e për këtë arsye nuk e ka deklaruar këtë shumë si kursim cash.

Për shkak se kthimi i huasë 1 milion lekë nuk është deklaruar, Komisioni nuk e ka përfshirë në analizën financiare për mundësinë e blerjes së garazheve dhe si pasojë ka rezultuar një balancë negative në vlerën -579 540 lekë.

Gjoka e ka konsideruar mosdeklarimin e kthimit të huas si një parregullsi formale. Ndërkohë, Komisioni konstaton se bashkëshorti i gjyqtares, veç depozitimit të kryer në 25 nëntor 2013 në vlerën 1.3 milionë lekë kur janë blerë garazhet, nuk ka deklaruar blerje apo shpenzime të tjera në vlerën 1 milionë lekë gjatë kësaj periudhe.

Pas këtyre konstatimeve, trupi gjykues është bindur dhe ka konkluduar të përfshijë këtë shumë në analizën financiare të vitit 2013, duke e kthyer pozitive gjendjen financiare të Gjokës.

Gjoka ka arritur të përmbysë edhe një tjetër balancë negative të konstatuar nga KPK lidhur me një vlerë 12 mijë euro që i është depozituar në llogari të bashkëshortit të saj më datë 9 korrik 2007 nga G.B.. Kjo vlerë është tërhequr cash nga bashkëshorti i gjyqtares në të njëjtën datë që është depozituar.

Gjoka ka shpjeguar se G.B., ka depozituar shumën 12 mijë euro në llogarinë e bashkëshortit të saj, pasi ajo i përkiste këtij të fundit. Ajo ka deklaruar se ata kishin miqësi dhe për këtë arsye bashkëshorti ja ka besuar që këtë shumë ta depozitonte G.B. në llogarinë e tij.

Komisioni ka administruar edhe deklaratën e G.B. i cili ka sqaruar se thjesht ka bërë derdhjen e vlerës 12 mijë euro në llogarinë e mikut të tij, por se paratë kanë qenë të bashkëshortit të Gjokës.

Pasi KPK ka përfshirë në analizë financiare vlerën 12 mijë euro, fillimisht ka rezultuar se bashkëshorti i Gjokës nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme për ta krijuar këtë depozitë me një balancë negative në shumën -1.673.887 lekë.

Pas kalimit të barrës së provës Gjoka ka sqaruar se shuma 12 mijë euro ka rrjedhur nga kursimet ndër vite, nga qiraja dhe shitja e pasurive të paluajtshme e të luajtshme të bashkëshortit të saj.

Ajo ka shpjeguar se dy vite para depozitimit të vlerës 12 mijë euro në llogarinë e bashkëshortit, në tetor të 2005-ës ai ka këmbyer shumën prej 18 mijë USD në euro dhe e ka tërhequr. Gjoka ka shtuar se kjo vlerë nuk rezulton të jetë deklaruar si burim për blerjen e ndonjë pasurie apo si kursim cash.

“Shpjegoj se këtë shumë z.Gj.,jo vetëm nuk e ka deklaruar, por edhe as nuk e ka investuar në blerjen e ndonjë pasurie, por e ka mbajtur cash (lënë në ruajtje shtetasit G.B.), i cili e ka ridepozituar në vitin 2007, në llogarinë e z.Gj., pranë Societe Generale Albania’”, ka shpjeguar Gjoka.

Komisioni konstaton se pasi ka analizuar shpjegimet dhe provat e gjyqtares Gjoka për shkëmbimin e 18 mijë USD-ve në tetor të 2005-ës, ka konkluduar se në këtë moment, subjekti nuk ka qenë ende në kushtet e bashkëjetesës apo martesës ligjore me bashkëshortin e saj.

Më tej trupa gjykuese evidenton se, në deklaratën e vitit 2007, kur Gjoka ka blerë një automjet, ka shënuar si burim për krijimin e asaj pasurie tërheqjen nga llogaria në USD dhe të ardhurat e përfituara nga shitja e një Benz-i në shumën 4 mijë USD.

KPK ka hetuar edhe për vlerën e përfituar nga shitja e Benz-it, por nuk janë siguruar të dhëna. Edhe pse Gjoka nuk ka arritur të sigurojë dosjen e autoveturës tip Benz të blerë në vlerën 4 mijë USD, Komisioni vlerëson se ajo i ka kryer të gjitha përpjekjet për të siguruar dokumentacionin provues. Në vendim thuhet se ajo e ka pasqyruar këtë shitje në vitin 2007 dhe ky deklarim mund të përdoret si provë e për pasojë shuma 4 mijë USD është përfshirë në analizë financiare.

Komisioni konkludon se shpjegimet e Gjokës janë të mbështetura në prova dhe krijojnë bindjen se bashkëshorti ka pasur mundësi financiare për depozitën në vlerën 12 mijë euro.

Hetimi i KPK ka identifikuar dy hua që ka dhënë bashkëshorti i Gjokës, të cilat kanë pasur si burim vlera të cilat ai i ka marrë vetë hua nga persona të tjerë. Në të dyja rastet Komisioni nuk identufikon probleme.

Në vendim thuhet se në nëntor të vitit 2008, bashkëshorti i Gjokës i ka dhënë hua në vlerën 16 mijë USD, personit të lidhur  A. Z.. Subjekti ka shpjeguar se burim i vlerës së dhënë nga bashkëshorti ishte një hua që ai kishte marrë nga babai i saj, H.M. i cili sipas Komisionit ka rezultuar se kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për dhënien e kësaj shume. Në pjesën sqaruese të vendimit përshkruhet një pjesë e deklaratës noteriale të babait të Gjokës, ku ky i fundit sqaron se për shkak të marrëdhënieve familjare të posaçme, nuk kanë bërë kontratë huaje formale.

Situatë thuajse e njëjtë paraqitet edhe për një hua tjetër në vlerën 34.500 USD që bashkëshorti i Gjokës i ka dhënë A.Z. më datë 24 prill 2012. Në kontratën e huadhënies përcaktohet se vlera jepet për një afat tre muaj me qëllim “blerje automate kompjuterike”.

Komisioni shpjegon se Gjoka ka dorëzuar prova që vërtetonin se burimi i vlerës 34.500 USD që bashkëshorti i saj ka dhënë hua, ishte marrë prej tij hua nga z.K.M.. Komisioni ka konkluduar se personi që i ka dhënë hua bashkëshortit të Gjokës këtë vlerë, ka pasur të ardhura të mjaftueshme.

Në pjesën sqaruese të vendimit thuhet se huadhënësi K.M., deklaron se kishte mundësi financiare për të investuar në një aktivitet dhe se i kishte propozuar bashkëshortit të gjyqtares të krijonin ortakëri në fushën e lojërave të fatit. Ai ka deklaruar se në vitin 2012 i ka dhënë bashkëshortit të Gjokës vlerën 34.500 USD dhe se kjo shumë i është rikthyer pas rreth dy muajve, pasi kishin dështuar negociatat për hapjen e biznesit.

Komisioni konstaton se për vlerën që bashkëshorti i gjyqtares Gjoka kishte përfituar nga dhënia me qira e një objekti në Fier në shumën 80 mijë lekë në muaj për periudhën 1995-2001, nuk ishin paguar taksat.

Trupi gjykues vlerëson se të ardhurat e bashkëshortit nga qiraja janë krijuar para se ata të kishin filluar bashkëjetesën. Gjithashtu, Komisioni konstaton se, detyrimi tatimor në vlerën 884.190 lekë i përkiste qiramarrësit.

Në vendim thuhet se pas konstatimit të faktit të mospagimit të detyrimit tatimor, subjekti dhe bashkëshorti i saj, më datë 13 dhjetor 2019, e kanë shlyer këtë detyrim.

Nisur nga fakti se Gjoka dhe bashkëshorti i saj kanë shlyer detyrimin tatimor ndaj shtetit duke paguar edhe kamatvonesat, Komisioni vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi ligjore dhe i ka konsideruar të ligjshme të ardhurat e përfituara nga qiraja. Për të arritur në këtë konkluzion trupi gjykues i referohet edhe katër vendimeve të tjera të KPK-së.

KPK nuk ngre dyshime në shitjen e një apartamenti 55 m2 në maj të vitit 2005 për shumën 1.6 milionë lekë nga bashkëshorti i gjyqtares, i cili e kishte blerë në nëntor të vitit 2004 gati dy herë më shumë, në vlerën 3.150.000 lekë. Sipas KPK, nga analiza financiare rezulton se bashkëshorti i Gjokës ka patur të ardhura të mjaftueshme për blerjen e këtij apartamenti.

Ndërkohë, Komisioni konstaton se gjyqtarja Gjoka ka mungesë burimesh në vitin 2014 në shumën 146,111 lekë. Por, trupi gjykues vlerëson se kjo balancë negative, nuk mund të përbëjë shkak për marrjen e masës disiplinore për subjektin.

Në përfundim KPK vlerëson se Gjoka ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurisë së saj dhe se nuk është përpjekur të fshehë apo të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, posedim ose në përdorim.

“Në lidhje me problematikat e konstatuara në vlerësimin e kriterit të pasurisë, trupi gjykues çmon se pasaktësitë në deklarim dhe balanca negative e fondeve në vitin 2014 prej 146,111 lekë, nuk është e mjaftueshme që të pasjellë aplikimin e pikës 3 të nenit 61 të ligjit nr. 84/2016, pasi vlerësimi sigurisht që duhet të kryhet nëpërmjet një analizë kritike, por ai duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit”, vlerëson trupi gjykues i KPK duke konkluduar se gjyqtarja Irena Gjoka ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *