Prokurori Endrit Bimi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Prokurori Endrit Bimi përballet me vetingun

Gjatë seancës dëgjimore, prokurori Endrit Bimi dha shpjegime për të ardhurat e babait të bashkëjetuesues nga puna si dentist si dhe për të ardhurat e vëllait në emigrim dhe të prindërve të tij, që sipas KPK-së, kishin burime të ligjshme.  

Prokurori Endrit Bimi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA

Prokurori Endrit Bimi i Prokurorisë së Tiranës u përball të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, ku gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime lidhur me huatë që i kishte dhënë babait të bashkëjetueses së tij si dhe me burimet financiare për blerjen e një banese.

Gjithashtu, ai qartësoi pozicionimin e tij në një marrëdhënie financiare të babait të ndjerë me një person tjetër, për të cilën i ati është përpjekur ta zgjidhë nëpërmjet një zyre përmbarimi, por që çështja vazhdon të mbetet në shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Prokurori Bimi u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figures.

Procesi i vetingut për prokurorin Endrit Bimi po kryhet nga trupa gjykuese e KPK-së e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Genta Tafa Bungon dhe anëtar Lulzim Hamitajn. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tonci Petkovic.

Endrit Bimi e ka filluar karrierën si jurist në administratën publike dhe organizata jo-fitimprurëse. Ai ndoqi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitet 2004-2007 dhe u emërua më pas prokuror në Prokurorinë e Lushnjës. Prej vitit 2012, ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Tiranës.

Gjetjet për pasurinë

Gjatë seancës dëgjimore u evidentua pamundësi e provimit me dokumentacion ligjor të burimit financiar të deklaruar nga prokurori Bimi për krijimin e një depozite në shumën 8300 USD. Sipas relatores Bungo, para fillimit të detyrës, subjekti ka çelur dy depozita nga 3000 USD secila, të cilat janë bashkuar në një depozitë të vetme në 2006-ën.

Si burim krijimi të depozitave fillestare, Bimi ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga puna për tre vjet e gjysmë pranë Fondacionit për Edukimin Ekonomik të të Rinjve.

Bungo sqaroi se megjithëse këto të ardhura nuk janë përfshirë në analizën financiare pasi nuk janë provuar me dokumentacion, subjekti ka rezultuar me balancë pozitive për krijimin e depozitave dhe është konsideruar si një pasaktësi në deklarim.

Në hetimin e Komisionit janë përfshirë edhe tre depozita të tjera të subjektit, për të cilat kanë rezultuar se ai ka pasur mundësi për krijimin e tyre. Të katër vlerat e depozitave në shumën totale rreth 40 mijë euro, prokurori Bimi ia ka dhënë hua babait të bashkëjetueses, i cili i ka përdorur për blerjen e një apartamenti në vitin 2017.

Ndërkohë, prokurori Bimi ka rezultuar me balancë negative në shumën 500 mijë lekë për krijimin e gjendjes cash në vlerën 650 mijë lekë të deklaruar para fillimit të detyrës në vitin 2006, pasi si burim krijimi janë pasqyruar edhe në këtë rast të ardhurat e siguruara nga puna pranë fondacionit të sipërcituar.

Prokurori Bimi tha se kishte punuar për tre vjet e gjysmë si koordinator i një projekti pranë fondacionit dhe se ishte paguar 200 dollarë në muaj. Si prova për të vërtetuar këtë fakt, subjekti renditi një kopje të gazetës “Biznes” të asaj periudhe, ku sipas tij trajtohej projekti në fjalë dhe emri i tij citohej në cilësinë e koordinatorit.

“I kam deklaruar që në vitin 2006 këto të ardhura,”pohoi subjekti dhe pretendoi se gjendej në pamundësi objektive për të siguruar dokumentacion lidhur me punësimin e tij në këtë fondacion, pasi dokumentet ruheshin për një periudhë të caktuar dhe ishin asgjesuar.

Komisioni ka hetuar edhe pasuritë e bashkëjetueses së prokurorit Bimi. Bashkëjetuesja e subjektit ka deklaruar dhurimin e një automjeti tip Benz në shumën 5500 euro në vitin 2013 nga babai i saj, i cili zotëronte prej vitit 1994 një klinikë dentare.

Përllogaritja në analizën financiare është kryer bazuar në marzhin e fitimit, prej nga ka rezultuar se deri në 2010-ën kur aktiviteti ka qenë i regjistruar në emrin e tij, ka fituar 14 milionë lekë.

Nga viti 2010 e në vijim, klinika dentare ka qenë e regjistruar në emër të bashkëjetueses së subjektit të rivlerësimit, e cila ushtron të njëjtin profesion si i ati. Relatorja Bungo tha se prindërit e bashkëjetueses kanë pasur mundësi për dhurimin e Benzit. Gjithashtu, është konstatuar se ka pasur mundësi financiare edhe për krijimin e depozitave të regjistruara në emrin e saj, të cilat ia ka kaluar babait për blerjen e shtëpisë në vitin 2017, ashtu si dhe subjekti i rivlerësimit.

Nga analiza financiare për periudhën 2006-2016 është konstatuar balancë negative në shumën 462 mijë lekë në vitin 2014. Lidhur me këtë pamundësi financiare, prokurori Bimi ngriti dy pretendime. Ai kërkoi që të vlerësohej vlera e konvertimit të një shumë 24 mijë USD në llogarinë e bashkëshortes në vitin 2014, si dhe të uleshin shpenzimet për vajzën e vogël, pasi ato ishin mbuluar në pjesën më të madhe nga prindërit e bashkëjetueses.

Komisioni ka hetuar edhe origjinën e një apartamenti të deklaruar nga prokurori Bimi si adresë banimi që prej vitit 2006 e në vazhdim, prej nga ka rezultuar se kjo pasuri është privatizuar nga babai i ndjerë.

Prej hetimit ka rezultuar se në vitin 2019 subjekti ka tërhequr shumën 702 mijë lekë nga llogaria e babit të ndjerë, sipas dëshmisë së trashëgimisë nga ai përfitonte 1/3 e pjesës takuese të babait nga një fond 4.2 milionë lekë. Këtë vlerë ai e ka depozituar po atë ditë në llogarinë e nënës.

Nisur dhe nga dy denoncime se babai i subjektit, së bashku me përmbaruesin gjyqësor kanë shitur një pasuri pa zbatuar rregullat e ankandit, KPK ka verifikuar për ndonjë konflikt të mundshëm interesi. Nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka hetuar në vitin 2016 një kallëzim penal për “shpërdorim detyre” ndaj përmbaruesit gjyqësor në fjalë, çështje të cilën e ka pushuar me argumentin se nuk ekziston vepra penale. Por kërkesa nga i ati është kryer në vitin 2013 dhe sipas Komisionit në atë periudhë nuk ka ekzistuar konflikti i interesit, pasi subjekti e ka hetuar kallëzimin penal 3 vite më vonë.

Komisioni e ka shtrirë hetimin edhe mbi blerjen e një apartamenti nga nëna e subjektit në vitin 2019 në shumën 95 mijë USD. Si burim krijimi për këtë pasuri janë deklaruar gjatë hetimit shuma 4.2 milionë lekë e përfituar nga babai prej procedurës përmbarimore; depozitat e investuara në bono thesari nga prindërit e subjektit që prej vitit 2004; si dhe shuma të dërguara nga vëllai të përfituara prej punës në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Relatorja Bungo tha se nga hetimi ka rezultuar se i vëllai i subjektit ka pasur rreth 46 milionë lekë të ardhura dhe se ka pasur mundësi për krijimin e vlerave të depozituara. Sipas KPK, kjo pasuri është krijuar pas deklaratës veting dhe nuk rezulton që të ketë pasur fshehje nga ana e subjektit.

E njëjta situatë është konstatuar edhe për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 154 nga babai i bashkëjtesues në vitin 2017.

Në fund të seancës, komisioneri Lulzim Hamitaj shprehu qëndrimin e tij ndryshe nga konkluzionet e hetimit paraprak të KPK për prokurorin Bimi dhe i drejtoi atij një sërë pyetjesh që kishin të bënin me marrëdhëniet e subjektit me familjen e origjinës dhe me vjehrrin, të cilit i kishte dhënë hua në vlera të konsiderueshme.

Subjekti shpjegoi se menjëherë pas nisjes së detyrës kishte kryer ndarjen nga certifikata familjare dhe se kishte shkëputur marrdhënien financiare me anëtarët e familjes së origjinës. “Nuk kishte pse të mos jetonim në të njëjtën shtëpi, pasi secili jepte kontributin e tij,” pohoi subjekti.

Lidhur me vlerat e dhëna nga vëllai, subjekti shpjegoi se ai kishte ardhur në mënyrë të rregullt në Shqipëri kur kishte sjellë edhe shumat monetare të përdorura nga nëna për blerjen e apartamentit.

Bimi mohoi të kishte pasur lidhje në marrëdhënien e të atit me shoqërinë përmbaruese. “Ai nuk e ka zgjidhur problemin për 30 vjet, atëherë vlerësojeni favorizmin,” tha Bimi, ndërsa shtoi se denoncuesi i detyrohej të atit 45 mijë USD që prej vitit 1993 dhe se ishte me precedentë penalë.

Bimi shpjegoi se vlerat e disponuara prej bashkëjetuesues janë kursyer para fillimit të bashkëjetesës. Ai theksoi se vjehrri ishte njeri i ndershëm, shumë punëtor dhe se të gjitha të ardhurat i kishte të ligjshme.

Kur Hamitaj e pyeti për logjikën ekonomike për dhënien hua të kursimeve të jetës për blerjen e apartamentit nga vjehrri, subjekti shpjegoi se vjehrra ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe ishte nevojitur blerja e një apartamenti me shërbim ashensori. Ai shtoi se kishin marrëdhënie shumë të mira dhe gjithçka ishte kryer në mirëbesim.

Profesionalizmi

Komisioni ka konstatuar disa çështje në të cilat vendimet e prokurorit Bimi janë rrëzuar nga prokurori më i lartë ose nga gjykata. Në një prej pesë dosjeve të shortuara ka rezultuar se vendimi i pushimit është shfuqizuar nga drejtuesi i prokurorisë, i cili ka urdhëruar regjistrimin e procedimit penal.

Gjatë fjalës së tij, subjekti shpjegoi se hetimet ishin kryer më parë dhe se kundërshtia me drejtuesin e prokurorisë ishte lidhur me kualifikimin e çështjes si penale apo civile. Ai theksoi se dhe gjykata i kishte dhënë të drejtë, pasi çështja ishte pushuar.

Nga 11 denoncime e depozituara nga publiku, KPK ka marrë në shqyrtim tre prej tyre. Në një rast, denoncuesi M.D. petendon se subjekti ka vendosur mosfillimin e çështjes pa kryer hetime; denoncuesi A.Z. ankohet për shkelje të rënda procedurale pasi janë tejkaluar afatet e hetimeve dhe denoncuesi i tretë ka pretenduar se subjekti, me të padrejtë, ka ngritur ndaj tij akuzën e kundërshtimit të gjyqtarit në ushtrimin e detyrës.

Lidhur me denoncimin e parë, Bimi pretendoi se kishte kryer hetime dhe se çështja vazhdon të presë shqyrtimin në Apel. Për pretendimin e denoncuesit A.Z. për tejkalim të afatit, subjekti u mbrojt me ngarkesën e madhe në punë dhe shtoi se kishte parashkrim të veprës penale në këtë rast. Për rastin e tretë, subjekti sqaroi se denoncuesit kishin goditur e dëmtuar fizikisht për shkak të detyrës një avokat, menjëherë pas përfundimit të një prej seancave.

Në fund të seancës, prokurori Endrit Bimi kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 3 nëntor, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *