Nga një seancë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Lajme Vendi

KPK ndërpret vetingun për gjyqtaren e dorëhequr, Eneida Cicivi

Gati një vit pas shortimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, gjyqtarja Civici dha dorëheqjen, duke ndërprerë njëherazi edhe procesin e vetingut për të.

Trupa gjykuese e KPK-së gjatë shpalljes së nje vendimi me sallen bosh. Foto: BIRN

Gati një vit pas shortimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Eneida Civici dha dorëheqjen nga funksioni, duke ndërprerë njëherazi edhe procesin e vetingut për të.

Në vendimin e zbardhur të KPK-së thuhet se Civici është shortuar më 15 nëntor 2018 dhe pesë ditë më vonë është caktuar trupa gjykuese, e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici. Ky i fundit ka deklaruar konfliktin e interesit mes tij dhe Civicit dhe për këtë arsye është zëvendësuar nga komisionerja Alma Faskaj.

Pasi KPK kishte kryer verifikime për gati një vit, më datë 24 tetor 2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor njoftoi se kishte marrë kërkesën për dorëheqje nga Civici dhe më pas kishte vendosur mbarimin e statusit të magjistratit për të.

“Trupi gjykues çmon se subjekti ka shfrytëzuar të drejtën që i njeh Kushtetuta dhe ligji, për dorëheqje nga statusi i magjistratit”, citohet në vendim.

Më datë 9 mars 2020, trupi gjykues i KPK i përbërë nga Lulzim Hamitaj kryesues, Alma Faskaj relatore dhe Brunilda Bekteshi anëtare, ka vendosur të ndërpresë procesin e rivlerësimit kalimtar për gjyqtaren Eneida Civici dhe të deklarojë humbjen e së drejtës së saj për t’u emëruar në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *