Prokurori Anton Martini pas seancës dëgjimore në KPK. Foto:Vladimir Karaj/BIRN
Analiza Korrupsioni KPK Në Fokus

Prokurori Anton Martini e kalon pa konsensus filtrin e parë të vetingut

Shumica e trupit gjykues i justifikoi si të papërfillshme mospërputhjet e deklaratave të pasurisë së prokurorit Anton Martini, ndërsa anëtarja në pakicë, Etleda Çiftja kërkon shkarkimin për deklarim të pamjaftueshëm dhe cënim të besimit të drejtësia.

Prokurori Anton Martini pas seancës dëgjimore në KPK. Foto:Vladimir Karaj/BIRN

Prokurori Anton Martini, i cili pret t’i bashkohet Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e kaloi pa konsensus fazën e parë të vetingut. Trupa gjykuese u nda mbi gjetjet për pasurinë dhe profesionalizmin, ndërsa konfirmimi i tij në detyrë u firmos nga kryesuesja Genta Tafa Bungo dhe relatorja Pamela Qirko.

Anëtarja në pakicë, Etleda Çiftja kërkoi shkarkimin e prokurorit Anton Martini për atë që e konsideroi “deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë” si dhe ngriti dyshime mbi aspektin profesional, duke marrë për bazë denoncimet nga publiku.

Anton Martini e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe është emëruar prokuror në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2004. Në vitin 2015, Martini u transferua në Shkodër nga Këshilli i Prokurorisë së kohës, vendim të cilin ai e kontestoi për parregullsi. Në qershor 2018, ai u rikthye në ish- Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Martini u rendit i dyti nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.

Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, hetimi administrativ për prokurorin Anton Martini u fokusua tek burimet financiare për blerjen e një apartamenti dhe një garazhi në vitin 2017 si dhe tek cënimi ose jo i etikës në investimin për Bono Thesari të parave të përfituara nga një kredi e butë.

Mospërputhjet dhe balancat negative në vlerë të vogël, shumica i konsideron të pamjaftueshme për të sjellë pasoja. Komisioni vlerëson se edhe të ardhurat e përfituara nga bonot e thesarit, të blera me vlerën e një kredie të butë, nuk mund të sjellin penalizim pasi me ato është përballuar qiraja e shtëpisë dhe këstet dhe se rezultoi se qëllimi i vetëm ka qenë strehimi i familjes së tij.

Vlerësime të ndryshme pati edhe për disa denoncime nga publiku, për të cilat Çiftja thotë se Martini nuk shpjegoi bindshëm moskryerjen e disa veprimeve procedural. Nga ana e saj, shumica vlerëson se pretendimet e denoncuesve nuk qëndronin dhe se subjekti nuk ka kryer shkelje proceduriale.

Ndërsa për pastërtinë e figurës nuk është identifikuar asnjë problem.

Blerja e apartamentit

Prokurori Anton Martini ka deklaruar blerjen e një apartamenti prej 97.16 m2, tarracë 25.95 m2 dhe një post parkimi në vlerën 90 mijë euro. Ai ka shtuar se kishte paguar 85 mijë euro: 50 mijë euro cash me nënshkrimin e kontratës së porosisë më 14 prill 2015 dhe 35 mijë euro në datën 13 janar 2017 me aktin e shit-blerjes. Ndërsa ka mbetur e pashlyer vlera 5 mijë euro që nuk është paguar për shkak të mosdorëzimit të garazhit.

Si burim krijimi për këtë pasuri, Martini ka deklaruar dy kredi: një kredi të butë në vlerën 5 milionë lekë të marrë në vitin 2007 si dhe një kredi tregtare të vitit 2016 në vlerën 5.2 milionë lekë – si edhe të ardhurat ndër vite nga puna e tij dhe e bashkëshortes. Për arredimin e shtëpisë në vlerën 2 milionë lekë ka deklaruar të njëjtat burime.

Komisioni konstatoi se ndryshe nga kontrata e porosisë, ajo e shit-blerjes e depozituar nga Martini dhe nga noterja G.B., ka datë dhe numër pasurie të ndryshme nga kontrata e depozituar në ZVRPP për regjistrimin e kësaj prone.

Për mospërputhjen e çmimit dhe të datës, si edhe për ndryshimin e konstatuar në disa elementë të kontratës së shitjes së depozituar në ZVRPP-në Tiranë, Martini ka shpjeguar se ekziston vetëm një kontratë për shitblerjen e kësaj pasurie, ajo e datës 17 korrik 2017, nënshkruar përpara noteres.

Ai ka pretenduar se gabimet materiale për numrin e pasurisë dhe deklarimin e pagesës së plotë prej 90 mijë euro janë kryer prej noteres. Sipas Komisionit, rezulton se noterja ka bërë korrigjimin e gabimeve, ndërsa pjesa tjetër e kësaj kontrate është e njëjtë në formë dhe në përmbajtje.

Shumica shton se Martini nuk ka kryer veprime aktive për regjistrimin e kësaj pasurie, pasi me këtë gjë është marrë noterja. Në vendim shtohet se Martini në asnjë deklarim nuk është shprehur për pagesën e vlerës prej 90 mijë euro, pasi nuk ka zgjidhur ende problemin e garazhit të prenotuar.

Në vitin 2015, Martini ka porositur dy pasuri: apartamentin dhe postin e garazhit, ndërkohë që  kontrata e shitblerjes e datës 17 korrik 2017, ka për objekt vetëm shitjen e apartamentit dhe nuk referon të dhëna për garazhin. Për këto mospërputhje, Komisioni konstaton se nuk është evidentuar pagesë tjetër veç atyre të deklaruara nga Martini dhe se nuk i ka kaluar ende në pronësi garazhi.

“Komisioni krijoi bindjen se subjekti ka deklaruar marrëdhënien faktike,” thuhet në vendim.

Ndryshe vlerëson anëtarja e trupës gjykuese, Etleda Çiftja, e cila ngre dyshime se pasuritë e përshkruara janë të ndryshme.

“Fakti që objekti i kontratës, si element thelbësor i kontratës, në rastin konkret numri i pasurisë, ishte i ndryshëm në kontrata me data të ndryshme, të krijon dyshime të arsyeshme se nuk bëhet fjalë për të njëjtën prone,” argumenton Çiftja, sipas së cilës Martini nuk shpjegoi bindshëm se gabimet ishin materiale.

Komisioni analizoi edhe mjaftueshmërinë e burimeve financiare për blerjen e kësaj prone. Në vitin 2007, Martini ka deklaruar marrjen e një kredie të butë, e cila për shkak të prishjes së kontratës së porosisë është depozituar nga bashkëshortja e tij në Bankën e Shqipërisë, nën titullin Bono Thesari. Gjithashtu rezulton që subjekti të ketë pasqyruar të ardhurat e përfituara nga interesat e depozitave në Bono Thesari në Bankën e Shqipërisë.

Komisioni i ka kërkuar Martinit shpjegime lidhur me mosdeklarimin në deklaratat periodike të likuiditeteve cash të shumës prej 2,5 milionë lekësh në vitin 2007 dhe vlerës 2,495,000 lekësh në vitin 2008 – të cilat bashkëshortja i ka tërhequr nga depozita Bono Thesari në Bankën e Shqipërisë, vlera që kanë pasur burim kredinë e marrë në vitin 2007.

“Nisur nga koncepti tij i deklarimit, ndër vite ka deklaruar vetëm shtesat e pasurisë të krijuara në vitin përkatës dhe jo totalet e parave cash në shtëpi,” citohet të ketë shpjeguar Martini.

Shumica konsideron se deklarimi i të ardhurave të përfituara nga depozitimi i vlerave të kredisë, në vetvete janë deklarime të shtesave të pasurisë. Nisur nga ky konstatim, Komisioni çmon se Martini ka kryer deklarim të saktë në deklaratat periodike vjetore.

“I rëndësishëm konstatohet fakti se në asnjë nga deklaratat periodike vjetore para vitit 2015, subjekti nuk ka deklaruar pakësimin e shumës prej 5,000,000 lekësh apo vlerën e konvertuar të saj të përfituar nga kredia e marrë në ‘Raiffeisen Bank,’ argumenton Komisioni.

Si përfundim, trupi gjykues vlerëson se prokurori Martini ka zbatuar detyrimin ligjor për deklarimin e shumës së përfituar nga kredia si detyrim financiar në “Raiffeisen Bank” dhe konkludon se shuma 37,400 euro e përfituar nga mbyllja e fondit në “Raiffeisen Invest” që është përdorur për pagesën e një pjesë të këstit të parë në vitin 2015, rrjedh nga kredia e butë në shumën prej 5 milionë lekësh e marrë në vitin 2007.

Çiftja në pakicë çmon se Martini nuk ka deklaruar saktë burimin e krijimit të pagesës së këstit të parë në deklaratën veting në raport me deklarimin e vitit 2015, duke e konsideruar pamjaftueshmëri në deklarim.

Sipas saj, Martini ka mungesë të burimeve të ligjshme, shoqëruar me dokumentacion justifikues për krijimin e shumës 37.400 euro përfituar nga “Raiffeisen Invest”. Për të arritur në këtë konkluzion ajo vlerëson se në vitet 2007, 2008, 2009 dhe 2010, Martini nuk ka deklaruar gjendjen cash, konkretisht 2.5 milionë lekë për vitin 2007, gjendjen cash prej 5 milionë lekë në vitin 2008 dhe po të njëjtën gjendje për vitet 2009 e 2010.

Ajo konkludon se Martini ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme, shoqëruar me dokumentacion justifikues për të vërtetuar se shuma 37.400 euro ka si burim kredinë e marrë në vitin 2007 në shumën 5 milionë lekë dhe se ka kryer deklarim të pasaktë.

Çiftja e mbështet qëndrimin e mbajtur në jurisprudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, duke vërejtur se që burimi i ligjshëm të jetë i ndërlidhur me momentin e deklarimit në deklaratat periodike të likuiditeteve.

Dhurimet nga vëllezërit

Në deklaratën veting, prokurori Anton Martini ka pasqyruar vlera monetare të dërguara gjatë 5-vjeçarit të fundit nga vëllezërit në formë dhurate, konkretisht: 2,451.97 euro dhe 794 mijë lekë nga vëllai në Mbretërinë e Bashkuar dhe 450 mijë lekë nga vëllai, z. E.M., që jeton në SHBA.

Në deklaratat periodike vjetore për përiudhën 2011 – 2016, shuma totale e deklaruar si e dhuruar nga vëllai që jeton në Mbretërinë e Bashkuar është 2,004,849 lekë. Por nuk janë deklaruar shuma të dhuruara nga i vëllai që jeton në SHBA.

Veç kësaj mospërputhje në deklarime, Komisioni evidenton vlera të ndryshme të shumave të  dhuruara, të pasqyruara në deklaratën veting dhe atyre të vërtetuara nga shkresat e institucioneve financiare.

Martini ka shpjeguar se shuma prej 2,451.97 euro e deklaruar si e dërguar nga vëllai që jeton në Britaninë e Madhe ka ardhur si pasojë e mbledhjes së shumave të dy transfertave. Ai ka shtuar se nga viti 2011 e në vijim, në veçanti vëllai, z. D.M., është angazhuar për ta ndihmuar për shkollimin e djalit.

Ndërsa për vlerën 400 USD të dërguar nga vëllai në vitin 2016, Martini ka shpjeguar se ato janë dërguar në emër të bashkëshortes së tij me dy transferta, njëra 250 USD dhe tjetra 150 USD. Në vijim, ka sqaruar se duke pasur në konsideratë kursin e këmbimit të dollarit me lekun ka përllogaritur këmbimin e sasisë 400 USD, afërsisht me 45 mijë lekë dhe se në deklaratën veting ka bërë një gabim duke shënuar shumën 450 mijë lekë.

Shumica vlerëson se deklarata veting nuk përmban rubrikë të veçantë për dhurimet, por Martini ka treguar kujdes të shtuar duke deklaruar këto të ardhura të dërguara nga vëllezërit nëpërmjet institucioneve financiare. Komisioni vëren se pjesa më e madhe e vlerave janë dërguar në emër të bashkëshortes dhe vetëm në vitin 2015 është kryer një transfertë në emër të Martinit, e cila është pasqyruar prej si dhurim në deklaratën periodike.

Subjekti ka shpjeguar se për arsye harrese, disa transferta të kryera për bashkëshorten nuk janë paraqitur në deklaratat e plotësuara prej saj, bashkëlidhur deklaratës së tij.

Duke konsideruar se këto të dhëna janë vetëdeklaruar nga prokurori Martini, shumica është bindur nga shpjegimet e tij dhe, pasi ka konkluduar se vëllezërit e subjektit kanë pasur burime financiare të ligjshme për vlerat e dhuruara, ka vendosur që këto të ardhura t’i përfshijë në analizën financiare.

Edhe në këtë pikë, Çiftja ka qenë kundër shumicës, duke argumentuar se Martini ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për dhurimet në cash të vëllezërve.

Analiza financiare

Në analizën paraprake të kryer nga Komisioni për periudhën 2003-2014 ka rezultuar balancë negative për vitet 2004, 2009, 2010 dhe 2014. Pas kalimit të barrës së provës, Martini ka bindur shumicën e trupit gjykues të KPK se kishte pasur burime të ligjshme për krijimin e pasurive, edhe pse është konstatuar sërish një balancë negative prej 241,129 lekësh.

Sipas shumicës, nga analiza financiare rezulton se Martini ka pasqyruar ndër vite gjendje likuiditetesh cash të krijuar nga të ardhurat e pagave, të cilat mundësojnë krijimin e shumës 23 mijë euro, të deklaruar prej tij si një nga burimet për kryerjen e pagesës së këstit të parë.

“Si konkluzion, Komisioni arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka pasur burime financiare të ligjshme…, të cilat mundësojnë plotësisht pagesën e këstit të parë në favor të shoqërisë ndërtuese në datën 7.4.2015, në vlerën 50,000 euro”, thuhet në vendim.

Në pakicë, Çiftja argumenton se Martini ka mungesë të burimeve të ligjshme për shtesat e deklaruara gjatë periudhës 2003-2014. Sipas saj, Komisioni, në përfundim të hetimit administrativ kryesisht konstatoi balancë negative prej 1.101.308 lekësh dhe se sipas saj, subjekti nuk arriti të provojë plotësisht të kundërtën e barrës së provës.

“Si konkluzion, subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar plotësisht shtesat e pasurive apo kryerjen e shpenzimeve për vitet 2003 – 2014”, thuhet në mendimin e pakicës.

Sipas Çiftes, Martini ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm dhe se është në kushtet e mungesës së burimeve të ligjshme për të krijuar shumën cash në vlerën 12.600 të përdorur si plotësimin e pagesës së këstit të parë të apartamentit në vitin 2015.

Në analizën financiare përfundimtare të kryer nga Komisioni, viti 2015 paraqitet me balancë negative fondesh në shumën prej 15,884 lekësh, e cila është konsideruar e përfillshme për shumicën.

Debati “etik” mbi kredinë e butë

Në vitin 2007, Martini ka aplikuar dhe ka përfituar kredi me kushte lehtësuese me qëllim strehimin e familjes së tij. Nga hetimi administrativ ka rezultuar se në momentin e aplikimit për kredi, ai nuk ka pasur pasuri të paluajtshme në pronësi.

Për përfitimin e kësaj kredie, Martini ka dorëzuar në bankë edhe një kontratë sipërmarrje të 7 nëntorit 2006, për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe totale 92 m2 në shumën 55 mijë euro. Në kontratën e porositjes është përcaktuar se ai e ka paguar cash këstin e parë në vlerën 15 mijë euro, ndërsa këstin e kësti i dytë do të paguhej me çeljen e kredisë.

Martini ka shpjeguar në shtojcën e deklaratës veting se, apartamenti i prenotuar në vitin 2006, nuk i është dukur i përshtatshëm familjes, për shkak të vendndodhjes në periferi dhe për këtë arsye kjo kontratë nuk është zbatuar. Gjithashtu, ai ka shpjeguar se palët janë likuiduar në mënyrë informale, duke mos pasur detyrime reciproke.

“Meqenëse subjekti kishte nevojë të siguronte banesë për vete, pra, jo thjesht për të bërë dokumentet për bankën, ra dakord, në mirëbesim me administratorin, z. A.D., … që sasinë prej 15,000 euro që ia dha në momentin e nënshkrimit të kontratës, të mund ta tërhiqte pa penalitete, nëse bashkëshortes së tij nuk do t’i pëlqente vendi ku ishte duke u ndërtuar pallati”, thuhet në vendimin e KPK.

Martini ka pohuar para Komisionit se kur kanë shkuar së bashku me bashkëshorten për të parë vendin ku gjendej pallati dhe ambientet përreth tij, nuk u ka pëlqyer dhe vendosën të kërkonin për një vend tjetër. Ai ka sqaruar se ndërtuesi u ka kthyer sasinë prej 15 mijë euro, pasi kishin rënë dakord, në mirëbesim me njëri-tjetrin.

Sipas shumicës, nga analiza financiare ka rezultuar se familja e prokurorit Martini kishte pasur mundësi për krijimin e vlerës 15 mijë euro që kishte shërbyer për pagesën e këstit të parë, vlerë që më pas i ishte rikthyer. Komisioni vë në dukje edhe faktin se Martini ka shpjeguar se, që nga viti 2004, për shkak të çështjeve që ka pasur në hetim dhe të kërcënimeve shpeshta për të dhe familjen, ka qenë me statusin e prokurorit nën mbrojtjen e Policisë së Shtetit.

“Kjo zonë u konsiderua krejtësisht e papërshtatshme, me kosto të mëdha të ruajtjes, sigurisë, shoqërimit, lëvizjes dhe, si rrjedhojë, subjekti sqaroi se u detyrua të vazhdonte të jetonte në banesën që kishte me qira, e cila kishte disa elemente sigurie, me vendndodhje pranë Komisariatit Nr. ***, Tiranë”, citohet në vendim.

Martini ka pohuar se i ndodhur në këto kushte, paratë e marra nga kredia i depozitoi në bankë dhe vendosi për të blerë disa bono thesari me qëllim sigurimin e sadopak të të ardhurave që t’i lehtësonin pagesën e qirasë, si edhe pagesën e këstit të kredisë deri në momentin që do të prenotonte apartamentin tjetër.

Komisioni vlerëson se përdorimi i kredisë së butë për blerjen e bonove të thesarit, nuk përputhet me etikën e prokurorit dhe duket sikur e cënon atë, por arrin në përfundimin se në këtë rast nuk mund të sjellë pasoja.

“Një rast i shkëputur nuk mund të jetë cënim i etikës së prokurorit, sidomos duke vënë në balancë rezultatet profesionale të punës së tij si prokuror i Krimeve të Rënda,” argumenton shumica.

Ndërsa Çiftja konsideron se Martini ka kryer një sërë veprimesh juridike fiktive të simuluara, për të siguruar marrjen e kredisë, që sipas saj janë sjellje të cilat nuk përputhen me sjelljet etike që një prokuror pritet të ketë.

Anëtarja në pakicë e trupës gjykuese identifikon probleme edhe për kriterin e profesionalizmit, lidhur me denoncimet e kryera nga publiku.

Sipas saj, Martini nuk shpjegoi bindshëm moskryerjen e disa veprimeve procedurale, mosnjoftimin e palëve në proces, mangësinë në kryerjen e hetimeve, mosnjoftimin e palëve për shtyrjen e afateve dhe mos-shortimin e një çështjeje në cilësinë e drejtuesit të prokurorisë, etj- raste që sipas saj ndikojnë në vlerësimin tërësor në drejtim të cënimit të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.

Shumica në anën e saj i konsideroi të pabazuara denoncimet e kryera dhe nuk ngre dyshime për paaftësi profesionale, apo cilësi që cënojnë figurën e prokurorit.

“Komisioni vlerëson se subjekti i rivlerësimit ka treguar cilësi të pranueshme në punë, gjykim të drejtë, ka respektuar të drejtat e palëve, është efecient dhe efektiv në masë të pranueshme dhe konsiderohet ‘i aftë’ në aspektin profesional,” përfundon shumica.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *