Porkurori Artan Lulaj | Foto LSA
Analiza KPK Veting

Sipas KPK, prokurori Artan Lulaj cënoi besimin me qëndrimin e tij gjatë vetingut

Prokurori i Tiranës, Artan Lulaj u shkarkua nga detyra më 13 janar pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se ai kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë dhe kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia me qëndrimin e tij jo bashkëpunues gjatë procesit të rivlerësimit, kur ka tentuar të fshehë ose të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë e tij, duke deklaruar të dhëna të pavërteta e të pasakta, ose duke mos i deklaruar fare ato.

Në vlerësimin tërësor ku është konkluduar cënimi i besimit tek drejtësia, janë përfshirë edhe gabimet procedurale dhe mangësitë profesionale të konstatuara në një çështje te hetuar nga subjekti. Për pastërtinë e figurës, Artan Lulaj u vlerësua pozitivisht.

Shkarkimi i Lulajt u vendos unanimisht nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Alma Faskaj. Ndryshe nga Bungo dhe Faskaj, kryesuesi Hamitaj ka dalë me mendim paralel përsa i përket konkluzionit për cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Hamitaj shfaq mendim se subjekti se nuk mund të ndëshkohet dy herë për të njëjtat gjetje për pasurinë, ndërsa problemet për profesionalizmin i konsideron të pamjaftueshme.

Artan Lulaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2001. Ai ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme si dhe në Prokurorinë e Apelit për Krime të Rënda, përpara se të transferohej në Prokurorinë e Rrethit Tiranë në vitin 2015.

Problemet për pasurinë

Si burime për blerjen e një apartamenti 117 m2 në Tiranë në vlerën 3 milionë e 950 mijë lekë, prokurori Lulaj ka pasqyruar në deklaratën veting të ardhurat e siguruara nga puna si noter; nga shitja e një apartamenti  banimi dhe dy trojeve në qytetin e Sarandës.

Ashtu si ILDKPKI dhe Komisioni konstatojnë se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë lidhur me vlerën e apartamentit, pasi në në deklaratën e vitit 2003 është shënuar 6 milionë lekë.

Pretendimet e subjektit se çmimi i shitjes së apartamentit ka qenë 3 milionë e 950 mijë lekë, ndërsa 2 milionë lekë janë shpenzuar në vitin 2001 për punime të brendshme nuk e kanë bindur Komisionin, pasi Lulaj nuk është treguar bashkëpunues duke mos vendosur në dispozicion kontratën e sipërmarrjes. “[…]Dokument i cili do të zgjidhte përfundimisht paqartësitë e Komisionit në lidhje me çmimin real të këtij apartamenti”, konstaton trupi gjykues.

Sipas KPK-së, krijohet bindja se mes subjektit të rivlerësimit dhe shoqërisë ndërtuese ka pasur një përputhje vullneti për të paraqitur si çmim të pasurisë një vlerë më të vogël se ajo e realizuar, me qëllim shmangien e detyrimit tatimor mbi të ardhurat e realizuara.

Bazuar dhe në faturat e pagesave për shumën totale 41 mijë euro që është e përafërt me çmimin e deklaruar në 2003-in, KPK konkludon se është e provuar ekzistenca e një çmimi fiktiv në kontratën e shitblerjes ose e një deklarimi të pamjaftueshëm.

Po ashtu, vërehet se subjekti ka refuzuar të deklarojë vlerën e mobilimit të këtij apartamenti që është konsideruar nga KPK si pengesë në kryerjen e një analize të plotë financiare për këtë apartament.

Komisioni ka analizuar dhe burimet e deklaruara nga subjekti se kanë shërbyer për blerjen e apartamentit në Tiranë, prej nga janë konstatuar balanca negative dhe janë ngritur dyshime për fshehje.

Prokurori Lulaj ka pretenduar se ka fituar 12 milionë lekë nga aktiviteti si noter gjatë periudhës 1991-2000, por nga analiza e kryer ka rezultuar se smund të kishte realizuar rreth 4.9 milionë lekë. Ai ka dorëzuar regjistrat noterialë si provë për të vërtetuar të ardhurat, por sipas KPK-së nuk kishte fotokopjuar kolonën e çmimit dhe për rrjedhojë nuk është konsideruar në analizë vlera 12 milionë lekë e pretenduar prej tij.

Po ashtu, nuk janë përfshirë as të ardhurat e pretenduara nga shitja e një apartamenti në Sarandë në vitin 2001 për çmimin 1.5 milionë lekë dhe të dy trojeve në vitet 2002 dhe 2004 pasi këto transaksione janë kryer më vonë se pagesat për apartamentin në Tiranë, si dhe nuk janë paguar detyrimet tatimore.

Ndërkohë, nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka fshehur një objekt me sipërfaqe 110 m2 të ndërtuar në truallin me sipërfaqe 662 m2 të shitur në 2003-in.

Gjatë hetimit paraprak, Lulaj ka bërë të paditurin për këtë objekt, ndërsa në vijim  ka pretenduar se banesa është ndërtuar nga personi të cilit i ka shitur truallin.

Kur është përballur me faktet se firma zbatuese për ndërtimin e banesës ka qenë ajo në pronësi të babait të subjektit; se ky i fundit ka qenë kolaudator i banesës; si dhe faktin se në kontratën e shitblerjes të firmosur nga subjekti përcaktohet se pasuria që shitet është një sipërfaqe trualli dhe një objekt njëkatësh, Lulaj ka ndryshuar qëndrim duke deklaruar gjatë seancës dëgjimore se nevojitej një objekt që të bëhej regjistrimi i pronës.

Ai pretendoi në seancë se objekti ishte një katësh dhe karabina, por KPK vëren se nga hetimi ka rezultuar se ka pasur leje shfrytëzimi që tregon se objekti ka qenë i gatshëm për t’u shfrytëzuar.

Duke konsideruar se subjekti ka refuzuar të deklarojë burimin e ligjshëm të të ardhurave për banesën e ndërtuar mbi truallin 662 m2 në Sarandë, Komisioni e ka kryer analizën financiare bazuar në të dhënat e administruara prej nga është konstatuar balancë negative në shumën 1.3 milionë lekë.

“Në përfundim, Komisioni çmon se në lidhje me truallin dhe objektin me sipërfaqe 110 m2 gjendemi në kushtet e fshehjes së pasurisë në deklaratat periodike, por edhe në deklaratën ‘Vetting’, si dhe subjekti ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme[…]”, vlerëson KPK.

Për të konkluduar mbi mundësinë financiare për apartamentin e blerë në Tiranë, Komisioni ka verifikuar edhe deklaratën fillestare të vitit 2003, kur Lulaj ka pasqyruar si burime të ardhurat nga shitja e apartamenti dhe të dy trojeve, por jo të ardhurat nga aktiviteti si noter.

Sipas trupit gjykues, bazuar në këtë fakt prezumohet se të ardhurat nga aktiviteti i noterisë janë përdorur për shpenzime të tjera dhe jo për blerjen e apartamentit.

Duke konsideruar të gjitha të ardhurat deri në vitin 2001, KPK konstaton balancë negative në shumën 1.3 milionë lekë, ndërsa referuar deklaratës së vitit 2003 ku nuk janë shënuar si burim të ardhurat nga aktiviteti noterisë, Lulaj është gjendur në pamundësi në shumën 5.8 milionë lekë.

Lulaj ka rezultuar në pamundësi financiare dhe për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 60 m2 në Durrës në vitin 2006 kundrejt çmimit 40 mijë euro; për blerjen e një automjeti në vitin 2009 për çmimin 200 mijë lekë; si dhe për disponimin e një gjendje cash 1.3 milion lekë në 2014-ën.

Komisioni ngre dyshime dhe për dy apartamente të blerë nga vajza e subjektit dhe bashkëshorti i saj për çmimin 9.3 milionë lekë dhe të rivlerësuar në vlerën 15.2 milionë lekë.

Subjekti ka pretenudar se vajza e tij nuk është anëtare e trungut familjar prej marsit të vitit 2016 dhe se ai nuk ka asnjë marrëdhënie interesi ekonomik. KPK e konsideron të pabazuar këtë pretendim dhe sjell në vëmendje faktin se legjislacioni për vetingun e magjistratëve përcakton si person të lidhur edhe fëmijët madhorë.

Duke vlerësuar se subjekti nuk ka bashkëpunuar për të qartësuar burimet e këtyre pasurive pasi ka refuzuar të japë përgjigje, Komisioni ka çmuar të mos e vazhdojë më tej me hetimin dhe ngre dyshime se ky qëndrim i Lulajt vjen për shkak të mungesës së burimeve të ligjshme të personit të lidhur për krijimin e këtyre pasurive.

Komisioni ngre dyshime për fiktivitet dhe në një prokurë të lëshuar nga një shtetas që i ka dhënë vajzës së subjektit gjithë tagrat mbi një automjet gjatë periudhës 2010-2014, duke e konsideruar atë si një akt dhurimi.

Cënimi i besimit të publikut

KPK konstaton se Lulaj nuk ka qenë bashkëpunues gjatë hetimit administrativ pasi ka refuzuar të përgjigjet ose të vendosë në dispozicion dokumentacion provues, pavarësisht kërkesave të përsëritura të trupës.

Nisur nga deklarimet kontradiktore të subjektit me provat e administruara gjatë hetimit, Komisioni vlerëson se ai ka tentuar të fshehë ose të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasurinë e tij, duke deklaruar të dhëna të pavërteta apo të pasakta ose duke mos i deklaruar fare ato, me qëllim që procesi i kontrollit të pasurisë të prodhonte një rezultat në favor të tij.

Këto qëndrime janë vlerësuar nga shumica e trupës së KPK-së se janë të papranueshme për të pasur besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë dhe te roli i subjektit si një funksionar i denjë i atij sistemi.

Veç situatës së paraqitur në hetimin e pasurisë, në vlerësimin tërësor ku konkludohet cënimi i besimit të publikut tek drejtësia, shumica përfshin dhe problemet e konstatuara në aspektin profesional.

“[…]Faktet e sjella në vëmendje nga denoncimi dhe të provuara gjatë hetimit administrativ të procedimit penal objekt i denoncimit, pasqyrojnë gabime procedurale që tregojnë mangësi profesionale, mungesë angazhimi dhe përgjegjshmërie në përfaqësimin e interesit publik, që ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin e publikut për organet e drejtësisë”, arsyeton shumica.

Kryesuesi Lulzim Hamitaj në mendimin paralel shprehet ndryshe, duke arsyetuar se gjetjet për pasurinë nuk mund të përdoren për të dhënë dy ndëshkime. “[…]Kjo qasje nuk do të ishte në përputhje as me jurispundencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që ka qartësuar pamundësinë e një kualifikimi të dyfishtë mbi konstatimet dhe faktet e provuara përgjatë hetimit administrativ”, argumenton Hamitaj.

Ai shfaq mendim të ndryshëm edhe lidhur me përfshirjen e gjetjeve të aspektit profesional. Duke i konsideruar konstatimet për pasurinë të papërdorshme në rivlerësimin tërësor pasi ato janë konsideruar si shkak më vete shkarkimi, Hamitaj argumenton se problemet e konstatuara në një dosje të vetme nuk mund të sjellin pasojën e shkarkimit në vlerësimin tërësor.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *